Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Pishinat për hidroterapi jofunksionale prej përurimit, ministri kuptoi pas raportimit të KOHËS

ARben Vitia

Foto: Driton Paçarada

Për mosfunksionalizimin e dy pishinave për hidroterapi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilat u përuruan tre vjet më parë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është informuar vetëm pas raportimit të KOHËS, në shkurt të këtij viti.

Pishinat u patën mbushur me ujë vetëm më datën 29 dhjetor 2022, në ditën e inaugurimit të Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit, ku pjesëmarrës ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri Vitia, por ato nuk u vunë kurrë në funksion për pacientët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për këtë, ministri Vitia ka thënë se ka kërkuar llogari, por një muaj që nga raportimi i KOHËS, raporti ende nuk i është dorëzuar.

“Në mes të tjerash, aty ka qenë edhe baseni i cili po, në ditën kur kam shkuar ka qenë i mbushur me ujë dhe pas publikimit në media të kësaj storie, kam kërkuar natyrisht përgjegjësi nga menaxhmenti i SHSKUK-së dhe i QKUK-së, ku përgjigjja e tyre ka qenë që, po është mbushur atë ditë për ta testuar, mirëpo kanë parë një problem sa u përket disa gypave për pastrim, të cilat pastaj ose nga neglizhenca, ose nga arsye të tjera që i pres nga raporti që do të vijë, nuk janë mbushur me ujë dhe nuk ka filluar edhe pjesa e hidroterapisë”, ka thënë Vitia.

Në mungesë të pishinave funksionale nuk mund të ofrohet shërbimi i hidroterapisë për pacientët.

E pas pranimit të raportit, ministri paralajmëron se për mosfunksionimin e pishinave, të cilat vetë i pati përuruar, do të merren masa.

“Kështu që po e pres raportin dhe natyrisht nga menaxhmenti i SHSKUK-së, përveçqë kam kërkuar përmes Bordit të SHSKUK-së që të merren masa, sa më shpejt që edhe kjo lloj terapie t’iu ofrohet pacientëve tanë që kërkojnë rehabilitim. Të kërkohen edhe përgjegjës pse ka ndodhur kjo për tre vjet që nuk është funksionuar, ku ka çaluar dhe të merren masat konform ligjit, rregulloreve të brendshme, rregullores për masat disiplinore në SHSKUK, në QKUK e kështu me radhë”, ka thënë Vitia.

Në Odën e Fizioterapeutëve patën theksuar rëndësinë e madhe të terapisë që zhvillohet në pishinë me ujë të ngrohtë, ku pacienti ushtron nën mbikëqyrjen e fizioterapeutit. Kryetari Feim Gashi pati thënë se përmes hidroterapisë ndihmohet procesi i rehabilitimit.

“Ka një ndihmesë jashtëzakonisht shumë të madhe, te sportistët, te pacientët me sëmundje reumatizmale, te pacientët të cilët kanë probleme neurologjike e te shumë sëmundje të tjera, do të thotë ndikon jashtëzakonisht shumë. Qendrat e institucioneve publike me të vërtetë momentalisht hala nuk ka një hidroterapi aktive, e cila mundet, dhe kishte me qenë shumë e mirëseardhur për pacientët”, ka thënë Gashi.

Vitia ka udhëhequr me Ministrinë e Shëndetësisë edhe në mandatin e kaluar.