LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja akuzon Qeverinë se po i mbron interesat e kompanive private

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë se po i mbron interesat dhe përfitimet e kompanive private në sektorin e energjisë. Deputeti Ferat Shala ka thënë se Qeveria në vend që të mbrojë interesin publik është kthyer në lobues dhe mbështetës të aferave korruptuese

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë për shtrenjtim të çmimit të energjisë, duke thënë se tani Kosova po importon energji me çmim 100 për qind më të shtrenjtë sesa që është në bursa ndërkombëtare.

Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala, ka thënë të martën në një konferencë për media, se rritja e çmimit të rrymës është selektive dhe diskriminuese.

“Kemi një realitet të dëmshëm, ku në vend të kontrollit publik kemi fitime të garantuara për kompanitë private KEDS, KESCO, NOA dhe GEN, ndërsa qytetari i zakonshëm paguan gjithnjë e më shumë.  Qeveria, në vend që të mbrojë interesin publik, është kthyer në lobues dhe mbështetës të aferave korruptuese. Sot kemi brenda territorit të Republikës tregje energjetike mbi baza etnike. Sot kemi monopolizim mbi 90 % të importit të energjisë nga kompanitë GEN dhe NOA. Sot ne importojmë energji elektrike me çmim 100 % më shtrenjtë se në bursat ndërkombëtare”, ka thënë Shala.

Për rënie të prodhimit në KEK, Shala ka ngritur akuza duke thënë se e tëra kjo është duke u bërë për favorizim të kompanive private që importojnë energji.

“Në këtë skemë të dështimit sistematik bëjnë pjesë KOSTT-i dhe ZRRE-ja, e cila me zell të paprecedent ka garantuar rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe është shndërruar në zëdhënëse edhe barrikadë mbrojtëse të qeverisë në shkuarje duke mbuluar në heshtje edhe aferat e mëdha korruptuese, siç është rasti lidhur me raportin e monitorimit nga ZRRE ndaj ‘Ibër-Lepencit’”, ka shtuar deputeti i PDK-së.

Shala ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të hetojnë sektorin e energjisë. 

E me t’u konstituuar Kuvendi, ai ka thënë se do të shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat parlamentarë për të shqyrtuar çdo veprim dhe mosveprim në menaxhimin e sektorit të energjisë.

Kritika ka adresuar edhe për vendimin e ZRRE-së për dalje në treg të hapur të bizneseve të madha, gjë që, siç ka thënë, do të ndikojë në falimentim të tyre.

Më 16 prill ZRRE-ja ka marrë vendim për rritje të çmimit të energjisë për 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Ndërsa nga 1 qershori bizneset me mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro janë të obliguara që të zgjedhin vetë furnizuesin me energji dhe se çmimet e tyre nuk do të rregullohen nga ZRRE-ja.