Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” kanë protestuar para Komunës së Prishtinës duke bërë thirrje që t’u kthehen pagesat nga arkëtimet e qytetarëve. Sipas tyre, ata po rrezikojnë falimentimin dhe të mbesin pa punë. Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, tha se Komuna e Prishtinës nuk ia ka asnjë borxh kompanisë “Pastrimi”, pasi ata nuk kanë asnjë marrëveshje të ndërsjellë. E të hënën është aktivizuar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës
Pas ndërprerjes së grumbullimit të mbeturinave nga ana e kompanisë “Pastrimi” në kryeqytet, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje kanë protestuar të hënën para objektit të Komunës së Prishtinës, me kërkesën për kthim të borxheve nga ky institucion. E, në të njëjtën ditë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës, si rezultat i mosgrumbullimit të tyre.
Në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria thuhet se është kërkuar të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit.
“Prokurori i Shtetit, në cilësinë e koordinatorit kundër krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore në Prishtinë, që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të veprës penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’, bazuar nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
E, sipas protestuesve që dolën para objektit të Komunës me pankarta në duar, ata po rrezikojnë të mbesin pa paga e pa punë, për shkak të interesave personale të udhëheqësve.
“Deri sot kush e mbajti kryeqytetin. Shikoni lagjet. Po ai hajn është duke bërë hajgare me ne. Ne punojmë 24 orë në ditë. Nuk kemi qenë të shpërblyer me asgjë. Jemi në gjendje me kallë. Jo me luajt me fëmijët tanë”, ka thënë punonjësi i “Pastrimit”, Ilaz Rexhepi.
I revoltuar me situatën është shprehur edhe punonjësi tjetër, Adnan Sinani.
“Kjo nuk ka të bëjë aspak me punëtorë, për interesa personale të vetat. Ne punëtorët e kemi mbajtur gjallë këtë qytet. Ne jemi të nënçmuar dhe po rrezikojmë të mbesim pa punë për shkak të falimentimit. Unë jam veteran i luftës, për qet vend e kam lënë rrogën e Gjermanisë. 3 fëmijë i kam, të tretë i kam qitë jashtë se nuk kam mund me i mbajt me këtë rrogë”, ka thënë ai.
Gjatë protestës është zhvilluar edhe një takim mes drejtorit të Shërbimeve Publike në komunë, Bekim Brestovci dhe e përfaqësuesve të ndërmarrjes “Pastrimi”.
Pas takimit përfaqësuesit e sindikatës së “Pastrimit” thanë se krejt çka ata kërkojnë janë nafta, pagat dhe kamionët.
“Neve nafta na është ndalur të premten. Furnizimi është ndalë për shkak të naftës., nuk e kemi ndalë punën, le ta sigurojnë naftën ne dalim prapë. Vetëm për rrogë e ndalim punën ne. Pra krejt kolegëve të mi i intereson paga, kjo është me rëndësi”, ka thënë Shpend Qosa, nënkryetar i Sindikatës së kompanisë “Pastrimi”.
Ndërsa Brestovci organizimin e protestës e ka quajtur politike.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës nuk ia ka asnjë borxh kompanisë “Pastrimi”, pasi nuk ka një marrëveshje.
“Prej shkurtit jemi duke kërkuar nga ndërmarrja ‘Pastrimi’ që të vijnë dhe të nënshkruajmë kontratë me Komunën e Prishtinës e kjo është refuzuar nga kompania ‘Pastrimi’. Po mundohet ta hedhë fajin ndaj Komunës së Prishtinës, është puro politike. Pastrimi nuk ka kryer asnjë shërbim të kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, sepse kontrata me të është refuzuar në dhjetor të 2024 dhe në shkurt të vitit 2025”, ka thënë Brestovci.
Kompania “Pastrimi” ka ndalur mbledhjen e mbeturinave në Komunën e Prishtinës me arsyetimin se Komuna ia ka borxh 2.7 milionë euro. Kjo ka çuar në rëndim të situatës në terren, me kontejnerë të stërmbushur me mbeturina.
Brestovci gjatë takimit ka ripërsëritur gatishmërinë për nënshkrimin e një kontrate 1.5 milionë euro, e cila do të shërbejë për sanimin e mbeturinave sipërfaqësore në hapësirat publike.
Por i kontaktuar nga KOHA, kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka deklaruar se nuk ka marrë ftesë për nënshkrim të ndonjë kontrate.
“Nuk kam pasur asnjë ftesë zyrtare. Nëse ka bërë ndonjë thirrje publike, unë nesër jam në Komunë për të nënshkruar çdo marrëveshje që është në favor të kompanisë dhe që na mundëson ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”, ka thënë Reçica.
Telashi komunë – ndërmarrje nisi fundvitin e shkuar, kur asamblistët votuan që tarifimi t’i kthehet “Pastrimit”. Udhëheqësit e Komunës nuk e pranuan këtë dhe u bënë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të paguajnë në komunë për mbeturinat. Njëjtë ka bërë thirrje edhe ndërmarrja “Pastrimi” e ka kërkuar edhe ndërhyrjen e organeve të shtetit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në vazhdimësi ka akuzuar ndërmarrjen për, siç ka thënë ai, “sabotazh”. Ai një ditë më parë ka premtuar zgjidhje të kësaj çështjeje.
Të dielën për këtë çështje ka folur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prej së cilës parti vjen edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ai në një postim gjithë këtë e ka lidhur me zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në gjysmën e dytë të këtij viti.
“Fushata në Prishtinë paska nisur. Me mbeturina. Lodhët. Edhe keq. E gjitha, për hiçgjë. Me sabotazh në njërën anë e me mendimtarë parapolitikë gishtvënës në anën tjetër - krejt në sinkron. Një përpjekje e thatë, e ulët, që ngjall vetëm keqardhje. Keqardhje se sa larg shkon një betejë politike. Në vend të ideve konkrete, paskan zgjedhur sabotimin e shkaktimin e problemeve. Këta që sot na bëjnë politikë mbeturinash ka kohë që kanë marrë nën kontroll të plotë ndërmarrjen për pastrimin e tyre. Po qytetarët janë bërë bashkë dhe e mbajnë mdërmarrjen ‘Pastrimi’ jashtë menaxhimit komunal”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Për këtë situatë ka reaguar të hënën edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Në një komunikatë janë ftuar palët të gjejnë gjuhë të përbashkët për të mirën e qytetarëve.
IKSHPK për mbeturinat në Prishtinë: Shtojnë përhapjen e sëmundjeve infektive
Për situatën me bërllokun në Prishtinë ka reaguar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK). Nga ky institucion kanë thënë se hedhja e pakontrolluar e mbeturinave ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e tokës, ujit dhe të ajrit, derisa ka bërë thirrje që të largohen me rregull mbeturinat në secilën lagje të qytetit.
Instituti ka shkruar në Facebook se mbeturinat shtojnë rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive si: dizenteria, hepatiti A, kolera dhe infeksione të traktit respirator.
“Në aspektin mjedisor mbeturinat kontribuojnë në ndotjen e tokës, ujërave dhe ajrit, duke dëmtuar ekosistemet dhe biodiversitetin. Djegia e tyre e pakontrolluar çliron tym dhe gaze të dëmshme si dioksinat dhe furanet, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje kronike të frymëmarrjes, alergji dhe, në raste të caktuara, edhe sëmundje kancerogjene”, ka shkruar IKSHPK.
Instituti ka shtuar se prezenca e madhe e mbeturinave në Prishtinë dhe mosasgjësimi i tyre e rrezikon seriozisht shëndetin.
“Rrezik shtesë paraqesin edhe qentë dhe macet endacake, të cilët shpërndajnë mbeturinat duke rritur mundësinë për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse dhe duke krijuar zhurmë në lagjet e qytetit. Kapakët e kontejnerëve të hapur dhe kushtet klimatike me reshje shiu kanë favorizuar përhapjen e aromave të pakëndshme, duke ndikuar negativisht edhe në cilësinë e ajrit”, thuhet tutje në njoftim.
Rama refuzon takimin me Avokatin e Popullit lidhur me menaxhimin e mbeturinave
Institucioni i Avokatit të Popullit ka ftuar të hënën në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën dhe menaxhmentin e kompanisë “Pastrimi”, për të diskutuar lidhur me menaxhimin e mbeturinave në kryeqendër dhe rrezikun që paraqet kjo.
Avokati i Popullit ka treguar se në minutat e fundit nga përfaqësuesit e Komunës është njoftuar se nuk mund të marrin pjesë në takim, duke dhënë arsye për që sipas këtij institucionit, nuk qëndrojnë.
“Qëndrimin e tillë Avokati i Popullit e konsideron si mosrespektim të këtij institucioni dhe kjo tregon papërgjegjësi të plotë të përfaqësuesve të komunës në raport me interesin dhe hallet që i kanë qytetarët e Prishtinë si dhe më shumë se 800 punëtorë të kësaj kompanie”, ka njoftuar Avokati i Popullit.
Në takim ka marrë pjesë kryeshefi i KRM “Pastrimi”, Petrit Reçica. Ai ka paraqitur prova që sipas tij, e vërtetojnë se ekziston rregullorja në fuqi, e aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, të cilën Komuna nuk po e zbaton.
“Si rezultat i moszbatimit të kësaj rregulloreje, ka ardhur deri tek situata e krijuar kur kompania “Pastrimi” është në prag të falimentimit. Marrë parasysh shumë probleme qe u paraqitën nga menaxhmenti i KRM “Pastrimi" (pamundësia e pagesës së pagave për punëtorët, mungesa e furnizimit të kamionëve me karburant, etj.) për të cilat në këtë fazë të hetimit Avokati i Popullit nuk do të lëshohet, dhe mbetet në pritje të dëgjimit edhe të palës tjetër, e në këtë rast Komunës së Prishtinës, në mënyrë që më pastaj Avokati i Popullit të del me një qëndrim përfundimtar”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit ka rikujtuar se është përgjegjësi e Komunës së Prishtinës për të gjetur zgjidhje për të dalë nga situata dhe është obligim për t’u ofruar qytetarëve shërbimeve cilësore dhe me kohë.