LAJMET E MBRËMJES

Pasojat e vërshimeve - shumë qytetarë pa ujë të pijshëm, nis adresimi i dëmeve në infrastrukturë

Pasojat që i kanë shkaktuar vërshimet e disa ditëve më parë janë ende evidente në disa komuna.

Një pjesë e banorëve të Prishtinës dhe të Graçanicës nuk mund ta konsumojnë ujin që buron nga liqeni i Badocit, si pasojë e turbullirave të shkaktuara nga vërshimet.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se të martën se ky ujë nuk rekomandohet për pije.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton qytetarët se, si pasojë e rritjes së vlerave të turbullirës në ujin e prodhuar nga fabrika për trajtimin e ujit “Badoc”, nuk rekomandohet për pije, deri në njoftimin e radhës. IKSHPK në bashkëpunim me KRU “Prishtina” po e përcjellin nga afër situatën me ujë të pijshëm”, thuhet nga IKSHPK.

Krahas ujit për pije, vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në infrastrukturë.

Një javë pas bllokimit shkaku i mbulimit nga uji, është liruar për qarkullim të automjeteve rruga nacionale Prishtinë–Ferizaj.

Sipas njoftimit të Policisë, kjo rrugë është lëshuar për qarkullim pas përfundimit të punimeve dhe pas largimit të pengesave të përkohshme.

E Komuna e Drenasit i ka adresuar problemet e dëmtimit nga vërshimet të rrugëve regjionale.

“Komuna e Drenasit, përmes Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, ka adresuar zyrtarisht problemin e dëmtimeve në rrugët regjionale të shkaktuara nga vërshimet e fundit, duke e trajtuar çështjen si kërkesë emergjente tek Departamenti i Rrugëve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Kërkesa është dorëzuar në bashkëpunim me Stacionin Policor në Drenas dhe është e shoqëruar me raportime dhe fotografi nga terreni, të cilat pasqyrojnë gjendjen aktuale dhe rrezikun për sigurinë në komunikacion”, thuhet nga Komuna e Drenasit.

Si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, në Komunën e Drenasit kanë marrë vendim që procesi mësimor të shtyhet për dy ditë dhe të nisë të mërkurën. Vendim i njëjtë është marrë edhe në Komunën e Malishevës, si dhe në disa fshatra të komunave të tjera e që janë prekur nga vërshimet.

E në Komunën e Fushë-Kosovës, mësimi pritet të nisë të hënën e javës tjetër.