Përfaqësues të partive politike kanë bërë të ditur se do t’i përgjigjen ftesës së presidentes Vjosa Osmani, për takimet me të cilat synohet t’i jepet zgjidhje ngërçit politik. Por shprehën pikëpamje të ndryshme nëse brenda Presidencës do të mund të gjetet zgjidhje
Pozitivisht i janë përgjigjur përfaqësuesit e partive politike ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takime, me synimin për ta zhbllokuar seancën konstituive.
Deputetja Mimoza Kusari Lila konfirmoi se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të marrë pjesë në takim. Por, nuk shprehu pritje për marrëveshje në institucionin më të lartë të shtetit.
“Kryeministri Kurti dhe kryetari i LVV-së ka marrë ftesën dhe besoj se përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim. Nënkuptohet se takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, pasi nuk mundet që Zyra e Presidencës të përdoret, siç nuk është përdorur, për marrëveshja politike. Ato bëhen mes grupeve apo mes partive politike”, ka thënë deputetja Kusari-Lila, pas dështimit të 15-të të konstituimit të Kuvendit.
Më pas ajo ka përsëritur se Kurti është përfaqësues i LVV-së në këtë takim, dhe ka akuzuar partitë që në mandatin e shkuar ishin në opozitë se duke mos e votuar komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, po e mbajnë peng konstituimin e Kuvendit.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, shprehu pritjen se në takim Vetëvendosja të reflektojë për situatën në Kuvend.
“Më vjen mirë që presidentja Osmani ka pranuar propozimin për të thirrur një takim të të gjitha partive politike, për çka shpresoj që të gjithë t’i përgjigjen pozitivisht për të shkuar dhe për të shprehur opinionet dhe për të pasur një diskutim që të rezultojë me një rrugë përpara për daljen nga kriza”, ka thënë Krasniqi.
E deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, tha se nëse në takimin e organizuar nga presidentja kundërshtohet propozimi i LDK-së për Qeveri tranzicionale të spektrit të gjerë, atëherë i takon Vetëvendosjes të ofrojë alternativa të reja, krahas thirrjes për të bashkëqeverisur me LDK-në.
“Shpresoj që partitë politike të jenë prezentë në takimin e ftuar nga presidentja dhe nëse janë kundër propozimit tonë atëherë besoj janë ata që duhet të lëvizin. E kemi thënë sa herë, Vetëvendosja i ka edhe 13 parti të tjera parlamentare të cilave nuk iu ka bërë ofertë siç i ka bërë LDK-së. Janë ata që i kanë alternativat në dorë”, ka thënë deputetja Bajrami.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk është i njoftuar me formatin e takimit dhe bëri të ditur se në të mund të japë ide për ta tejkaluar ngërçin politik.
“Do ta dëgjojmë presidenten, dhe të shohim se çfarë qëndrimesh ka ose çfarë sugjeron. Në të njëjtën kohë nëse kemi ndonjë sugjerim do ta japim”, ka potencuar Haradinaj.
Ftesë nga presidentja kanë pranuar vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të regjistruara në KQZ për zgjedhjet e 9 shkurtit. Për rrjedhojë, liderë të partive që kanë qenë pjesë e koalicioneve, si Fatmir Limaj që drejton Nismën Socialdemokrate, nuk janë ftuar.
“Unë jam linçuar para dy muajve kur kam thënë që për tema nacionale duhet të bisedohet me të gjithë dhe ju gjithmonë do ta keni një përgjigje timen pozitive. Sepse kjo është rruga, nuk ka rrugë tjetër. Me të gjitha ftesat që janë në funksion të bashkëbisedimit për të ndarë shqetësimet dhe brengosjen, për të gjetur zgjidhje ,në ftesa të tilla ne i përgjigjemi gjithmonë pozitivisht, pavarësisht nga kush vijnë ftesat”, ka thënë Limaj.
Por, skeptik për rezultatin e takimeve është shprehur ish-deputeti Afrim Kasolli, i cili ishte i ftuar në Specialen e KTV-së për vazhdimin e 15-të seancës konstituive.
“Nuk është në mandatin e saj që ta detyrojë dhe obligojë Lëvizjen Vetëvendosje të marrë një veprim të tillë sepse kjo është në vullnetin e saj politik. Jam pesimist dhe skeptik që do të mund të dalë diçka pozitive nga ky takim konsultativ. Nga situata mund të dilet vetëm nga veprimi i forcave politike në Kuvendin e Kosovës ose eventualisht nëse Gjykata Kushtetuese i jep një rekomandim të prerë nëse dikush e adreson këtë pyetje; nëse e drejta për nominim mund të kthehet në të drejtë për bllokim të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Kasolli.
Zyra e Presidencës ka njoftuar që serinë e takimeve konsultative rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit do ta nisë nga e enjtja e 15 majit. E theksoi këtë, pasi javën e shkuar kumtoi lajmin për takimet, pas kërkesave që bënë disa parti politike.
Kjo nuk është nisma e parë për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është kryetar i Vetëvendosjes, parti kjo që ka marrë më së shumti vota në zgjedhje, ftoi në takim liderët e dy subjekteve kryesore politike, Memli Krasniqin që e drejton Partinë Demokratike, si dhe Lumir Abdixhikun, i cili është në krye të Lidhjes Demokratike. Ftesës iu përgjigj pozitivisht vetëm Krasniqi, por takimi nuk ka prodhuar rezultat.
Kurti i ka dërguar dy herë letër Abdixhikut, për negociata koalicioni. Ato janë refuzuar.
Por, në përgjigje të letrës së dytë, Abdixhiku ka propozuar qeveri tranzicioni me mandat deri në zgjedhjen e presidentit që bëhet në fillim të vitit të ardhshëm. Ideja është hedhur poshtë nga të gjitha subjektet politike.
Presidenca konfirmon pjesëmarrjen e partive në takim
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të marrin pjesë në takimin konsultativ me presidenten Vjosa Osmani të enjten.
“Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me presidenten Osmani”, ka njoftuar Presidenca të martën pasdite.
Liderët e partive më të mëdha parlamentare u ftuan nga Osmani për një takim lidhur me tejkalimin e ngërçit politik për konstituimin e Kuvendit.
Të martën është zhvilluar seanca e 15-të me qëllim konstituimi, por as këtë herë nuk përfundoi me sukses.
Seanca e radhës do të mbahet më 15 maj, të enjten – ditën e takimit të partive me Osmanin.