Tek ka folur në një konferencë shtypi të enjten, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdimisht i parandalon tendencat destabilizuese të Serbisë. Ajo ka theksuar se nga Serbia së fundi janë kryer veprime të ngjashme me ato të vitit 2023, kur ka ndodhur sulmi në Banjskë. E informacionet lidhur me këtë ka thënë se janë marrë nga fundi i muajit maj
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në fund të muajit maj ndaj Kosovës janë kryer veprime me tendencë përshkallëzuese nga Serbia.
Tek ka folur në një konferencë shtypi të enjten, Osmani ka deklaruar se veprimet e fundmajit kanë qenë të ngjashme me ato që janë ndërmarrë para sulmit terrorist të 2023-tës në Banjskë, kur është vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
Lidhur me këto veprime Osmani ka folur javën e shkuar gjatë vizitës së saj në Washington, prej ku i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili pati thënë në dy raste ka ndikuar në ndaljen e luftës mes Kosovës dhe Serbisë.
Por të enjten presidentja Osmani nuk ka pranuar që të ndajë më shumë hollësi lidhur me veprimet që i ka përmendur, teksa ka thënë se një pjesë e informacioneve janë konfidenciale, porse janë ndarë me aleatët ndërkombëtarë për ta ndalur përshkallëzimin e situatës së sigurisë.
“Kështu që, specifikat e informatave që ne i kemi marrë në maj ju siguroj që ne marrim vazhdimisht, ato të fundit të majit kanë qenë ato të cilat unë iu kam referuar sa kam qenë në SHBA, sepse kanë qenë më specifike. Kanë qenë lëvizje më specifike, të cilat u kanë përngjarë lëvizjeve që ne i kemi parë më 2023, pak a shumë dy muaj para (nga sulmi në Banjskë), lëvizje të ngjashme kanë qenë, mirëpo nuk është që kanë arritur të bëjnë ndonjë gjë, sepse institucionet tona e kanë kryer detyrën e tyre me vigjilencë”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka thënë se tendencat destabilizuese nga Serbia janë të vazhdueshme, por ka siguruar që institucionet e sigurisë janë në krye të detyrës dhe se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.
“Nganjëherë kemi ngritje të nivelit të gatishmërisë së tyre në kufi me Kosovën, nganjëherë kemi rritje të prezencës, por të gjitha këto janë parandaluar. Të gjitha këto janë parandaluar me sukses, mobilizimi i institucioneve tona në çdo moment është maksimal, sepse asnjëherë ne nuk mendojmë se ndoshta Serbia ndërron mendjen dhe fokusohet në paqe. Rrjedhimisht nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për shkak se edhe institucionet tona po punojnë, edhe e kemi prezencën e NATO-s, e cila vazhdimisht sigurohet që të kemi paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, është shprehur Osmani.
Në konferencën e shtypit, të mbajtur pas kthimit të saj nga vizita në Shtetet e Bashkuara (SHBA), Osmani ka theksuar se deklaratat lidhur me presidentin amerikan dhe përmendja e Kosovës nga ana e tij janë një vlerësim për angazhimin e Donald Trumpit.
Presidenti Trump, në rastin më të fundit, e pati përmendur shmangien e përshkallëzimit në Kosovë nga Serbia gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik. Këtë pretendim Osmani e pati konfirmuar si gjatë vizitës në SHBA ashtu edhe në Letoni.
Por, ajo është akuzuar nga emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, për manipulim të fjalëve të presidentit Trump.
“Kur jam përgjigjur në pyetje në këto deklarata, kam thënë se mënyra sesi e kuptojmë ne – nuk kam interpretuar deklaratat e presidentit Trump – por është mënyra sesi e kam kuptuar unë. Ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si paqebërës dhe si njeri që punon ditë e natë për paqe. E tërë deklarata ime ka qenë në drejtim të vlerësimit të tij dhe të udhëheqjes së tij, pasi përmes kësaj udhëheqjeje ka pasur suksese të shumta”, ka thënë ajo.
Osmani ka folur në konferencën e së enjtes edhe lidhur me situatën aktuale institucionale në vend. Ajo ka paralajmëruar se do t’i adresohet Gjykatës Kushtetueses javën e ardhshme, po qe se Kuvendi nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.
“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani.
Kushtetuesja e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim të legjislaturës së re, porse nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë. E presidentja Osmani ka folur për pasoja.
“Nuk po flas për pasoja penale, por juridike. Kjo nënkupton: çfarë ndodh me institucionet nëse nuk konstituohen deri më 26 korrik? A nënkupton kjo se çdo Kuvend i konstituuar pas 26 korrikut është antikushtetues? A nënkupton se çdo akt që mund ta miratojë Kuvendi është shkelje e Kushtetutës? Këto çështje duhet të sqarohen, sepse nëse vazhdohet kështu edhe pas 26 korrikut, atëherë për çfarë është vendosur ai afat. Ne jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse gjatë këtij vikendi nuk ka ndonjë marrëveshje për institucione të konstituuara, atëherë ne, në fillim të javës, do t’i drejtohemi Gjykatës. Mirëpo, kjo mund të marrë shumë kohë dhe mund të na sjellë në një krizë që Kosova nuk është përballur asnjëherë më herët”, është shprehur ajo.
Në lidhje me angazhimin e saj për zgjidhjen e situatës aktuale, Osmani ka përmendur takimet që ka zhvilluar me liderët e partive politike e me disa prej të cilëve ka shtuar se vazhdon që ende të ketë diskutime. Por, sipas presidentes, ajo nuk mund të ndërhyjë në lidhjen e koalicioneve të mundshme e as nuk ia lejon Kushtetuta që të shpërndajë Kuvendin.