Në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë bërë thirrje që autoritetet shtetërore ta ngrenë në nivelin më të lartë ndërkombëtar mësymjen e shërbimit inteligjent të Serbisë për ta vrarë ish-senatorin zviceran, Dick Marty, dhe që për vrasjen pastaj të fajësoheshin shqiptarët e Kosovës. Edhe Shqipërisë i kanë kërkuar veprime. E, në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së është ftuar drejtori i kësaj agjencie për të raportuar rreth njohurive mbi këtë rast
Përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së u kanë bërë thirrje autoriteteve shtetërore të mërkurën, për ta ngritur në instanca ndërkombëtare mësymjen e shërbimit inteligjent të Serbisë për ta vrarë ish-senatorin zviceran, Dick Marty, dhe që për vrasjen pastaj të fajësoheshin shqiptarët e Kosovës.
Faton Klinaku, përfaqësues i kësaj organizate, ka shprehur pritjen në një konferencë për media që këtë ta bëjnë institucionet në Kosovë dhe në Shqipëri.
“Shteti i Kosovës konsiderojmë se nuk do të duhej që të heshtte, qoftë Qeveria, qoftë Kuvendi, qoftë Presidenca në këtë drejtim se gjoja po kërcënohet nga sigurimi shtetëror serb, por edhe nëse kërcënohet shteti ynë duhet që në takime të vazhdueshme me organizma të ndryshëm ndërkombëtarë ta ngrejë si çështje, sepse edhe kjo është një luftë kundër Kosovës dhe kundër UÇK-së”, ka thënë Klinaku.
Ish-raportuesi në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Dick Marty, në një intervistë të publikuar së fundmi ka deklaruar se ka 16 muaj që është duke u mbrojtur nga policia zvicerane në shtëpinë e tij, deri në atë pikë sa edhe kur del jashtë shtëpisë është i detyruar të mbajë jelek antiplumb, ndërkaq vetura e tij është e blinduar dhe e shoqëruar me mjete policie. Ai ka theksuar se është i kërcënuar me vdekje nga “elementë radikalë të shërbimit të inteligjencës serbe” dhe, sipas tij, vrasësit më pas do t’i fajësonin kosovarët për këtë krim.
E, Klinaku ka theksuar se nuk është hera e parë që Serbia tenton t’ua veshë shqiptarëve të këqijat që ka bërë.
“Ka pasur shumë ngjarje të tjera, si rasti ‘Panda’ që i ka vrarë vetë fëmijët dhe është munduar t’ua veshë pjesëtarëve të UÇK-së apo rasti i Martinoviqit me shishen e famshme që gjoja shqiptarët e paskan dhunuar. Serbia si shtet e pushtues vazhdimisht ka bërë këso inskenimesh e ngjarje dhe është munduar t’ua veshë shqiptarëve”, ka thënë ai.
Në këtë organizatë të veteranëve të UÇK-së kanë shprehur pritjen nga Shqipëria që të iniciojë rezolutë të re në Këshillin e Evropës për ta hedhur poshtë raportin e Martyt mbi krimet e pretenduara të UÇK-së, pas publikimit të të cilit është formuar Gjykata Speciale në Hagë.
“Rezoluta e re do ta hidhte poshtë atë rezolutën e vjetër, sepse opinioni ndërkombëtar me atë rezolutë e ka paraqitur Kosovën si shtet kriminal. Duhet që rezoluta e re ta hedhë poshtë të vjetrën dhe Këshilli i Evropës t’i kërkojë falje Kosovës për një shpifje që ka bërë Dick Marty dhe që ka rënë në lajthitje edhe Këshilli i Evropës”, ka thënë Klinaku.
Edhe Xhavit Jashari, një nga përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme do të duhej që të merrej me këto deklarime.
“Sot mendoj ..., parlamenti është dashur përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme që të kërkojë nga Parlamenti Evropian për ish-deputetin Dick Marty që të sqarohen deri në fund pretendimet e tij ndaj ‘Shtëpisë së verdhë’. Me deklarimet e tilla Gjykata Speciale duhet ta ftonte si dëshmitar dhe të sqarojë se nga kush paguhet dhe si ka rrjedhur raporti”, ka thënë ai.
Ndërkaq kryetarja e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, pati ftuar për të mërkurën në Komision drejtorin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, që të raportojë rreth njohurive për këtë rast që mund të ketë Agjencia. Por takimi është bojkotuar nga deputetët e Vetëvendosjes.
“Edhe në bojkotin e LVV-së. Unë e shfrytëzova rastin si kryetare e komisionit të informohem nga drejtori i AKI-së, se a ka qenë në dijeni më herët për kërcënimet për Dick Martyn dhe cilat janë veprimet që AKI-ja ka ndërmarrë në lidhje me rastin pas raportimeve. Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me Bashkimin Evropian për të gjetur përgjigjen në shumë pyetje lidhur me këtë rast. Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar zotëri Dick Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve të UÇK-së?”, ka thënë ajo.
Musliu ka kritikuar edhe krerët institucionalë, për të cilët ka thënë se ende nuk janë deklaruar zyrtarisht mbi rastin.
“Vetë fakti që ende nuk kemi një prononcim ose deklaratë zyrtare qoftë nga kryeministri Kurti, qoftë nga presidentja e vendit, edhe sot bojkoti i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e AKI-së është për t’u frikësuar dhe për t’u shqetësuar, se institucionet e vendit nuk janë në krye të detyrës për ta mbrojtur dinjitetin e shëndetit tonë, luftën e pastër të UÇK-së”, ka thënë ajo.
Ish-senatori zviceran Marty që nga dhjetori 2020 është në mbrojtje të lartë policore. Vite më parë, një raport i Martyt u mor si bazë për ngritjen e Gjykatës Speciale. Në të, Marty pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë edhe “bërë trafikim me organe të serbëve” gjatë luftës.