LAJMET E MBRËMJES

Orav e Rohde dënojnë gjuhën e Qeverisë karshi Supremes

Reagime të shumta ka nxitur aktgjykimi i Gjykatës Supreme e në të cilin konstatoi se deputetët nuk mund të ushtrojnë funksionet e tyre edhe në Qeveri. Kritikës së ekzekutivit, të mërkurën i është kundërpërgjigjur Gjykata Supreme, derisa në mbrojtje të saj dolën ambasadorët e BE-së e të Gjermanisë në Kosovë. Në anën tjetër, deputetë të PDK-së e LDK-së kërkuan veprime nga ana e Prokurorisë në rast të mos zbatimit të aktgjykimit të Supremes

Ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit e ka kualifikuar Gjykata Supreme reagimin e Qeverisë të bërë ndaj aktgjykimit të saj të së martës, me të cilin e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ për pajisje fiskale dhe për softuerë elektronikë fiskalë.

Në aktgjykim, Supremja ka konstatuar se deputetët nuk mund të ushtrojnë edhe funksione në Qeveri, dhe e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ për pajisje e sisteme fiskale, të cilin e ka nënshkruar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Gjykata Supreme, si zbatuese e ligjit, edhe në rastin konkret, ka garantuar që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që e rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tyre. Ndaj, çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, e cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, kanë thënë në Speciale, një ditë pas aktgjykimit.

Në reagimin e saj ndaj aktgjykimit, në Qeveri e kanë vlerësuar atë si arbitrar dhe kanë thënë se vendimet e tilla duhet të jenë të bazuara në ligj dhe jo në interpretime të njëanshme apo të motivuara politikisht.

“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale”, ka shkruar ministri Murati të martën në Facebook.

Këto reagime nga zyrtarë të Qeverisë janë kritikuar të mërkurën nga përfaqësues të faktorit ndërkombëtar në Kosovë.

Aivo Orav, ambasador i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, e ka kualifikuar si të papranueshme ndërhyrjen politike në gjyqësor.

“Udhëheqësit e misioneve të BE-së e diskutuan situatën, pas vendimit të Gjykatës Supreme. Sulmet kundër gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë të papranueshme”, ka shkruar Orav në platformën X, teksa e ka shpërndarë postimin e reagimit të Supremes.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

“Mbështetje e plotë për qëndrimin e ambasadorit të BE-së. Sulme të tilla kundër gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë absolutisht të papranueshme. Është më e pakta që i duhet këtij vendi në këtë situatë politike tashmë të vështirë”, ka shkruar ai në X.

Reagime të mërkurën kanë pasur edhe në partitë që gjatë mandatit të shkuar kanë qenë në opozitë kanë kërkuar që Prokuroria të aktivizohet lidhur me rastin.

Deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se vendimi i Supremes e ka vulosur faktin se mbajtja e funksioneve të dyfishta – edhe si ministra e edhe si deputetë – është e kundërligjshme dhe jokushtetuese. 

“Në emër të PDK-së i kërkoj sot kryeministrit në detyrë dhe ministrave në detyrë që të lirojnë funksionet ekzekutive duke zbatuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe të vazhdojnë të mbajnë funksionin e deputetit dhe po ashtu kërkoj që Qeveria e Kosovës të ndalë sulmet ndaj gjyqësorit”, ka theksuar ai. “Gjithashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi gjyqësor, i cili është i menjëhershëm dhe i detyrueshëm. Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, jo për shtet të njerëzve mbi ligjin”.

E deputetë të Lidhjes Demokratike (LDK), Besian Mustafa dhe Alban Zogaj, e kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale vendimin e Supremes, në veprimin që ata e kanë kualifikuar si hap drejt “kërkimit të përgjegjësisë institucionale” për shkeljet ligjore nga qeveria në detyrë.

Mustafa ka thënë se kryeministri dhe ministrat në detyrë janë duke qëndruar në Qeveri në mënyrë të jashtëligjshme.

“Dje Gjykata Supreme ka nxjerrë një aktgjykim, ku konfirmon atë që ka thënë LDK-ja tash e disa muaj. Këtë aktgjykim e kemi bashkangjitur në dosjen tonë, ku kemi dorëzuar në muajin maj 17 kallëzime penale për ish-kryeministrin Kurti dhe ministrat e kabinetit të tij... Secili veprim i tyre, vendim i tyre, akti i tyre në qeveri në ministri nga 27 marsi i këtij vitit është jokushtetues dhe joligjor. Këtë e ka vërtetuar qartazi dhe prerazi Gjykata Supreme”, ka theksuar ai.

Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), organizatë kjo që e përcjell punën e Kuvendit, ka vlerësuar se vendimi i Supremes është i drejtë dhe i plotfuqishëm, teksa ka shtuar se çdo mosbindje apo mosrespektim i tij përbën shkelje penale.

“Konkretisht, në rastin në fjalë, ministri Murati, nëse vazhdon ta mbajë në fuqi - përkundër që Gjykata (Supreme) e ka anuluar ligjshmërinë apo përmbajtjen e këtij udhëzimi administrativ - atëherë ai nuk e zbaton këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme dhe bën shkelje penale”, ka thënë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë. Ai ka shtuar se vendimi ka efekt vetëm mbi udhëzimin administrativ të ministrit Murati dhe se të gjitha aktet e tjera të ministrave në detyrë, të cilët janë njëkohësisht edhe deputetë, mbesin në fuqi, përderisa nuk janë kontestuar në gjykatë.

Megjithëkëtë, Bugaqku ka vlerësuar se ky vendim lë të kuptohet që edhe vendimet e tjera të ngjashme - të nxjerra nga zyrtarë me funksione të dyfishta - mund të jenë të paligjshme dhe të sfidohen juridikisht.

“Ky vendim i Gjykatës Supreme mund të shërbejë si një precedent i mirë ose si një bazë e mjaftueshme ligjore për të gjitha ato palë që janë të afektuara në kuptimin negativ nga vendimet e zyrtarëve publikë. Pra, ta përdorin këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme si provë për t’i kontestuar [vendimet e ngjashme] në gjykata dhe, pastaj, edhe ato të anulohen”, ka thënë ai.

Sipas Bugaqkut, vendimi i Supreme e ka sqaruar mirë konfliktin që lind nga ushtrimi i njëkohshëm i funksioneve në ekzekutiv dhe legjislativ nga zyrtarët publikë, por shpreh shqetësimin se ai mund të përdoret nga partitë parlamentare për thellimin e përplasjeve politike.

E profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se vendimi është i drejtë, porse ka shtuar që u takon organeve të ndjekjes që të vlerësojnë nëse ekzistojnë kushte për nisjen e procedurave penale.

“Madje, edhe vetë ministrat në detyrë... unë besoj se e kanë të qartë se nuk duhet të veprojnë me konflikt interesi, sepse jo vetëm që mund të shkelin dispozita që janë përmendur në aktgjykim, por mund të gjendet edhe bazë juridike që dikush t’i ndjekë. Ajo që i ndjek, është Prokuroria e vendit dhe ne nuk mund të paragjykojmë se a do ta bëjë këtë”, ka thënë Baraliu për REL-in.

17 anëtarë të Qeverisë, përfshirë edhe kryeministrin Kurti dhe zëvendësministren Liza Gashi kanë siguruar mandate në legjislaturën e nëntë. Për shkak të betimit si deputetë, ata kanë njoftuar për dorëheqje nga postet në Ekzekutiv në ditën kur është hapur seanca konstituive e Kuvendit.

Kosova vazhdon të mbetet me qeveri në detyrë, pasi, pas zgjedhjeve të shkurtit, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet për shkak të mosmarrëveshjeve të thella politike. Përpjekja e radhës për konstituim, e 48-ta, do të bëhet më 17 korrik.