Kuriozitet

Fjala e vitit, “6-7”

Fjala e vitit, “6-7”

Duket e pakapshme, por është e vërtetë. “Dictionary.com”, fjalori online më i madh i gjuhës angleze, e ka zgjedhur termin viral “6-7” si fjalë të vitit, edhe pse në fakt nuk është fjalë.

Bëhet fjalë për një term që është stërpërdorur në rrjete sociale nga fëmijët dhe adoleshentët. Fjala, nëse mund të quhet e tillë, shpërtheu në popullaritet gjatë verës. Nuk ka ndonjë shpjegim të qartë për të, por ka marrë dhenë në rrjete sociale dhe tashmë është term që përdoret në të gjithë botën anglishtfolëse.

“Mos u shqetësoni, edhe ne po përpiqemi ta kuptojmë se çka nënkupton saktësisht”, ka thënë fjalori në njoftimin e tij.

Si u bë e famshme kjo “fjalë”?

Gjithçka duket se nisi nga kënga e vitit 2024 e reperit Skrilla – “Doot Doot (6-7)”, si referencë për gjatësinë. Kënga nisi të shpërndahej në videot e TikTokut, përfshirë yllin e NBA-së në basketboll, LaMelo Ball, që është i gjatë sipas metodologjisë që përdoret në SHBA “6-foot-7”. Sipas sistemit tonë të matjes, nënkupton 2 metra gjatësi.

Po ashtu, frazën e bëri virale edhe një djalë, tash i njohur si “Fëmija 6-7”, që ka bërtitur frazën afër një fëmije tjetër që luante në një video që u bë virale.

Çka nënkupton “6-7”?

Përgjigjen e saktë nuk e di askush.

Sipas “Dictionary.com”, fraza mund ta ketë kuptimin “ashtu-ashtu” ose “ndoshta kjo, ndoshta ajo”, kur kombinohet me lojën e “zhunglimit” nga njëra dorë te tjetra, sipas videos së famshme.

Shtëpia botuese “Merriam-Webster” e ka cilësuar termin “shprehje të pakuptimtë që përdoret sidomos nga adoleshentët”.