Edhe kur rikthehet me ndonjë vepër të botuar a ribotuar, Janet Reineck përherë ka diçka të re për të thënë. “Një amerikane në Kosovë” është përtej një udhëpërshkrimi në Kosovë prej vitit 1981 deri më 1997, duke marrë peshën e një vepre studimore, dëshmi historie nga dora e parë. Ribotuar nga Botimet KOHA, libri i përuruar të enjten në Panair, është rrëfimi i saj si studiuese, por edhe si misionare. “Është tashmë pjesë e historisë sonë, rrëfyer nga një grua plot energji, kërshëri e dashuri për një popull që tash është bërë i saj”, ka thënë botuesja Flaka Surroi. “Ato vitet ’80 kanë qenë shumë punë për ta kuptuar kush janë shqiptarët dhe kush jeni ju. Kam shkuar nëpër krejt Kosovën”, ka thënë Reineck
Janet Reineck është diçka midis studiueses dhe misionares. Në të dyja është e zonja. Nganjëherë i jep më shumë peshë njërës e nganjëherë tjetrës. Rrëfimi i saj për Kosovën nis nga të qenit studiuese. E më pas hyn në lojë edhe të qenit misionare. Vepra e saj “Një amerikane në Kosovë” prek të dyja. Shpalos interesimet si studiuese, rrëfen edhe kohën kur u kthye me mision humanitar në kohën kur Kosova kishte nevojë më së shumti: në vitet ’90.
Hapësira e promovimit të librit në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë, të enjten, është mbushur nga njerëz prej tre grupesh. Miqtë e saj të viteve ’80, ku mblodhi material për studimet e saj të magjistraturës dhe doktoratës, pastaj ata të viteve ’90 që e njohën kur punonte në mjedisin humanitar dhe më të rinjtë, ata që tash i janë bashkuar në “World Dance Kosova”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVepra e saj “Një amerikane në Kosovë”, që vjen si ribotim nga Botimet KOHA, pasi më 2022 është botuar fillimisht nga “Cuneus”, është udhëpërshkrim i detajuar për vitet ’80 dhe ’90 në Kosovë.
Në fund të viteve ’70, Janet Reineck qe studente e etnologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles. Interesimet e saj për kultura të ndryshme tejkalonin kufijtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë udhëtimeve në ish-Jugosllavi, do të niste të shihte shqiptarë. E kureshtja në verën e vitit 1980 e solli në Kosovë. Vendosi që materialin për magjistraturë ta vjelë nga kultura e shqiptarëve të Kosovës. Do të kthehej në Kaliforni, do të pajisej me bursë e t’ia mësynte asaj që qe Krahina Socialiste Autonome e Kosovës. Jeta në “Breg të Diellit”, ansambli profesionist i këngëve dhe valleve “Shota”, Gryka e Rugovës e Opoja janë në libër fiks siç ishin asokohe. Tradita e odës së burrave, e grave që përgatiteshin për martesë, valleve e këngëve në ahengje vijnë të “gjalla” në këtë vepër. Detajet e saj shkojnë prej gjërave më pozitive e mikpritjes deri te ligësitë e njerëzve që kishin dy gra, plus një dashnore, së cilës i shërbenin të dyja. Këto anë për të asokohe qenë ekzotike. E udhëpërshkrimi i saj, tash mund të ngjajë ekzotik edhe për shumë vendas.
Drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, në cilësinë e botueses, ka rrëfyer se i rastisi të dëgjonte për një amerikane që kishte ardhur në Kosovë për t’i studiuar traditat e shqiptarëve të Kosovës qysh para thuajse 45 vjetësh. Ka treguar se nëna e saj, Nahire Surroi – që asokohe qe drejtoreshë e “Shotës” – i kishte treguar se Reineck është paraqitur në Ansambël.
“Edhe pse Janet, pas dy vjetësh qëndrimi në Kosovë, do të kthehej në Amerikë, e pastaj sërish do të vinte në Kosovë, nuk do ta takoja deri nga viti 1994 – në kohën kur punët në Kosovë po përkeqësoheshin përherë e më shumë”, ka thënë Surroi. Ka treguar se Reinecku qe kthyer si menaxhere e projekteve të organizatës “Oxfam”, si dhe të “International Rescue Committee”, me qëllimin e realizimit të projekteve të ujësjellësit dhe kanalizimit nëpër shkollat nga Gjilani e Vitia.
“Pa asnjë dyshim, tashmë si eksperte e traditave nga trevat e Opojës dhe Hasit, e kishte më lehtë t’i kuptonte dhe t’i përvetësonte edhe traditat e Anamoravës, krahas punës së përditshme që e bënte në terren së bashku me ekipin e saj vendas. E puna e saj, pos përmirësimit të kushteve sanitare nëpër shkolla, ishte edhe t’i bindte familjet patriarkale se vajzat duheshin shkolluar për të mirën e tyre dhe të shoqërisë kosovare”, ka thënë Surroi.
Më 1997 asaj s’i është vazhduar viza e qëndrimit dhe u rikthye pas luftës. Sipas Surroit, Reineck, me sytë dhe mendjen e një amerikaneje, me plot dashuri për njerëzit që e shoqëruan gjatë gjithë qëndrimit në Kosovë, tregon për atë që sheh dhe ndien dhe tregon mes rreshtash për arsyet që në fund bënë që të kthehej të jetonte këtu.
“Para dy vjetësh, Janet erdhi me propozimin për ta bërë një emision në terren – ku, pos që do të na i paraqiste vizualisht ato për të cilat flet në libër, do të na njihte me Kosovën në sytë e saj. Ideja e saj ishte që të shtegtonte viseve të ndryshme të Kosovës dhe tokave të tjera shqiptare e të fliste me ‘njerëzit e rëndomtë’ për veçoritë, telashet e gëzimet – me një fjalë, për jetën jashtë kornizave të paragjykuara”, ka thënë Surroi, derisa ka treguar për nisjen e emisionit “Amerikania përsëri në Kosovë” që transmetohet në KTV. Sipas Surroit, libri është ribotuar për shkak se rrëfimi i Janet Reineckit gjithsesi ia vlen të mësohet.
“Është tashmë pjesë e historisë sonë, rrëfyer nga një grua plot energji, kërshëri e dashuri për një popull që tash është bërë i saj”, ka thënë ajo.
Reinecki në fjalën e saj për rreth gjysmë ore ka evokuar shumë kujtime që i ka në libër. Shumë prej personazheve të librit qenë përballë saj.
Ka rrëfyer se si e ka njohur Dushe Gjevukajn, infermieren nga Rugova që ishte prej të rrallave që asokohe ia kishte mësyrë Prishtinës për të ndjekur shkollimin. Ka treguar se ajo tash ka nëntë nipa e mbesa. Më pas është ndalur edhe te personazhet e tjerë që i përmend në librin e saj.
“Kur kam qenë këtu më 1981 kam dashur të shkoj në Opojë të hulumtoj, por s’më kanë lejuar se ka qenë afër me kufirin me Shqipëri. Më 1981 s’më kanë lënë se kanë menduar se jam prej CIA-s. S’ka pasur asnjë amerikane këtu, askush s’ka ditur anglisht, duhet të kemi parasysh si ka qenë Kosova atëherë”, ka thënë Reineck.
Ka rrëfyer për kthimin e saj për të studiuar në kuadër të temës së doktoratës e pastaj edhe për vitet ’90. Ka treguar për bindjen e prindërve për t’i lejuar vajzat e fshatrave të Vitisë që të shkojnë në shkollë të mesme.
“Ju thosha se ju jeni në Evropë e gratë doni t’i lini në Arabi”, ka treguar ajo për komunikimet me burra që jetonin në Kosovë e ata që ishin jashtë si mërgimtarë. Madje asokohe ajo kishte mbajtur një takim edhe në Zvicër për këtë çështje, që të bindte shqiptarët e atjeshëm që fëmijët e tyre që jetonin në Kosovë të ndiqnin mësimet. Por vitet ’80 për të janë baza.
“Do të thotë ato vitet ’80 kanë qenë shumë punë për ta kuptuar kush janë shqiptarët dhe kush jeni ju. Kam shkuar nëpër krejt Kosovën”, ka thënë Reineck. Ka treguar se në tetë vjetët e saj në Kosovën e viteve ’80 dhe ’90 ka jetuar edhe te familja Tafa nga Tërpeza e Vitisë. Në shtëpinë e Mustafë Tafës, i cili asokohe qe edhe drejtor i shkollës së fshatit.
“Janet për mua është Edith Durham e Elena Gjika e viteve ’80, ’90 dhe e ditëve të sotme”, ka thënë Mustafë Tafa.
Libri i Reineckut nëpërmjet perspektivës së një amerikaneje ndalet në detaje të holla të jetës e mentalitetit të shqiptarëve të Kosovës. Është dëshmi e rrallë për një popull që për një amerikane në vitet ’80 dukej “ekzotik”.