Shkruan: Prof. Dr. Fadil Maloku
Me ta bërë tani publik në mediat tona idenë se në Ballkanin Perëndimor duhet të ekzistojë, përveç atij moralo-politik, edhe një mekanizëm ligjor që do t’i ndalonte përfundimisht “pazaret” tipike ballkanase për të “këmbyer” apo për t’i ndryshuar kufijtë ndërmjet shteteve, fitohet përshtypja se më në fund interesat amerikane në rajonin e Ballkanit Perëndimor po kornizohen edhe me fuqinë e ligjit!
Vegëza: https://www.congress.gov/bill/118th-congress/house-bill/9123/text i përket projektligjit H.R. 9123 – Western Balkans Democracy and Prosperity Act në Kongresin Amerikan. Ai më së miri dëshmon se ky ligj, i cili i është propozuar Dhomës së Përfaqësuesve më datë 24 korrik 2024, e që ende e ka statusin “Introduced” — pra është dorëzuar, por nuk është miratuar si ligj — synon ta rrisë dukshëm si sigurinë ashtu edhe stabilitetin e kësaj pjese të ndjeshme të Evropës Jugperëndimore.
Teksti në fjalë, që përfshihet në Seksionin 11 (“Relations between Kosovo and Serbia”), në pikën ku thuhet se “it shall not pursue any policy that advocates for land swaps, partition, or other forms of redrawing borders along ethnic lines in the Western Balkans”, kur i bëhet një analizë më e thellë sociologjike, politike e sidomos gjeostrategjike, tregon se ligji në fjalë, përveçqë i identifikon shumë më qartë interesat afatgjata amerikane, e dërgon edhe një mesazh shumë më të fortë simbolik për rreziqet hipotetike që mund të kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Në anën tjetër, ligji i ri amerikan, për gjykimin tim sociologjik, i bën utopike dhe definitivisht të vdekura të gjitha idetë, opsionet dhe ambiciet e kujtdo që do të shpresonte për copëtimin, shkëmbimin apo ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe të Bosnjë-Hercegovinës. Ky ligj, në rast se aprovohet nga Kongresi Amerikan dhe “përkthehet” në gjuhën diplomatike, përveçqë do t’i fundosë përfundimisht ambiciet ekspansioniste të ëndrrës për “Botën Serbe”, si një projekt me synime e pretendime për zgjerim territoresh, do të mund të përdoret edhe si armë e fuqishme politike kundër akterëve që këto ide i përdorin për ruajtjen e pushtetit.
Një tjetër përfitim i dobishëm nga ky ligj do të mund të ishte ruajtja dhe konsolidimi i mëtejmë i parimit të integritetit territorial, që për Kosovën, pa asnjë dyshim, ka peshë ekzistenciale — si për shtetësinë, ashtu edhe për rindërtimin e demokracisë ende të brishtë, dhe për rikonsolidimin e ekonomisë, uljen e varfërisë dhe forcimin e kontrollit social.
Mirëpo, të gjitha këto fakte, në kohën kur rajoni i Ballkanit Perëndimor rrezikon të shndërrohet në fushë manovrash e influencash gjeopolitike, mund të përballen me sfida dhe pengesa serioze që mund ta vështirësojnë miratimin e këtij ligji nga kongresistët amerikanë.
Ajo që dua të potencoj është se askush, pothuajse, nuk po merret me këtë temë! Çka është e çuditshme, madje as mediat! Të gjithë janë fokusuar në zgjedhjet lokale dhe ato të jashtëzakonshme.
Andaj, aludimi im synon të përkujtojë se të paktën institucionet, bashkë me akterët politikë, do të duhej të formonin grupe ekspertësh dhe ta shtynin këtë tematikë përpara, ngase përveç problemeve strukturore dhe konflikteve të pazgjidhura, rajoni përballet edhe me sfida të “distancës sociale” ndëretnike dhe me konsolidimin e demokracisë ende të brishtë.
Them kështu, ngase stabiliteti institucional dhe paqja ndëretnike janë ende ajo “thembra e Akilit” për zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin social — jo vetëm të Kosovës, por edhe të mbarë rajonit ende të trazuar të Ballkanit Perëndimor.
