Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Në kremten e Bajramit u bë thirrje për stabilitet politik

Bajrami

Myslimanët kanë kremtuar njërën prej dy festave më të rëndësishme në fenë Islame, Kurban Bajramin. Mes atmosferës së lutjeve dhe urimeve, nuk munguan as thirrjet për solidaritet, kujdes ndaj shtresave në nevojë, afërsi familjare dhe unitet shoqëror. E, në hutben qendrore, myftiu Naim Tërnava theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik e politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore

Që me agimin e hershëm të së mërkurës, oborret e xhamive u mbushën me besimtarë të fesë islame që u mblodhën për ta falur namazin e një prej dy festave më të rëndësishme fetare, Kurban Bajramin, e cila shënohet pas kryerjes së haxhit. Mes atmosferës së lutjeve dhe urimeve, nuk munguan as thirrjet për solidaritet, kujdes ndaj shtresave në nevojë, afërsi familjare dhe unitet shoqëror. 

Në një kohë tensionesh politike e pasigurie, nga foltoret e xhamive u bë apel për më shumë përgjegjësi, stabilitet dhe bashkim.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Myftiu me apel për politikanët

Manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Ceremonia filloi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu kryetari i Këshillit të Prishtinës, Hetem Sopjani, për të vazhduar më pas me ligjëratën kushtuar Kurban Bajramit, e cila u mbajt nga kryeimami i Skenderajt, Arbnor Sinani.
Hutben qendrore me mesazhet e kësaj feste e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili bëri thirrje për unitet, dashuri e solidaritet.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik e politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, ndërsa është shprehur kritik për përplasjet politike në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor, që u shpallën pas dështimit të klasës politike për ta zgjedhur presidentin.

Tërnava tha se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.

“Një komb që harron rrënjët e veta, rrezikon të humbë orientimin e tij në histori. Ndërsa një komb që e ruan kujtesën, kulturën dhe vlerat e tij, mbetet i fortë edhe përballë sfidave më të mëdha. Për të ndërtuar këto ideale të larta, vendi ynë ka nevojë, përveç stabilitetit ekonomik dhe politik, edhe për institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore”, ka thënë myftiu Tërnava. “Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore dhe përplasjet e pafundme politike të partive tona kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional dhe polarizimi politik nuk i shërbejnë Kosovës, por e dobësojnë besimin qytetar dhe e zbehin shpresën e brezit të ri”.

Ai ka thënë se nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut, dhe se nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës. Myftiu ka theksuar se stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar.

Tërnava bëri thirrje që fushata për zgjedhjet e parakohshme, e cila nis të enjten, të zhvillohen me maturi dhe dinjitet, duke u bazuar në ide dhe vizion. Po ashtu, ftoi edhe qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm.

“Në këtë fushatë parazgjedhore le të mos ketë vend për gjuhë të urrejtjes, fyerje, linçim, akuza të pabazuara dhe njollosje të njëri-tjetrit me akuza të pavërteta vetëm për një votë. Një fushatë e ndërtuar me përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës dhe as të ardhmes së saj. Le të mbizotërojë dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut. Le të ketë respekt të mendimit ndryshe”, tha Tërnava, gjatë hutbesë. “Mbesim me shpresë se pas këtyre zgjedhjeve, faktori politik të reflektojë me maturi dhe përgjegjësi shtetërore, që institucionet e vendit të formohen sa më shpejt dhe të krijohet stabiliteti politik institucional për të punuar bashkërisht për të ardhmen e Kosovës, mirëqenien e qytetarëve dhe të ardhmen e të rinjve... Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat”.

Politikanët me ligjërata për fenë

E, politikanë të të dy taborëve vizituan Bashkësinë Islame, për të shprehur urimet për festën e Bajramit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pritur nga myftiu Tërnava. Aty ka theksuar rëndësinë që ka kjo festë.

“Është festë e sakrificës, e cila na e përkujton dhe vazhdimisht na mëson se edhe sakrifica është festë, sepse ne i gëzojmë të mirat dhe frytet e atyre që kanë sakrifikuar para nesh dhe kanë mundësuar që ne të kemi liri e prosperitet, para së gjithash dëshmorët e kombit, ku asnjëherë nuk e harrojmë se aty janë edhe 37 imamë dhe hoxhallarë nga lufta çlirimtare, siç ishte UÇK-ja, e deri tek ajo që bëjmë sot si institucione të shtetit, si Bashkësi Islame dhe si shoqata bamirëse, që qytetarëve të Republikës t’u dalim në ndihmë për çdo nevojë që kanë”, ka thënë Kurti.

Bashkësia Islame është vizituar edhe nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, e cila është edhe ushtruese e detyrës së presidentes. Ajo tha se në thelb të festës së Kurban Bajramit qëndron flijimi për të mirën, përkushtimi që tejkalon vetveten dhe kujdesi për tjetrin. 

“Në ditë si kjo, familjet afrohen, sofrat hapen, zemrat zbuten dhe kujdesi për njëri-tjetrin bëhet edhe më i dukshëm. Uroj që kjo frymë të na shoqërojë në familje, në lagje, në punë dhe në jetën tonë të përditshme”, ka thënë Haxhiu.

Edhe liderët e partive opozitare kanë vizituar Bashkësinë Islame dhe kanë uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. 

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në mesazhin e tij ka uruar që kjo festë të sjellë paqe, shëndet, harmoni dhe begati në çdo familje. Ka dhënë edhe një mesazh politik.

“Krizat do të jenë të përkohshme, përderisa angazhimi dhe vullneti ynë për ndryshim, për dinjitet dhe për një të ardhme më të mirë, do të jetë gjithmonë më i madh. Prandaj, uroj që kjo festë të shërbejë edhe si frymëzim që të jemi më të bashkuar, më afër njëri-tjetrit dhe më të vendosur për ta ndërtuar një Kosovë me më shumë mirëqenie, zhvillim dhe shpresë për çdo familje”, ka thënë Hamza.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në urimin e tij ka vënë në pah rëndësinë e vlerave njerëzore që simbolizon festa e Kurban Bajramit.

“Kurban Bajrami na kujton vlerat më të bukura njerëzore. Na kujton sakrificën, solidaritetin, afërsinë me njëri-tjetrin dhe kujdesin për ata që kanë më shumti nevojë. Është një ditë reflektimi, mirësie e bashkimi; një ditë që na rikujton se forca e një shoqërie matet me humanizmin, respektin dhe dashurinë që ndajmë mes vete, por edhe me besimin e falënderimin ndaj Krijuesit”, ka theksuar Abdixhiku.

Vizitë në BIK ka zhvilluar edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, nga ku ka thënë se Kosova dhe populli shqiptar janë me fat për harmoninë fetare, por edhe për mesazhin që Bashkësia Islame përcjell për një shtet të së drejtës.

“Ky mesazh na rikonfirmon se prioriteti kryesor yni duhet të jetë gjithmonë një shtet human, i cili nuk e lë pas dore asnjë qytetar dhe që punon për mirëqenien e secilës familje në Kosovë”, ka shkruar Gjini.
Mes shumë personaliteteve politike që i kanë bërë vizitë Bashkësisë Islame, është edhe ish-presidentja Vjosa Osmani.

“Edhe në këtë vizitë, përcollëm urimet tona më të sinqerta për paqe, shëndet, harmoni dhe begati në çdo familje. Kurban Bajrami na kujton vlerat e solidaritetit, mirëkuptimit dhe humanizmit, duke na afruar më shumë me njëri-tjetrin”, ka thënë ajo.

Dëshmia e respektit ndërfetar

Kosova është shtet që karakterizohet nga toleranca fetare. Përfaqësues të konfesioneve, urojnë njëri tjetrin, në festa si kjo.

Në mesin e të parëve që Tërnava priti për urime, është ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Ai ia përcolli urimet myftiut Tërnava për Kurban Bajramin, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste si simbol i sakrificës, mirësisë dhe solidaritetit mes njerëzve.

Ipeshkvi i Kosovës tha se Kurban Bajrami është një moment i rëndësishëm për të forcuar respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën dhe vlerat e përbashkëta ndërfetare dhe ndërnjerëzore.

“Jam këtu për të shprehur urimet tona, mirënjohjen, por edhe urimet tona, myftiut Tërnava, por edhe gjithë Bashkësisë Islame. Kështu që të dëshmojmë edhe njëherë, si gjithmonë, respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën ndërfetare, gëzimin ndërvëllazëror, bashkëndarjen e dhimbjes dhe gëzimit, edhe në këtë rast bashkëndarjen e ndjenjave të festës, sikur është Kurban Bajrami, sepse çdo festë është një lartësim i shpirtit të drejtë Zotit, krijuesit të gjithëpushtetshëm”, ka thënë Gjergji.

Mesazhi i qytetarëve

Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme të fesë Islame dhe shënohet në kujtim të gatishmërisë së profetit Ibrahim për ta sakrifikuar djalin e tij, si shenjë bindjeje dhe përkushtimi ndaj urdhrit të Zotit. Sipas traditës islame, në momentin e sprovës, Zoti e zëvendësoi sakrificën me një kurban, duke e kthyer ngjarjen në simbol të besimit, sakrificës dhe mëshirës. Festa shënohet çdo vit gjatë muajit të haxhit dhe për besimtarët përçon mesazhe solidariteti, ndihme për ata që kanë nevojë, afërsie familjare dhe përkushtimi shpirtëror.

Gjatë hutbes së mbajtur nga myftiu Tërnava menjëherë pas faljes së Bajramit, iu referua edhe kësaj ngjarjeje.

“Sot, në këtë mëngjes të bukur të kësaj dite madhështore, miliona besimtarë nga të gjitha anët e botës janë mbledhur në tokën e bekuar të Mekës, duke iu përgjigjur thirrjes së përjetshme të Ibrahimit a.s., për të dëshmuar unitetin, barazinë dhe devotshmërinë e shoqërisë islame. Në mesin e tyre gjenden edhe haxhilerët tanë nga Kosova, të cilët edhe sot pranë Qabesë luten për paqe, falje, mëshirë dhe mirëqenie për popullin tonë dhe për mbarë njerëzimin”, ka thënë Tërnava. “Prandaj, në këtë ditë të madhe, le të pastrojmë zemrat tona nga urrejtja, përçarja dhe egoizmi, le të forcojmë lidhjet familjare e shoqërore, le t’i ndihmojmë nevojtarët dhe le të bëhemi njerëz të paqes, të dijes dhe të përgjegjësisë”.

Mesazhe në këtë frymë dhanë edhe qytetarë, pasi përfundoi ceremonia qendrore në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

“Le të jemi me Zotin. Mesazhi, edhe mesazhi më i madhi është me Zotin me qenë njerëzit”, ka thënë shkurt Ibrahim Ilazi.
Ndërkaq, Fuat Islami uroi paqe dhe tolerancë për gjithë botën islame dhe më gjerë, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit me të varfrit dhe ruajtjen e harmonisë mes njerëzve.

“Në botë të mbretërojë paqja, harmonia, dashuria, toleranca mes njerëzve. Dhe normalisht, mos të ketë dallime të mëdha sociale, t’i shtrihet dora të varfrit, të atij që nuk ka, atij që ka nevojë për ndihmën e të tjerëve, të mos ketë dallime të mëdha racore, kombëtare, sociale, politike, fetare, po gjithsesi të ketë paqe, harmoni, tolerancë mes njerëzve”, ka thënë ai.

Islami theksoi se tradita e Kurban Bajramit duhet të shërbejë edhe për afrimin e familjarëve dhe për ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë.

“Edhe sot në këtë ditë të madhe të Kurban Bajramit, uroj që, siç është tradita, të vizitohen të afërmit, farefisi, të kenë domethënë më shumë, afërsi mes familjarëve, mes të afërmve, të bëhet unifikimi i anëtarëve të familjes të cilët deri tani nuk kanë pasur mundësi të jenë afër njëri-tjetrit. Dhe normalisht edhe kurbani, siç është traditë, të shpërndahet më shumë tek të varfrit, tek të afërmit, te familjarët, tek të afërmit”, ka thënë ai. “Në botë të mbretërojë paqja, harmonia, dashuria mes njerëzve, të mos ketë dallime politike, të mos ketë dallime kombëtare, racore, sociale, po të ketë më shumë harmoni, tolerancë, mirëkuptim, bashkëpunim dhe normal të ketë edhe miqësi mes kombeve edhe feve të ndryshme në botë”.

E derisa dita vazhdoi me vizita familjare dhe urimet tradicionale të Bajramit, mesazhet që u dëgjuan nga xhamitë dhe institucionet tejkaluan kufijtë e një feste fetare. Dhe mesazhi që dominoi këtë Kurban Bajram është se vetëm të bashkuar mund të përballohen sfidat e kohës, përfshirë ato ekonomike e politike.