Ministri në Qeverinë e Shqipërisë, Ferit Hoxha, është pritur nga udhëheqës institucionalë dhe partiakë në Kosovë. Në konferencën pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Glauk Konjufca, Hoxha ka thënë sjell në vëmendje një deklaratë të mëhershme të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që thotë se: Kush prej Kosovën, prek Shqipërinë. Sipas Hoxhës, Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka qëndruar të dielën për vizitë zyrtare në Prishtinë dhe gjatë takimit me udhëheqës institucional e partiak, ai ka thënë se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Tiranës Zyrtare.
Hoxha, tek iu ka referuar një deklarate të mëparshme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se “Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Pa një Kosovë të sigurt nuk mund të ketë as rajon e as Evropë të sigurt. Shqipëria nuk do të pranojë e as tolerojë cenimin e qytetarëve të Kosovës dhe do të jetë përherë krah Kosovës. Sulmi në Banjska dhe kanalin Ibër-Lepenc nuk mund të harrohen dhe llogaridhënia duhet të jetë e plotë. Kam ardhur këtu për të theksuar qartë atë që ka thënë kryeministri Rama: kush prek Kosovën, prek Shqipërinë. Kosova është një realitet i pakthyeshëm politik. Kushdo që mendon ndryshe, sheh ëndrra me sy hapur”, ka thënë Hoxha.
Hoxha është pritur në takime të ndara nga liderët institucionalë e partiakë.
Pas takimit me homologun nga Kosova, Glauk Konjufca, Hoxha ka theksuar se ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të madhe për Shqipërinë.
“Ne në Tiranë, në Shqipëri, nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm: Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i shtetit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në një lidhje të ndërsjellë e të pandarë, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah. Çdo dhimbje e Kosovës ndihet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri”, ka thënë Hoxha.
E Konjufca, takimin e ka quajtur vëllazëror, duke thënë se integrimi euroatlantik dhe vlerat perëndimore janë orientim strategjik i kombit shqiptar, ndërsa Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë krah njëra-tjetrës në këtë rrugë.
“Të gjithë zyrtarët evropianë, të cilët po i takoj edhe vetë, po thonë që Shqipëria është e dyta në radhë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është një arritje shumë e madhe, zoti ministër. Të përgëzoj edhe ty, sepse për shumë vite ke qenë në kryeqytetin e Bashkimit Evropian dhe e ke bërë punën ashtu siç është më së miri. Në këta hapa të fundit jemi besimplotë që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian brenda dy apo tri vitesh”, ka thënë Konjufca
Për Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Konjufca ka thënë se ishte planifikuar të mbahej në qershor, por është shtyrë për shkak të zgjedhjeve.
Ka më shumë se 3 vjet që nuk është mbajtur një mbledhje e tillë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas takimit me Hoxhën, ka thënë se është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, për rrugën evropiane, për sigurinë rajonale dhe për rëndësinë e koordinimit të ngushtë në politikën e jashtme.
“Kosova dhe Shqipëria kanë arsye të forta të ecin pranë njëra-tjetrës, me besim të ndërsjellë dhe me përgjegjësi ndaj së ardhmes sonë të përbashkët”, ka shkruar Haxhiu.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është shprehur i nderuar që ka mirëpritur, siç ka thënë “në takim vllazëror ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha”.
“Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyeshme, janë marrëdhënie të dy shteteve të të njëjtit komb. Andaj, bashkërendimi dhe bashkëveprimi nuk është zgjedhje por detyrë kombëtare. Krahas marrëdhënieve bilaterale, me ministrin Hoxha biseduam për bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar, sikurse edhe për integrimin euro-atlantik të vendeve tona”, ka shkruar Kurti pas takimit.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë është pritur edhe nga kreu i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka vlerësuar lart angazhimin e ministrit Hoxha në mbështetje të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë, zgjedhjet e ardhshme dhe rëndësinë që vendi të ketë institucione stabile, funksionale dhe me fokus te interesat e qytetarëve. Ministri Hoxha gjithmonë ka qenë edhe ‘diplomat i Kosovës’, në çdo detyrë që ka shërbyer dhe në çdo forum ndërkombëtar ku ka folur”, ka shkruar Hamza.
Ferit Hoxha, prej 6 marsit 2026 mban detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.