Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar KESCO-n për përjashtim të ndërmarrjeve nga shërbimet universale për furnizim me çmime të rregulluara të ZRRE-së. Sipas saj, kjo ndërmarrje po përdor dy kritere, atë për qarkullim 10 milionë dhe kriterin për numër të punëtorëve mbi 50, ani se ligji parasheh njërin nga to
Akuza ndaj KESCO-s për përjashtim të ndërmarrjeve nga shërbimet universale për furnizim me energji elektrike me çmime të rregulluara nga Zyra e Rregullatorit për Energji ka drejtuar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, të dielën.
Sipas saj, ky përjashtim po bëhet në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike, përkatësisht nenin 37 të tij, paragrafi 2.
Në këtë paragraf thuhet se “të drejtën e furnizimit si shërbim universal e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë që kanë qarkullim vjetor jo më shumë se 10 milionë euro, ose jo më shumë se 50 punonjës”.
Por, sipas deputetes Bajrami, KESCO po i përjashton të gjitha ndërmarrjet nga shërbimi universal nëse nuk i përmbushin të dy këto kritere, gjë që, siç thotë, nuk e kërkon ligji.
“Nëse ligji e kërkon ose njërin, ose tjetrin kriter për të përfituar nga shërbimi universal, si ka mundësi se për përjashtim nga shërbimi universal përdoret edhe njëri, edhe tjetri kriter. Nuk dihet nëse KESCO është duke e bërë këtë me instruksione të ZRRE-së, nga padijenia ose me qëllim, por një gjë dihet që si rezultat i këtij veprimi KESCO do të përballet me qindra padi pas datës 1 qershor”, ka thënë ajo.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës dhënë për KOHËN, numri i bizneseve që kanë mbi 10 milionë euro qarkullim është 318.
Ndërsa numri i bizneseve me mbi 50 punëtorë është 748.
KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga KESCO, por nuk kanë qenë të qasshëm.
Ndërsa në faqen për aplikim për bizneset për furnizim me KESCO me tarifa të rregulluara, shihet se kriter është qarkullimi më pak se 10 milionë euro dhe jo më shumë se 50 punonjës.
Njoftimi i ZRRE-së për daljen në treg të hapur është bazuar në nenin 37, paragrafi 2.
Përfaqësuesit e bizneseve e kanë kundërshtuar daljen në treg të hapur, duke kërkuar shtyrje së paku edhe një vit ose subvencionim të kostos shtesë nga Qeveria.
Lidhur më këtë Qeveria të hënën pritet që të prezantojë masat lehtësuese për bizneset prodhuese që dalin në treg të hapur.
Por, ajo tashmë ka bërë të ditur se nuk do të ketë subvencionim për 1-përqindëshin e bizneseve të fuqishme në vend, duke mos përmendur emra konkretë se për cilat biznese e ka fjalën.
LDK-ja përmes një kërkese të iniciuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të opozitës së deritanishme ka kërkuar nga ZRRE-ja anulim ose shtyrje të vendimit për daljen në treg të hapur edhe për një vit.
Por në ZRRE kanë bërë të ditur se vendimet e saj mund të anulohen vetëm me vendim të gjykatës.