Propozimi i Vetëvendosjes për kryeparlamentare nuk do të ndryshojë, ka thënë kryetari i kësaj partie, Albin Kurti. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ai tha se konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha partive. Kurti refuzoi propozimin e LDK-së për Qeveri të tranzicionit dhe ironizoi me idenë e Qeverisë së opozitës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka theksuar të shtunën se partia që e drejton nuk bën as koncesione e as kompromise për ta konstituuar Kuvendin, dhe përsëriti qëndrimin se nuk do ta ndryshojë as propozimin për kryeparlamentar.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ku Kurti foli për herë të parë lidhur me dështimin për 13 herë të konstituimit të Kuvendit, tha se, funksionalizimi i këtij institucioni u takon të gjitha partive.
Ai kërkoi nga partitë që mandatin e shkuar ishin në opozitë që ta depolitizojnë seancën konstituive dhe ta votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. E për formimin e Qeverisë tha se përgjegjësinë e merr vetë.
“Unë mund të bëj koncesione e kompromise në negociatat për formimin e qeverisë. Kështu ka qenë çdoherë, për çfarë do ta kem përgjegjësinë. Por, jo edhe për konstituimin e Kuvendit, që na takon të gjithëve”, ka thënë Kurti para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
Ai nuk dha sinjale se do të jetë i suksesshëm vazhdimi i radhës i seancës konstituive që është caktuar për të dielën, nga ora 10:00.
“Të tjerët mund të kenë propozime të tjera, por Albulena është propozimi ynë. Të tjerët le t’i ruajnë propozimet e tyre kur t’iu vije radha atyre, e ne do t’i respektojmë ato”.
Kurti ka theksuar se partia që e drejton ka synuar të dalë nga situata, nëpërmjet ftesave për takime e edhe për koalicione, por u refuzua nga LDK-ja, që siç tha, mund të ketë preferenca të tjera.
Ai kundërshtoi propozimin e Lidhjes Demokratike për Qeveri tranzicioni, ndërsa ironizoi me propozimet për Qeveri pa Vetëvendosjen.
“LDK-ja më 2020 bëri koalicion me ne Lëvizjen Vetëvendosje. Tash pas reformave do të duhej të ishte edhe më e lehtë. Por nuk po ngjan ashtu. Ndoshta rruga e re ka preferenca të tjera. Ne duam qeveri normale, jo qeveri të përkohshme, apo tranzitore, apo teknike, apo të opozitës e cila dorën në zemër paraqet një togfjalësh paradoksal. Opozita është opozitë pikërisht për shkak se nuk është qeveri”, ka thënë Kurti.
Ndonëse kanë shkuar 3 muaj nga zgjedhjet dhe javën tjetër bëhet një muaj prej kur Kuvendi nisi seancën konstituive të cilën nuk e ka përmbyllur ndonëse është mbledhur çdo të dytën ditë, Kurti tha se shteti nuk është në krizë institucionale a politike.
E, në këtë deklaratë ka reaguar Vlora Çitaku, nënkryetare e subjektit politik që është ranguar i dyti në zgjedhje, Partia Demokratike.
“Për Albinin nuk ka krizë, as institucionale, as politike. Ashtu siç nuk sheh krizë ekonomike, nuk sheh as rritje të çmimit të energjisë, e as të kostos së jetesës. Shkurt e shqip, gjithçka në rregull paska thënë ai”, ka shkruar Çitaku në Facebook. “Këndelluni, keni mundësi ta zhbllokoni situatën. Mos e mbani peng Kosovën, se ajo është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e Albinit”.
Partia që i përket Çitaku është prej pak subjekteve politike që mbështesin edhe alternativën për zgjedhje të parakohshme.
Edhe eksponentë të Vetëvendosjes kanë thënë të jenë të gatshëm për t’iu drejtuar sërish sovranit, pas bllokadës së krijuar në konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit.
Por, Kurti dha edhe prognozë për rezultatin e zgjedhjeve të mundshme.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet. Zgjedhjet mund të përsëriten por edhe rezultati jo vetëm që mund të përsëritet, por edhe mund të thellohet në favor të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai. “42.3 për qind e votave është votë e pastër popullore, votë e sinqertë qytetare, votë pa asnjë borxh ndaj askujt për asgjë. Ose, për të qenë më i saktë, nuk i kemi borxh asnjë emri të përveçëm, grupi të posaçëm a strukture të veçantë; dhe, i kemi gjithçka borxh popullit, nga i cili vijmë si përfaqësues politikë për t’iu rikthyer atij si shërbim publik, përkrahje ekonomike dhe mbështetje sociale”.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, Kurti shprehu mirënjohjen për qytetarët që e votuan Vetëvendosjen, si parti të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe u kërkoi angazhim aktivistëve, në përgatitjet për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në fund të vitit.
Konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit ka mbetur në tentativë për të 13-tën herë me radhë. Vazhdimi i seancës, që është mbajtur të premten, në ditën kur janë bërë 3 muaj nga zgjedhjet, ka zgjatur gjithsej 4 minuta. Në të dy taborët politikë kanë mbajtur qëndrimet e vjetra. E Gjykata Kushtetuese është adresë që një numër deputetësh konsiderojnë se mund t’i japë zgjidhje ngërçit të krijuar. Nismën për t’iu drejtuar gjykatës e ka marrë të premten AAK-ja, e cila ka paralajmëruar se të hënën kërkesën do ta deponojë në Kushtetuese.