LAJMET E MBRËMJES

Kurti e Lajçaku diskutojnë për hapat e domosdoshëm në dialog

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi ka takuar të hënën në Greqi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, prej ku ka paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve të domosdoshme për të arritur përparim në dialog. Ndërkaq në fundjavë Lajçaku përmendi tri apo katër marrëveshje mes dy vendeve që janë shumë afër finalizimit.

Hapat e ardhshëm në procesin e dialogut me Serbinë janë diskutuar nga Greqia të hënën mes kryeministrit Albin Kurti dhe emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Njoftimin e ka dhënë diplomati evropian në margjina të Simpoziumit “Symi”, duke shkruar se janë të fokusuar në hapat e ardhshëm të domosdoshëm, në mënyrë që të arrihet përparim në dialog.

Në kuadër të një Samiti tjetër në fundjavë, Lajçaku foli për mundësinë që Kosova dhe Serbia t’i arrijnë së shpejti edhe tri apo katër marrëveshje të tjera.

“Janë tri apo katër marrëveshje në nivel të avancuar të finalizimit dhe shpresojmë se disa prej tyre do t’i përfundojmë shpejt. Por më e rëndësishmja është të arrijmë pajtim me dy liderët, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq që ta vazhdojmë qasjen e njëjtë edhe në nivel të liderëve, sepse normalizimi është agjendë e liderëve jo e shefave të grupeve negociatore. Të dy janë pajtuar që të angazhohen më shumë dhe ta definojnë se çka është liberalizimi dhe si të arrijmë deri atje”, ka thënë Lajçak.

Në Samitin e Dubrovnikut, Kosova u përfaqësua nga ministrja Donika Gërvalla. Ndryshe prej Lajçakut, ajo përmendi dy apo tri marrëveshje që janë në prag të finalizimit.

“Ne kemi shënuar progres kohët e fundit në dialog duke arritur marrëveshje për energjinë elektrike në pjesën veriore të Kosovës. Ne po presim dy ose tri marrëveshje të tjera, por një gjë duhet të jetë e qartë- nuk mund të dialogoni me dikë që nuk është i gatshëm të jetë pjesë e dialogut, të kontribuojë në dialog”, ka thënë Gërvalla.

Në zyrën e udhëheqësit të dialogut teknik, zëvendëskryeministrit Bislimi, nuk kanë treguar se në cilat tema janë afër marrëveshjes.

Së fundi, Kosova dhe Serbia u dakorduan rreth udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

Por vendimi i qeverisë për kthimin e targave ilegale në RKS dhe reciprociteti në letërnjoftim, acaroi Beogradin zyrtar. Madje presidenti serb, Vuçiq përjashtoi mundësinë e një takimi me kryeministrin Kurti që u tha se do të ndodhte gjatë këtij muaji.