Akuza të forta, përfshirë ato për tradhti, janë lansuar nga liderë të partive opozitare, gjatë debatit parlamentar në të cilin kryeministri Albin Kurti është ftuar të raportojë për situatën në veri. Kurti u sfidua nga kryetari i PDK-së që bashkërisht ta vizitojnë veriun, por edhe ai i sfidoi liderët opozitarë, kur folën për arrestimin ndaj atyre që urdhëruan turmat serbe të ushtrojnë dhunë ndaj policisë, pjesëtarëve të KFOR-it e gazetarëve.
Situata në veri ka përplasur në Kuvend kryeministrin Albin Kurti dhe liderët opozitarë.
Një ditë pasi është përmendur opsioni i zgjedhjeve, me qëllimin për ta depërshkallëzuar situatën, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i tha kryeministrit të mos guxojë të flasë në emër të kryetarëve të Zveçanit e Zubin Potokut, e të cilët i takojnë partisë që drejton.
“Ti zgjedhje të jashtëzakonshme mund të shpresosh ti mbash, por për dy Komuna, as nuk guxon e as s’ki të drejtë e as nuk mund të flasësh. Këtë dije. Për Zveçan, Zubin Potok ty nuk t’i vetë letrat njeri i lindur. Këtë dije”, theksoi Krasniqi.
Në seancën ku u ftua të raportojë për situatën në veri, kryeministri Albin Kurti u shpreh se do t’i përgjigjej pozitivisht organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme po qe se protestuesit nuk do të ishin të dhunshëm.
“Jo që i kisha dëgjuar, por i kisha mirëkuptuar. Por protesta me kryqin me katër “S” dhe ku thuhet ubij, ubij, vrite, vrite, ku sulmohet ushtari i NATO-s pjesëtari i Policisë e gazetari, këtu nuk ka tolerim”, tha Kurti.
Liderët e dy partive që kanë nga dy kryetarë komunash në veri, vazhduan polemikën rreth pjesëmarrjes së kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale.
“Çlironi ata kryetarë të Veçanti e Zubin Potokut të shkojnë në punë se turp është kështu. Kanë dashur të fitojnë, kanë fituar tash s’po duan të punojnë. Duhet të punojnë se është duke iu ecë rroga. Policia i garanton, Qeveria i mbështet, ju mos i mbani peng”, theksoi Kurti.
Atij iu kundërpërgjigj Krasniqi.
“E ke mbyll një kryetar si Oso Kukën në kullë atje, i shkreti s’po di a po ka çka me hangër se s’ka mundur as të lahet qe 4-5 ditë... Pse nuk po e çon Erden Atiqin e Vetëvendosjes në Komunë”, deklaroi ai.
Krasniqi dyshoi edhe në guximin e Kurtit, të cilit ia bëri një ftesë për të shkuar në veri.
“Hajde po shkojmë unë e ti bashkë, a guxon?”, tha Krasniqi.
Ndërsa, AAK-ja e kritikoi për tradhti, për çka ftoi deputetët t’i përgjigjen pozitivisht mocionit të iniciuar nga ta për shkarkimin e Kurtit.
“Ju propozoj deputetë të respektuar të shkojmë me mocion dhe të shkarkojmë Qeverinë Kurti, ta ndërpresim mosbesimin deri në pabesi e mashtrimin deri në tradhti”, theksoi deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e akuzoi Kurtin për rrezikim të partneritetit me SHBA-të, duke mos i koordinuar me aleatët ndërkombëtarë veprimet për veriun.
“Përballja me bandat dhe vetë Serbinë mbetet në rend të dytë. Pa të parët, jo vetëm pa aleatë, por me aleatë kundër nesh, vendi ynë s’ka gjasë të shtrojë as sovranitetin, as integritetin e as stabilitetin”, deklaroi Abdixhiku.
Liderët opozitarë i kërkuan Kurtit edhe t’i arrestojë përgjegjësit e turmave që ushtruan dhunë ndaj policisë, KFOR-it e gazetarëve gjatë protestave, të cilëve kryeministri në seancë ua publikoi edhe emrat.
“Pra, deputeti Krasniqi dhe Abdixhiku le të përgjigjen a me koordinim a pa koordinim? A deputeti Tahiri le të përgjigjet edhe a me shurdhuese a pa shurdhuese?”, tha Kurti.
Kryeministri tha se zvogëlimin e Njësisë Speciale në veri do ta konsiderojnë vetëm pasi të arrestohen ata që po e destabilizojnë veriun me urdhrat e Beogradit zyrtar.