LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Bllokimet në konstituimin e Kuvendit e pengesat për formim të qeverisë, inekzistente

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se bllokimet në konstituimin e Kuvendit e pengesat për formimin e qeverisë së re nuk ekzistojnë, me rezultatin e zgjedhjeve të cilin e ka shënuar partia që ai drejton. Gjatë ditës ai vizitoi disa ndërmarrje publike.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka dalë e para nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka dhënë garanci se saga e moskonstituimit të institucioneve nuk do të përsëritet kësaj here.

Kreu i saj, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, gjatë një vizitë në Postën e Kosovës, ka thënë se nuk do të ketë pengesa për konstituimin e legjislaturës së re e formimin e Qeverisë.

“Ne kemi pritur se do ta tejkalojmë rezultatin e 9 shkurtit, por duket që po e tejkalojmë rezultatin e 14 shkurtit 2021. Bllokimet në konstituimin e Kuvendit dhe pengesat për formimin e qeverisë së re tashmë janë inekzistente”, ka thënë ai.

Pas institucioneve të reja, Kurti ka paralajmëruar diskutime edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ka thënë se së shpejti do të takohet me presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

“Ne së pari do të presim certifikimin e rezultati, duhet të konstituohet Kuvendi dhe duhet ta shohim përbërjen e legjislaturës së dhjetë dhe më pastaj të ecim tutje. Por ashtu siç kam thënë sot është dita  e fundit e vitit 2025, shpejt do ta takojë presidenten Osmani dhe duhet të bisedojmë njëherë bashkë për rrugën përpara. Por keni parasysh se  njëherë është konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe vetëm më pas është zgjedhje e presidentes apo presidentit”, ka thënë Kurti.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.34% të votave. Pa përfshirë votat eventuale nga diaspora, të votimit me kusht e të personave me nevoja të veçanta, VV-ja do të ketë 56 deputetë në legjislaturën e re, apo 8 ulëse më shumë sesa nga rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në ditën e fundit të vitit, përveç Postës, Kurti e eksponentë të tjerë të Qeverisë në detyrë kanë vizituar edhe Telekomin e Kosovës e Korporatën Energjetike.