Mbetet që nesër (e enjte) Këshilli i BE-së, pa diskutim, të miratojë vendimin, pas së cilit Kosova dhe vendet e tjera të rajonit mund të nisin negociatat individuale me BE-në për përfshirjen e tyre në sistemin e roamingut të BE-së të quajtur “Roam like at home” (Roaming sikur në shtëpi)
Në prag të samitit të Bashkimit Evropian (BE) me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, që zhvillohet të premten, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në takimin e tyre në Bruksel kanë miratuar vendimin për të autorizuar nisjen e negociatave me vendet e rajonit për heqjen e roamingut.
Tash mbetet që nesër (e enjte) Këshilli i BE-së, pa diskutim, të miratojë këtë vendim, pas së cilit Kosova dhe vendet e tjera të rajonit mund të nisin negociatat individuale me BE-në për përfshirjen e tyre në sistemin e roamingut të BE-së të quajtur “Roam like at home” (Roaming sikur në shtëpi).
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIdeja është që negociatat të përmbyllen para fundit të këtij viti, nëse do të jetë e mundur, e pas kësaj qytetarët e Kosovës, kur të udhëtojnë në vendet e BE-së, ose diaspora që vjen në Kosovë nga BE-ja, nuk do të paguajnë për përdorimin e telefonave të tyre mobil, por do të mund t’i përdorin ata sikur kur janë në shtëpi.
Një sistem i tillë tashmë ekziston mes vendeve të BE-së dhe në këtë sistem BE-ja dëshiron ta përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor.
Sipas këtij vendimi, negociatat do të zhvilloheshin ndaras me Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Pasi të finalizohen marrëveshjet përkatëse me këto vende, atëherë do të caktohet data e hyrjes në fuqi.
Në mesin e vendeve të BE-së qëmoti janë hequr shpenzimet për roaming. Po ashtu, vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë zvogëluar apo hequr shpenzimet për roaming mes vete. BE-ja tash dëshiron që t’i heqë këto shpenzime edhe mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit të Ballkanit.
Komisioni Evropian ka argumentuar se me këtë BE-ja dëshiron t’i integrojë edhe më shumë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo mundësi, përmes integrimit gradual të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së, është paraparë edhe në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar në vitin 2023.
Nga mundësia për përdorim të telefonit pa pagesa shtesë do të përfitojnë edhe qytetarët e rajonit gjatë vizitave në vendet e BE-së, edhe miliona turistë evropianë që vizitojnë vendet e Ballkanit.
“Sot po ndërmarrim një hap të rëndësishëm për partnerët në Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt përfshirjes në familjen e roamingut në BE. Ky është një lajm i mirë për qytetarët, por edhe për biznesin në rajon”, ka thënë Henna Virkkunen, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian për teknologji.
\Këtë lajm e kishte vlerësuar edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kur Komisioni kishte dhënë propozimin.
“Çmimet e roamingut janë problem për njerëzit anë e kënd Ballkanit Perëndimor. Ato shpenzime ndikojnë në punëtorët apo familjet që rregullisht kalojnë kufirin apo thjesht ata që duan të jenë në kontakt. Faturat e befasishme apo shpenzimet e rritura janë diçka që nuk ekziston më në BE. Sot po propozojmë zgjerimin e kësaj mundësie edhe për Ballkanin Perëndimor. Kjo do të sjellë telefonime më të lehta dhe mundësi përdorimi të internetit me shpenzime sikur në shtëpi”, kishte thënë Marta Kos.
Edhe Presidenca Qipriote e BE-së e ka përshëndetur këtë vendim të ambasadorëve të vendeve anëtare.
“Presidenca Qipriote fuqishëm mbështet rrugëtimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Zgjerimi i hapësirës së roamingut sikur në shtëpi është një shenjë e qartë e përkushtimit tonë ndaj rajonit. Presim miratimin formal të vendimit për të nisur negociatat”, ka thënë zëdhënësi i Presidencës Qipriote.
Në Bruksel vlerësojnë se, nëse do të ketë gatishmëri nga partnerët në Kosovë dhe vendet e rajonit, qëllimi për heqjen e pagesës për roaming të arrihet që në vitin e ardhshëm.