LAJMET E MBRËMJES

Kosova optimiste për pranim në Këshill të Evropës

Pritjet e Kosovës pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës i ka shpalosur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, me t’u kthyer nga Franca. Ani se është shprehur optimiste që nisma e Kosovës do të marrë përkrahje, Gërvalla ka paralajmëruar se procesi do të jetë i vështirë dhe se për një epilog do të kërkohet një kohë e gjatë

Si hapin më të rëndësishëm drejt integrimit evropian e ka klasifikuar ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Me t’u kthyer nga Franca, Gërvalla vlerësoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ndikonte në stabilitetin dhe paqen në Evropë.

Ajo gjatë një konference për media të premten nuk ofroi ndonjë afat se kur mund të marrë një epilog kërkesa për anëtarësim. Por, ka shprehur optimizmin që Kosova të jetë mes atyre shteteve për të cilat kërkohet kohë më e shkurtër për anëtarësim.

“Kjo procedurë për shtete të ndryshme ka zgjatur për periudha të ndryshme, prandaj nuk kemi një indikator në bazë të të cilit mund të themi a zgjat 1 vit, a zgjat 7 vjet, a zgjat disa muaj Kjo është thjesht e pamundur që të parashihet, por i rëndësishëm ka qenë hapi i parë, sepse pa kërkuar anëtarësim në KE edhe nuk mund t’i bëjmë të gjithë hapat e tjerë që duhet të pasojnë”, ka thënë ajo.

Shefja e diplomacisë ka ofruar gjithashtu një arsyetim përse data e aplikimit zyrtar në Këshillin e Evropës nuk është bërë e ditur nga përfaqësuesit e institucioneve në Kosovës.

Dorëzimin e kërkesës, një ditë para aplikimit, e kishte bërë publik presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne kemi ndjekur të gjitha rregullat e sjelljes së mirë dhe korrekte në raport me Këshillin e Evropës dhe radha është që të shkosh të dorëzosh kërkesën e pastaj të shkosh edhe të njoftosh opinionin, por kjo nuk është shkelja e vetme e Aleksandar Vuçiqit në raport me Kosovën sa i përket Këshillit të Evropës”, është shprehur ajo.

Me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Gërvalla ka thënë se do të jenë përfitues të gjithë qytetarët dhe për këtë arsye ka vlerësuar se aplikimin do të duhej që ta mbështeste edhe Serbia.

“Ne mendojmë që Serbia përkundrazi duhet ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, sepse anëtarësimi i Kosovës, nëse Serbisë vërtet u interesuaka për qytetarët e republikës së Kosovës që i përkasin kombësisë serbe, atëherë ky është hapi më i rëndësishëm për të gjithë, edhe për qytetarët me kombësi serbe të Kosovës”, ka deklaruar Gërvalla.

Ndonëse nuk e ka shpalosur numrin e shteteve që mund ta përkrahin Kosovën në këtë nismë, Gërvalla ka shprehur pritjen që këtë ta bëjnë shtetet njohëse dhe që janë pjesë e Këshillit të Evropës.