Analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se LDK-ja ia ka mundësuar fitoren në Mitrovicë kandidatit të LVV-së, Faton Peci, dhe ka kërkuar që kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, të tregojë publikisht se çka ka ndodhur.
“Kurti e ka pas vetëm një betejë në këto zgjedhje – Mitrovicën. Sikur të dështonte në Mitrovicë, do të ishte goditje e madhe për të. PDK-ja e LDK-ja është dashur të shpenzojnë shumë resurse politike që të bashkëpunojnë në mënyrë që Kurti të mos e fitonte Mitrovicën, sepse do ta shfrytëzojë tash në mënyrë simbolike për poena populistë”, ka thënë Muhaxhiri në “Konfront” të KTV-së.
Ai theksoi se dallimet në vota nga asamblistët në rundin e parë dhe rezultati i ngushtë e tregojnë qartë se LDK-ja ka lejuar fitoren e Pecit.
“Në rund të parë, Peci i ka pas gati pesë mijë vota dallim nga asamblistët. Ka qenë e qartë se diçka ka pasur. Në anën tjetër, LDK-ja ka pasur dallim 2500 vota. Është e qartë që LDK-ja ia ka mundësuar Pecit fitoren. Abdixhiku është mirë të dalë publikisht e të na tregojë, të mos sillet si me Vushtrrinë – herë e kemi dit, herë s’e kemi dit”, shtoi analisti.
Sadiku: Temat e mëdha na kanë lodhur, Chuck Norris me qenë lodhesh
Skender Sadiku nga Iniciativa Qytetarë për Mitrovicën, thotë se temat e mëdha i kanë lodhur qytetarët.
Sadiku në “Konfront” të KTV-së ka bërë apel që të mendohet për qytetarët.
“Temat e mëdha na kanë lodhur ne. 26 vjet hero e viktima është tepër. Chuck Norris po të jesh 26 vjet hero lodhesh. Unë po flas dhe bëj apel të fundit në këtë zhurmë që po bëhet, le të mendoj dikush për qytetarët. Le të mendoj qysh gjendet Betim Osmani që 26 vjet e sheh pronën e vet e edhe në këtë liri s’mund të vijë...Është çliruar veriu pajtohen për disa gjëra, por duhet çliruar edhe njeriu. Duhet të mendohet për njerëz. Atje fundi i fundit jetojnë njerëz”, ka thënë Sadiku.
Spahiu: Ai që e kontrollon Mitrovicën, e kontrollon gjithë Kosovën - Kurti e ka kuptuar
Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se liderët politikë në Kosovë nuk e kanë kuptuar asnjëherë rëndësinë e Mitrovicës, përveç Albin Kurtit. Ai ka theksuar se zgjedhjet në Mitrovicë kanë peshë shumë më të madhe sesa në komunat e tjera.
Sipas tij, ai që “e kontrollon” Mitrovicën, “e kontrollon” të gjithë Kosovën.
“Jo më kot Serbia kur është detyruar të tërhiqet nga Kosova i ka ngulur kthetrat e saj te Mitrovica, nuk i ka ngulë te ndonjë qytet tjetër sepse Beogradi e ka ditë se ku është vendi ku mund të ketë ndikim më të madh në Kosovë. Nga liderët politikë të Kosovës këtë nuk e kanë kuptuar. I pari që e ka kuptuar rëndësinë e Mitrovicës është Albin Kurti. Prandaj veprimin e vet e ka koncentruar në Mitrovicë. Ai që e kontrollon Mitrovicën e kontrollon gjithë Kosovën. Zgjedhjet në Mitrovicë nuk janë zgjedhje vetëm për rrugë e kanalizime, por zgjedhje në kuptim shumë më të madh, në nivel kombëtar”, ka thënë Spahiu.
Muhaxhiri: KQZ-ja veç një punë e ka - mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kryesuesi i saj të japë dorëheqje
Analisti politik Artan Muhaxhiri ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me gabimet teknike në numërimin e fletëvotimeve për balotazh, duke sugjeruar se kryetari i këtij institucioni duhej të japë dorëheqje morale.
Sipas tij, zgjedhjet janë hallka kryesore e demokracisë, dhe çdo cenim i procesit zgjedhor ndikon direkt në legjitimitetin moral të institucioneve dhe kryetarëve të komunave.
“Zgjedhjet janë hallka e parë e demokracisë. Nëse ky proces është i cenuar, edhe ato institucione, edhe ata kryetarë do të jenë me legjitimitet së paku moral të cenuar”, ka thënë Muhaxhiri në “Konfront”.
Ai theksoi se KQZ-ja ka një detyrë të vetme: sigurimin e aspektit teknik dhe logjistik për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, dhe çdo devijim është i pafalshëm.
“Mendoj që kryetar i KQZ-së sonte është dashur të japë dorëheqje morale sepse me vetë faktin që dolën me aq lehtësi e pranuan një gabim teknik në numërimin e fletëvotimeve, është absolutisht e pafalshme. Nuk e kanë kry për të cilën paguhen, e cila punë është shumë komfore në shumicën e kohës. Nuk kemi zgjedhje çdo muaj. Kanë qenë joseriozë”, shtoi analisti.
Gabimet në fletëvotime, ku numri serik nuk përshtatet me vendvotimin ka nxitur shumë reagime, veçanërisht në Mitrovicë. PDK-ja ka dërguar ankesë në PZAP ku kërkon rivotim, ndërsa KQZ-ja ka thënë se bëhet fjalë vetëm për gabim teknik që nuk ka cenuar procesin.
Mitrovicën e fitoi Faton Peci i LVV-së kundrejt Arian Tahirit të PDK-së.
Buzhala: PDK-ja e njeh mirë “trenin bullgar”, pasi e ka bërë vetë në të kaluarën
Gazetari Mentor Buzhala e sheh problematike deklaratën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi gabimin teknik në disa dengje të fletëvotimeve në Mitrovicë dhe Gjakovë. Ai ka thënë se KQZ-ja nuk duhet ta shfajësojë të gjithë procesin, pa e pasur një raport teknik.
Sipas tij, në vitet e fundit ka pasur zgjedhje më korrekte e demokratike në Kosovë, derisa ka përmendur dyshimet për keqpërdorime me vota e metodën e njohur si “treni bullgar”.
Buzhala ka thënë se në të kaluarën Partia Demokratike e Kosovës e ka “kultivuar” skemën e manipulimit të votës - e quajtur “treni bullgar”.
“Kur flas për trenin bullgar, i referohem tregimit të PDK-së se si e tregoi rastin, si ka ndodhur kështu. Nëse ka ndodhur kështu është ai treni bullgar, së pari e merr një votë brenda e fut në xhep, vjen me një votë të plotësuar hyn brenda, e fut në xhep, del dhe bëhet kështu treni të cilin PDK-ja e njeh mjaft mirë sepse në të kaluarën e ka kultivuar goxha shumë”, ka thënë ai në Konfront.