LAJMET E MBRËMJES

Kamberi: Viti 2026 mund të shënojë fundin e pushtetit të Vuçiqit

Sipas Kamberit, 2026-a është vit i zgjedhjeve në Serbi dhe ato mund të shënojnë fundin e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit. Ai ka thënë se Vuçiqi po mbijeton me “frymëmarrje artificiale”. Po ashtu ka kërkuar nga Qeveria e ardhshme e Kosovës që Luginën e Preshevës ta shpallë çështje me rëndësi kombëtare

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po mbijeton në pushtet me “frymëmarrje artificiale”. Sipas Kamberit, 2026-a është vit i zgjedhjeve në Serbi dhe ato mund të shënojnë fundin e pushtetit të Vuçiqit.

“Ndërkohë që duke qenë u përballur me krizën e brendshme, Vuçiq aktualisht po përballet edhe me krizën e jashtme. Dhe me shumë gjasë viti 2026 do të jetë vit i zgjedhjeve në Serbi. Zgjedhje që, siç paralajmëron ai, do të jenë udhëkryq, por me shumë gjasë Vuçiq në këto zgjedhje do të humbë pushtetin. Për të bile, sipas vlerësimit tim, do të jetë edhe më e vështirë nëse arrin t’i fitojë zgjedhjet me manipulimet e zakonshme që i ka bërë deri më tani dhe kjo do të na sjellë në një situatë ku askush, as opozita, as Lëvizja Studentore, as segmentet e tjera të shoqërisë nuk do t’ia njohin ato zgjedhje. Ky është një hap që Serbinë do ta futë në një krizë edhe më të thellë. Nuk mund të themi se do të ketë një stabilitet as në vitin 2026 dhe kjo natyrisht flet qartë se Serbia nuk do të ketë edhe kohë, edhe mundësi të merret me procesin e integrimeve”, ka thënë ai.

Sipas Kamberit, Vuçiqi e ka futur Serbinë në një krizë të thellë politike e cila është më e rënda që prej vitit 2003 kur është vrarë kryeministri i atëhershëm serb, Zoran Gjingjiq.

Gjithashtu ai ka thënë se edhe në raport me politikën e jashtme, Vuçiqi ka pësuar degradim total.

“Shumëkush ka pritur që me një vit protestash, pushteti i Aleksandar Vuçiqit do të bjerë. Por, thjesht ai po mbahet, po mbijeton. Po mbijeton me një frymëmarrje artificiale, me atë që e ka futur Serbinë në një krizë ndër më të thellat politike prej vitit 2003 kur është vrarë kryeministri i atëhershëm. Është bërë një delegjitimim total i pushtetit të Vuçiqit, se këto që po ndodhin ditëve të fundit po dëshmojnë që politika e jashtme e Vuçiqit, e balancimit, e ekuilibrimit, e bazuar në katër shtylla, në Kinë, në Moskë, në Uashington e Bruksel, po pëson degradim total, sepse tashmë mund të thuhet shumë konkret pas aprovimit të Raportit të Progresit për Serbinë për vitin 2025, Bashkimi Evropian ka dhënë vërejtjet më seriozet deri më tani, në raport me ngecjen e Serbisë. Se ligji që aprovuan së fundmi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që ka nënshkruar presidenti Trump flet qartë për ngecjet në demokraci në Serbi. Dhe Serbia etiketohet si i vetmi vend në Ballkan me emër që ka ngecje të demokracisë”, ka deklaruar Kamberi.

Kamberi ka kërkuar nga Qeveria e ardhshme e Kosovës që të shpallë Luginën e Preshevës çështje me rëndësi kombëtare.

Gjatë vitit të kaluar, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë thotë se ka bërë disa propozime për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Ai ka përmendur kërkesën që Presheva e Bujanoci të kenë një prokurori, sepse aktualisht është në Vranjë, por gjithashtu edhe Gjykatën e Apelit. Të gjitha këto, ai thotë se nuk janë përfillur nga institucionet në Serbi.

“Parlamenti për vite me radhë, sidomos në këta pesë vjetët e fundit është një ambient toksik. Një ambient në të cilin shumicën absolute e kanë, e ka Vuçiqi me partitë e tij satelite, duke mos përjashtuar SPS-in dhe disa parti të vogla të tjera, ka arritur t'i bindë edhe disa pakica siç janë hungarezët dhe një pjesë e boshnjakëve që ta mbajnë në anën e tij. Dhe në kuadër të asaj mundësie, bashkë me deputetët e SDA-së ose vetë si deputet kam nisur disa iniciativa që janë të rëndësishme, por që mjerisht nuk po hasin në mirëkuptim në Beogradin zyrtar. Në radhë të parë, jo vetëm për t'iu krijuar shqiptarëve hapësirë më të mirë të veprimit, të drejta, por edhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Por duket se Serbia nuk është akoma e gatshme të marrë hapat gjigantë drejt anëtarësimit në BE, sepse ajo vetë po i prolongon”, është shprehur ai.

Ai ka paralajmëruar se për shkak të mosrekrutimit të shqiptarëve në polici që nga viti 2016, Lugina e Preshevës rrezikon të mbetet pa policë shqiptarë në dekadën e ardhshme.

“Ne kemi një situatë ku Kosova si shteti më i ri, si demokracia më e re në Ballkanin Perëndimor për pakicat atje ofron standarde që nuk i ka asnjë shtet, jo vetëm i Ballkanit, por mund të them lirisht edhe shumë shtete në Evropë nuk i kanë këto standarde. Ndërkohë që duke kërkuar për serbët diçka që nuk është e gatshme t’ua japë pakicave brenda territorit të vet, Serbia luan sa i përket sferës së të drejtave të pakicave, me standarde të dyfishta dhe kjo duhet të ndërpritet. Ne nuk mund të pajtohemi me Beogradin, vetëm të financojë ndonjë projekt infrastrukturor, ndërkohë që të heshtim sa i përket përfaqësimit tonë në gjykatë, në polici, sepse ne e dimë çfarë solli situata kur në Polici kishte pak ose aspak shqiptarë. Me trendin aktual, duke marrë parasysh që Ministria e Punëve të Brendshme nuk rekruton shqiptarë në policinë lokale prej vitit 2016, ne për dhjetë vjetët e ardhshëm do të mbesim pa policë shqiptarë këtu. Dhe kjo na kthen me automatizëm në situatën 1999-2000, ku nuk kishte policë shqiptarë”, ka deklaruar Kamberi.

Në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë gjatë vitit 2024 janë organizuar tri protesta gjithëpopullore me thirrjet “Kthema adresën” dhe kundër veprimeve diskriminuese të autoriteteve të Serbisë ndaj shqiptarëve. Autoritetet serbe kanë pasivizuar me mijëra adresa të shqiptarëve në Luginë.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, mbi 60 mijë shqiptarë jetojnë në Serbi./Ksp