Gjykata e Apelit ka shqyrtuar të hënën ankesën e mbrojtjes së Millosh Pleskoviqit, i dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullsisë civile në Prizren. Avokatja e tij ka kërkuar lirimin me pretendimin se në aktgjykimin e shkallës së parë ka shkelje procedurale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, ndërsa Prokuroria Speciale ka propozuar që aktgjykimi i Themelores të mbetet në fuqi
Mbrojtja e Milosh Pleskoviqit, i dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte në Prizren, ka kërkuar të hënën në Gjykatën e Apelit, lirimin e tij.
Në seancë është shqyrtuar ankesa e mbrojtjes ndaj aktgjykimit dënues të shkallës së parë, i marrë më 31 korrik të vitit që shkoi, me pretendimin se në vendim ka shkelje thelbësore të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, si dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.
Avokatja Jovana Filipoviq është shprehur se në shtator të vitit 1998, kur dyshohet se Pleskoviq në bashkëkryerje ka vrarë 3 civilë shqiptarë në Prizren, ndodhej në burg.
“Milloshi atëherë i ka pasur 19 vjet, në momentin kur ka ndodhur kjo ka qenë në mbajtje të dënimit. Ai nuk ishte anëtar i ushtrisë apo policisë. Ai e vizitonte rregullisht Prizrenin edhe pas asaj ngjarjeje. Ka qenë aktiv në llogarinë e tij në Facebook deri më tani, dhe do të shihni komente nga shumë shqiptarë nga Prizreni”, ka thënë Filipoviq.
Gjyqtarja referuese Albina Shabani-Rama ka thënë se përgjigje në ankesën e mbrojtjes kanë parashtruar Prokuroria Speciale dhe ajo e Apelit, duke propozuar që vendimi i Themelores të vërtetohet.
E Mihrije Daçaj, së cilës i janë vrarë djemtë binjakë, ka theksuar se burgimi prej 15 vjetësh nuk i përgjigjet peshës së krimit të kryer nga Pleskoviqi.
“Në burg përjetë se m’i ka vrarë dy djemtë, përjetë. M’i ka dërrmuar djemtë, s’kam pasur çka të shti në tokë”, ka thënë ajo.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e ngritur më 7 qershor 2024, Millosh Pleskoviq mbahet përgjegjës për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Ai akuzohet se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer vrasjen e tre personave, përfshirë dy djemtë e Mihrije Daçajt.
Në aktakuzë thuhet se familjarëve u ishte lejuar t’i merrnin trupat një javë pas vrasjes dhe se dy prej viktimave ishin vendosur njëri mbi tjetrin. Po ashtu në aktakuzë thuhet se njërit prej viktimave i është prerë koka e tjetrit këmba.