Më pak se një orë para raportimit për situatën në lidhje me buxhetin për organizimin e zgjedhjeve lokale, është anuluar mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në KQZ nuk kanë dhënë hollësi për anulimin teksa njëri prej anëtarëve të Komisionit ka thënë se ajo është shtyrë për shkak se Sekretariati ende nuk ka marrë përgjigje nga Qeveria për buxhetin shtesë. E ky veprim, sipas anëtarit të PDK-së në KQZ, ndikon në cenimin e organizimit të procesit
Mungesa e përgjigjes nga Qeveria për aprovim apo jo të buxhetit shtesë prej 6.5 milionë eurosh për organizimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, ka çuar të mërkurën në anulimin e mbledhjes së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).
Pak para nisjes së saj, në KQZ kanë njoftuar se mbledhja është shtyrë për një kohë të pacaktuar, pa ofruar hollësi të tjera.
Në këtë mbledhje, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, është dashur që të raportojë, mes tjerash, edhe për situatën e krijuar shkaku i mosmiratimit të buxhetit shtesë.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Ilir Gashi, ka theksuar se Buzhala ka planifikuar që ta prezantojë planin për rishpërndarjen e mjeteve ekzistuese buxhetore.
“Mbledhja e sotme e KQZ-së, në të cilën pritej që të adresohej ky shqetësim, është shtyrë vetëm dy orë para se të mbahej, për shkak të mungesës së përgjigjes nga Qeveria. Kjo tregon qartë se organizimi i zgjedhjeve po cenohet me dijeni të plotë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa përgjegjësia po tentohet të bjerë padrejtësisht mbi KQZ-në”, ka theksuar ai.
Gashi ka thënë po ashtu se me shpërfilljen e kërkesës për buxhet shtesë është duke u rrezikuar organizimi i zgjedhjeve si dhe besimi publik në procesin e ardhshëm elektoral.
KOHA të hënën ka raportuar se pas mbledhjes, në të cilën është kërkuar raportimi, Sekretariati i KQZ-së ka autorizuar realizimin e veprimeve me prioritet, në mungesë të aprovimit të buxhetit të kërkuar.
Në njoftimin, të cilin ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit ua ka përcjellë kryetarit dhe anëtarëve të KQZ-së, është konfirmuar se buxheti që Komisioni e ka në dispozicion është i pamjaftueshëm për zhvillimin e disa aktiviteteve zgjedhore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar që organizimi i zgjedhjeve lokale më 12 tetor të kushtojë rreth 16 milionë euro, prej të cilave 9.6 milionë i ka në dispozicion nga buxheti i ndarë për këtë vit.