Ka përfunduar dëshminë ekspertja e propozuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, në procesin gjyqësor për akuzat kundër administrimit të drejtësisë. Helen Fraser ka deklaruar se transkriptimi me ChatGPT nuk ka qenë thelbësor për të arritur deri te raporti i saj, ndonëse të kundërtën e theksoi një ditë më parë. Ajo u arsyetua për deklaratat, duke thënë se u ndie nën presion nga pyetjet e prokurorisë
Një ditë pasi ekspertja e forenzikës linguistike, Helen Fraser, deklaroi në Gjykatën Speciale se inteligjenca artificiale kishte rol thelbësor në raportin e saj për audioincizimet që përdoren si prova, ajo të martën theksoi se transkriptimi me ChatGPT nuk ka qenë baza kryesore e analizës së saj.
Në rastin ku Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, ekspertja australiane tha se deklarata e një dite më parë u bë pasi u ndie nën presion nga pyetjet e prokurorisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“A po thoni tani që dje nuk thatë që rezultatet e inteligjencës artificiale nuk kanë qenë kryesore ose thelbësore për vlerësimin?”, e pyeti prokurori Joshua Hafetz.
“Jo, ky është term që e përdorët ju dhe më shtruar presion për ta pranuar”, u përgjigj Fraser.
Pas kësaj përgjigjeje, prokurori e pyeti: “A po thoni që gënjyet dje?”.
Këtë e mohoi Fraser.
“Jo nuk po them që gënjeva… Kjo ka qenë pjesë e shumë pyetjeve të bëra prej jush kur unë kam bërë komentim për formulimin tuaj dhe më keni kërkuar që të përgjigjem me po ose me jo. Por ndonjëherë është e vështirë t’i përgjigjesh pyetjeve me po ose me jo dhe unë i kam rënë shkurt dhe jam përgjigjur me po ose me jo”, ka thënë ajo.
Prokurori vazhdoi të insistojë në pyetjet për rolin e inteligjencës artificiale në raportin e saj.
“A do të thotë kjo që nuk keni dhënë përgjigje të sakta dhe të vërteta?”, ka pyetur prokurori.
“Jo, janë të vërteta”, është përgjigjur dëshmitarja.
Pasi prokuroria u kthye disa herë te përdorimi i ChatGPT 5 për transkriptimin e incizimeve të Thaçit, gjyqtari Christopher Gosnell ndërhyri duke kërkuar që pyetjet të kalonin në temë tjetër.
“Gjykata është e aftë të kuptojë argumentet tuaja, mungesën e konsistencës, kështu që nuk jam i sigurt që shpjegimet e mëtejshme nga dëshmitarja do të na ndihmonin, kështu që thjesht doja t’iu udhëzoja lidhur me këtë. Është e qartë ku doni të dilni”, ka thënë gjyqtari Gosnell.
Gjatë seancës, prokurori Joshua Hafetz tha se ekspertja kishte analizuar vetëm 8 nga 348 audioincizimet e pranuara si prova materiale në këtë rast, gjë që Fraser nuk e kundërshtoi.
“Pra përveç nëse ka edhe dosje të tjera audio që keni marrë dhe i keni dëgjuar dhe s’i keni shënuar në raportin tuaj, atëherë i bie që nuk di asgjë lidhur me 97 përqindëshin e mbetur të dosjeve audio në këtë çështje gjyqësore. A mund ta themi këtë?”, ka pyetur prokurori Hafetz.
“Po”, ka konfirmuar dëshmitarja Fraser.
Në ditën e parë të dëshmisë, Fraser ka deklaruar se transkriptet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk mund të konsiderohen mjaftueshëm të sakta për proces gjyqësor, duke theksuar se materialet që nuk dëgjohen ose kuptohen qartë duhet të analizohen nga persona me aftësi specifike për deshifrimin e tyre.