Legjislatura e re nuk është konstituuar as në tentativën e njëzetë. Taborët politikë kanë mbajtur qëndrimet e vjetra edhe në takimin që të premten ka zgjatur pak minuta. E jashtë sallës së Kuvendit deputetja, Duda Balje, ka thënë se në këmbim të votës për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare është joshur me gradë profesori universitar në Maqedoni të Veriut
Kuvendi ka regjistruar të premten edhe dështimin e 20-të për ta konstituuar përbërjen e re. Në këtë vazhdim të seancës së nisur 39 ditë më parë, ka munguar kuorumi për formimin e Komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.
Partia Demokratike (PDK), Lidhja Demokratike (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë përfaqësues për Komisionin që do ta siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
E pas kësaj, seanca e ndërprerë është vendosur që të vazhdojë më 25 maj, nga ora 11:00.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, se po e mban peng funksionalizimin e legjislativit.
“Ne jemi të gatshëm në çdo moment që të hapim rrugë. Kemi ofruar alternativat tona mirëpo Kosova po mbahet peng e kryeneçësisë së Albin Kurtit. Bëjmë thirrje për reflektim që të ecim tutje”, ka thënë Çitaku.
Vetëvendosja ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, porse në gjashtë tentativa nuk i ka siguruar votat e nevojshme. Kjo parti nuk ka hequr dorë nga propozimi dhe ka shprehur qëndrimin se votat do të sigurohen, nëpërmjet votimit të fshehtë.
Krahas PDK-së, në të cilën kanë shprehur qëndrim për të votuar pro një kandidati tjetër të Vetëvendosjes, edhe në AAK të premten e kanë zgjeruar listën e emrave potencialë për votim.
“Kemi përmend dy zonjat, Bogujevcin dhe Selimin, por mundemi të votojmë edhe zotëri Konjufcën, ish-kryetarin, nëse propozohet”, është shprehur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Deputetja Donika Gërvalla, në emër të subjektit politik fitues, fajin për bllokadën e ka hedhur tek subjektet që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë. E, tek ka folur për kërkesën e Nismës Socialdemokrate që ta marrë pozitën e kryeparlamentarit, Gërvalla ka thënë se partia e saj Guxo është e të njëjtit mendim me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Një parti që ka tre deputetë në Kuvend nuk mund të kërkojë pozicionin e dytë në shtet. Zgjidhjet dhe marrëveshjet duhet të jenë parimore. Nëse Limaj është i gatshëm për një bashkëpunim parimor në kuadër të institucioneve, atëherë ne jemi treguar të gatshëm për bashkëpunim”, ka deklaruar Gërvalla.
Por ka pasur deputetë të cilët kanë thënë se në negociata koalicioni nuk ka parime.
Deputetja boshnjake, Duda Balje, ka theksuar se në këmbim të votës pro kryeparlamentarit të propozuar nga LVV-ja asaj i është ofruar mundësi punësimi si profesoreshë në një universitet në Maqedoni të Veriut.
“Pata disa thirrje nga persona që nuk janë direkt të politikës, por të shoqërisë. Para disa vitesh kam aplikuar për vendin e profesoreshës në Maqedoni, sepse e kam shtetësinë dhe kam plotësuar kushtet, por ka qenë para sa vitesh dhe më nuk kam aplikuar. Tash kanë thënë se ka mundësi për të biseduar për vendin e punës nëse..”, ka thënë ajo.
Dy ditë më parë, kryetari i AAK-së ka deklaruar se Kurti e ka angazhuar koalicionin VLEN të Maqedonisë së Veriut për ta siguruar edhe votën e deputetit goran, Adem Hoxha. E deputetja Gërvalla ka theksuar se nuk është në dijeni për këto zhvillime.
“Unë nuk di për pazare të kësaj natyre. E di që ka pasur biseda të vazhdueshme për t’i vetëdijesuar që duhet të marrin pjesë në votim për kryetarin e Kuvendit”, është shprehur ajo.
Është e dymbëdhjeta herë që seanca konstituive e Kuvendit është ndërprerë në pikën që ka të bëjë me propozimin për kalimin nga votimi i hapur në atë të fshehtë, çështje kjo që është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga ana e AAK-së.
Të enjten, në Kushtetuese kanë thënë për KOHËN se kërkesa e AAK-së është proceduar dhe se do të shqyrtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Paralajmërimin për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese e pati bërë edhe presidentja Vjosa Osmani, pas takimit pa rezultat që ajo e ka mbajtur një javë më parë me liderë të partive politike. Por, as një javë pas kësaj dhe teksa 20 vazhdime të seancës konstituive janë përmbyllur me dështime, në Presidencë nuk kanë ofruar përgjigje në pyetjet e KOHËS se edhe sa do të pritet për t’iu drejtuar gjykatës lidhur me ngërçin në Kuvend.