As aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Për herë të 39-të deputetet kanë dështuar për ta gjetur konsensusin për konstituimin e Kuvendit. Taborët politikë i kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit duke thënë se po shkelet Kushtetuta.
Deputetët kanë dështuar edhe në herën e 39-të ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pasi nuk kanë arritur të pajtohen rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë.
Protestë në Kuvend, duke i goditur tavolinat, kanë bërë deputetët e LDK-së, gjatë votimit të 39-të të dështuar për konstituimin e Kuvendit.
Deputetet e partive nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk janë pajtuar me vazhdimin e njëjtët të seancës që e ndoqi kryesuesi Dehari, edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses.
VLORA ÇITAKU – DEPUTETE, NËNKRYETARE E PDK-së
"Sot me vetëdije të plotë, kryesuesi po abuzon dhe po e shkelin Kushtetutën, kjo sjellje është e papranueshme. Ju lutem, kthejuni rendit të ditës të dakorduar për seancën konstituive. Kjo është shkelje. Është abuzim", u shpreh Vlora Çitaku e PDK-së.
"Sigurimi, regjia ju lutem ta ndërpresë...", i reagoi Avni Dehari, udhëheqës i seancës.
"I nderuar z. Dehari, kthehu në rendin e ditës për të cilin kryetari Konjufca është pajtuar..." , tha deputetja Hykmete Bajrami e LDK-së.
"Abuzues dhe shkelës të Kushtetutës, marre për ju, turp!", shtoi Time Kadrijaj e AAK-së.
E, pas refuzimit për të marrë pjesë në votimin e komisionit, konstituimi sërish dështoi, pasi pro tij votuan vetëm 53 deputetë.
Deputeti dhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, akuzoi partitë ish-opozitare për bllokim, duke thënë se ata tashmë i kanë dhënë disa alternativa.
“Nga Gjykata Kushtetuese u vlerësua që është në përputhje të plotë me Kushtetutën votimi i fshehtë. Deputetët e opozitës janë të vetmit që e shkelën Kushtetutën, duke mos marrë pjesë në votim. Ne tashmë kemi dëgjuar se ata pretendojnë që përmes juristëve të japin interpretime mbi interpretimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar ai.
E deputetët e ish-opozitës e akuzuan partinë fitues për bllokim të Kuvendit.
“Në një formë ose tjetër jam i bindur që ne do të përfundojmë në Gjykatë Kushtetuese përsëri, sepse nëse deri më datën 26 korrik nuk përmbushet obligimi që na e ka dhënë aktgjykimi i Gjykatës, për ta konstituuar Kuvendin, atëherë përgjigje konkrete në këtë aktgjykim nuk ka, atëherë duhet me marrë përgjigje të reja dhe t’i japim vendit zgjidhje, por shpresa ime ka qenë vërtet, që sidomos pas konsultës së pardjeshme kur nuk u mbajt seanca, që ata do t’i thërrisnin mendjes së shëndoshë se do të reflektojnë dhe do të tërhiqen nga bllokada”, ka shtuar deputeti Memli Krasniqi i PDK-së.
“Kush nuk po di që të bëjë politikë është Vetëvendosja. Janë duke treguar që mënyrën e funksionimit e kanë të një analfabetizmi politik. Nuk i dinë parimet bazike të demokracisë, sepse në politikë duhet të bësh kompromise, të jesh i gatshëm të bashkëpunosh e të dialogosh, “to deliberate”, me dialogu për aq gjatë – deri sa të dalësh në rezultate – këto ABC-ja duhet t’i marrë Vetëvendosja. Ata nuk po e gjejnë as fuqinë, as nuk e kanë dijen. Injoranca e tyre është parë edhe në takimin e djeshëm, kështu që ne vërtet jemi fatkeq që jemi momentalisht në këtë situatë ku këta kanë një shumicë kaq të madhe, por janë duke treguar që janë edhe bllokues të vërtetë”, ka deklaruar Jehona Lushaku e LDK-së.
"Është situatë e vështirë, shihet se Kurti dhe kolegët e tij e kanë ndarë mendjen me e vështirësu jetën e Kosovës, që ta bëjnë edhe më keq. Pra, ua ka dhënë mundësinë gjykata të kthehen në votim të hapur, ata nuk e respektojnë këtë. Është një situatë e rëndë...është vështirë me këtë njeri", u shpreh Ramush Haradinaj i AAK-së.
Kuvendi i Kosovës vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar, pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit, nga të hapur në të fshehtë.
Përfaqësuesit e partive politike pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli aktvendimin që i detyron deputetët ta finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik, janë mbledhur të shtunën dhe kanë diskutuar mbi dy orë, por pa e arritur ndonjë marrëveshje.
Seanca e radhës e Kuvendit është shtyrë për të martën në orën 11:00.