LAJMET E MBRËMJES

Bllokohen për dy orë hyrjet në Prishtinë, paralajmërohet radikalizim nëse ZRRE-ja s’tërhiqet

Një pjesë e hyrjeve kryesore për në Prishtinë janë bllokuar të enjten për dy orë si pjesë e protestës së përfaqësuesve të bizneseve kundër vendimit që i obligon një numër syresh që të dalin në treg të hapur për furnizim me energji. Përfaqësues të bizneseve kanë ftuar ZRRE-në të reflektojë për kërkesën për shtyrjen e vendimit teksa në të kundërtën kanë paralajmëruar për radikalizim të veprimeve. E protesta ka nxitur edhe përplasje mes përfaqësuesve të Qeverisë në detyrë dhe atyre të partive që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë

Fiks nga ora 10:00 e deri në orën 12:00 është mbajtur e bllokuar të enjten një pjesë e hyrjeve kryesore për në Prishtinë, në kuadër të protestës së përfaqësuesve të bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për liberalizim të tregut të energjisë elektrike.

Protesta dyorëshe është thirrur nga Oda Ekonomike (EOK) në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të ZRRE-së, që do të hyjë në fuqi më 1 qershor dhe që parasheh që bizneset me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro të dalin në treg të hapur të energjisë.

Ani se paralajmërimi ka qenë se rrugët hyrëse për në Prishtinë nga Veterniku, Fushë-Kosova dhe Podujeva do të bllokohen në tërësi, përfaqësues të bizneseve i kanë vendosur automjetet vetëm në dy korsi teksa të tjerat janë mbajtur të lira për qarkullim.

E gjatë protestës, përfaqësues të bizneseve kanë shprehur vërejtjen se me vendimin e ZRRE-së kompanitë e mëdha do të paguajnë çmim trefish më të shtrenjtë për energji elektrike.

“Unë edhe në takimet e mëhershme kam thënë se cili prodhues mund të konkurrojë me 300 për qind të energjisë në treg me prodhuesit regjional që na rrethojnë neve. Kjo është diçka e pamundur. Unë kërkoj jo vetëm nga prodhuesit, por të gjitha institucionet, edhe qytetarët e edhe të gjithë, të jenë me prodhuesin, sepse është momentum i fundit, ku mund të na ndihmojë neve si prodhues”, ka thënë Berat Mustafa, i cili është pronar i një biznesi.

E kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka thënë gjatë protestës se bizneset po detyrohen të dalin në tregun e lirë dhe se ato do të përballen me një çmim të ri të rrymës, “220 deri në 270 për qind më të lartë”.

Ai ka kërkuar reflektim nga institucionet lidhur me kërkesën për shtyrje të vendimit për një vit, teksa ka kërcënuar me hapa edhe më radikalë.

“Kërkesa jonë mbetet që institucionet e vendit të reflektojnë, t’ia mundësojnë biznesit një fazë të tranzicionit, as më shumë as më pak se sa e kanë pasur bizneset në vendet e rajonit dhe më gjerë. Kërkojmë që të reflektojnë. Në qoftë se nuk do të ketë reflektim, protestat do të shkojnë duke u radikalizuar. Arsyeja ka qenë për shkak të ushtrimeve ‘Defender’, që janë duke u zhvilluar në Kosovë. Kjo është vetëm dita e parë e protestës, nuk nënkupton kjo që në të ardhmen nuk do të bllokohet”, ka thënë ai.

Vendimin e bizneseve për bllokimin e rrugëve nuk e kanë parë si gjë të duhur disa qytetarë të Prishtinës.

“Nuk është vendim i duhur se veturat po kalojnë, se e kam lexuar që ka me qenë e bllokuar totalisht, por nuk është”, ka thënë qytetari Zeqir Hasanxhekaj.

Protesta e së enjtes ka nxitur përplasje mes përfaqësuesve të qeverisë në detyrë dhe atyre të partive që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se koha e barrikadave ka kaluar dhe është zotuar se nuk do të lejohet vendosja e sërishme e barrikadave.

“Oda Ekonomike, që duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me kërkesën për shtyrje. Nuk mund të mbrojmë 1 për qind të bizneseve në kurriz të 99 për qind. Koha e barrikadave ka kaluar. I kemi hequr kudo ku kanë qenë dhe nuk do të lejojmë të vendosen të reja. U bëjmë thirrje bizneseve të mendojnë në mënyrë të mençur dhe ne do t’i mbështesim”, ka thënë ai.

E kundër këtij deklarimi është pozicionuar kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, i cili ka thënë se Qeveria po tenton që t’i shkatërrojë bizneset.

“Është e turpshme që kryeministri në detyrë i krahason punëtorët e Kosovës, bizneset me grupet dhe bandat kriminale në veriun e vendit, që në të kaluarën kanë bërë barrikada. Është e turpshme, e papranueshme dhe nuk do të duhej të ndodhte. Sot po flasim jo për 1%, siç e ka quajtur kryeministri, por për mbi 50% të punësuarve në sektorin privat”, ka thënë Krasniqi.

E deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami, ka theksuar se kryeministri në vend që të ofrojë zgjidhje për shqetësimet e bizneseve, ai ka zgjedhur që të përballet me to.

“Beteja e Kurtit nuk është të ndërtojë, por të shkatërrojë. Është turp që protestat e bizneseve, punëdhënësve më të mëdhenj të vendit, krahasohen me barrikada. Ndërkohë që Kurti nuk e thotë asnjë fjalë për koston prej 800 eurosh për transportin e 1 megavatit, energji që e bën kompania e Vuk Hamoviqit, për të cilën ai dikur na ligjëronte kur ishte në opozitë”, është shprehur ajo.

Ndërkaq ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka kualifikuar luftë politike reagimin e OEK-së dhe të disa bizneseve ndaj liberalizimit të tregut të energjisë. Në një konferencë për media, Rizvanolli ka thënë se protesta e së enjtes është ftuar, ndonëse përfaqësuesit e OEK-ut dhe të bizneseve kanë marrë zotim nga kryeministri në detyrë se do t’u dalë në ndihmë të gjithë atyre që preken nga ndryshimi.

“Menjëherë pas takimit të djeshëm dhe pas zotimit të kryeministrit që Qeveria do t`u qëndrojë pranë bizneseve në media e pamë që përfaqësues të Odës Ekonomike paralajmëruan bllokim të rrugëve magjistrale të Prishtinës. Si është e mundur që dikush që kërkon tranzicion dhe kohë nga ana e institucioneve, të vetmin opsion pa paralajmërim e ka bllokimin e rrugëve paradite e sabotimin e përpjekjeve të sinqerta të institucioneve për ndihmë të bizneseve pas dite”, ka thënë ajo.

Sipas Rizvanollit, kërkesa e OEK-së për shtyrjen e hyrjes në fuqi të vendimit edhe për një vit nuk është zgjidhje.

“Oda Ekonomike që sot tentoi t’i bllokonte rrugët po thotë shtyjeni procesin dhe ne do të përgatitemi për një vit. Asnjë hap nuk janë në gjendje ta thonë që e kanë bërë për t’i përgatitur bizneset për liberalizim të tregut për tetë vjet që është shtyrë. E vetmja zgjidhje e tyre është shtyrja. Por a e dini çka nuk po ju tregojnë? Ajo zgjidhja e tyre nuk është zgjidhje. Çka po thonë ata është: mbani këto biznese më të mëdha, më të fuqishmet në treg të rregulluar. A e kuptoni çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë që këto të hyjnë në tarifa për të gjithë ne, që të ketë rishikim tarifor, që të na rriten tarifat të gjithë familjeve, të gjithë 99 për qind të tjera bizneseve”, ka deklaruar ajo.

Rizvanolli ka thënë se posedon informacione për presion ndaj bizneseve “për të mos marrë pjesë në takime, për të mos nënshkruar me furnizues dhe për të dalë në protesta”.

“Megjithatë ne kemi parasysh që ata që janë destruktiv dhe bllokues janë shumë pak, por janë të zëshëm. I falënderoj Odat dhe bizneset që i janë qasur këtij procesi me konstruktivitet dhe kanë kontribuar në informim dhe përgatitje të bizneseve. Ne kemi parasysh që shumica e bizneseve që po dalin në treg janë të interesuar për informata e ndihmë praktike që ju ndihmon atyre dhe do të vazhdojmë..... Nuk do të lejojmë që ata të bien pre e një procesi që është shndërruar në luftë politike nga ana e Odës Ekonomike dhe disa të tjerëve me qëllim për të krijuar ndjenjën e defetizmit e defitimit te qytetarët”, ka thënë ajo.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë ka theksuar se deri më tash, krahas KESCO-s dhe KEK-ut, aktive janë edhe gjashtë kompani të tjera furnizuese, prej të cilave pesë veçse i kanë ndarë ofertat me disa biznese. “KESCO e blen energjinë nga KEK-u për konsumatorët që janë në treg të rregulluar. KEK-u tepricat i shet në treg për të gjithë. Dhe të gjithë furnizuesit, tregtarët kanë qasje në këtë energjinë shtesë. Në fakt pikërisht duke dalë kompanitë në treg lirohen disa prej këtyre kapaciteteve të KEK-ut që duhet t`i jepen KESCO-s, ato shiten në treg ku të gjithë kanë qasje në to dhe pikërisht në këtë mënyrë rritet konkurrenca në treg”, ka thënë ajo teksa ka paralajmëruar se do të dizajnohen skema përkrahëse për efiçiencë të energjisë dhe se ato t’i adresojnë nevojat dhe kërkesat e bizneseve.

Në vitin 2016, kur ka qeverisur PDK-ja në koalicion me LDK-në, është miratuar ligji sipas të cilit të drejtën e furnizimit si shërbim universal e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë që kanë qarkullim vjetor jo më shumë se 10 milionë euro, ose jo më shumë se pesëdhjetë punonjës. E, muaj më parë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë vendosi që nga 1 qershori të dalin në treg të hapur bizneset që tejkalojnë njërin nga këta dy kufij. Sipas të dhënave të Administratës Tatimor (ATK), 748 biznese në Kosovë kanë më shumë se 50 punëtorë, ndërsa 318 kanë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.

Aktualisht, në treg janë të licencuara 21 kompani furnizuese me energji, ndërsa një tjetër është në proces licencimi. Shumica prej tyre janë nga Kosova, por ka edhe nga rajoni. Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, që aktualisht furnizon shumicën e konsumatorëve familjarë dhe industrialë, është një prej tyre.

Nëse një kompani nuk arrin të gjejë furnizues, ajo kalon automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit – aktualisht Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila është zgjedhur përmes një tenderi të hapur nga ZRRE-ja. Në ZRRE kanë thënë se nga 1 qershori bizneset që nuk e kanë zgjedhur kompaninë tregtare- automatikisht dalin në këtë furnizues. Ky furnizim nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe çmimet janë më të larta sesa çmimi mesatar i tregut. Nëse pas kësaj periudhe nuk lidhet kontratë me ndonjë kompani tregtare, biznesi rrezikon që të mbetet pa furnizim me energji elektrike. Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian (BE) ka filluar në fund të viteve ‘90 me qëllim të rritjes së konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.