LAJMET E MBRËMJES

Bllokada në Kuvend futet në muajin e dytë

As vazhdimi i së enjtes i seancës së nisur më 15 prill nuk ka prodhuar rezultat. PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-Nisma nuk propozuan kandidatë për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë siç ka kërkuar Vetëvendosje. Pa votat e tyre nuk është bërë as kuorumi i nevojshëm. Pas ndërprerjes së seancës, partitë deri dje në pushtet e opozitë kanë akuzuar sërish njëra-tjetrën për ngërçin e krijuar

Më pak se 3 minuta ka zgjatur vazhdimi i 16-të i seancës konstituive që ka nisur fiks një muaj më parë. Para se të vazhdonte seanca të enjten, administrata u vendosi në tavolinë të gjithë deputetëve nga një shkresë me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e AAK-së të deponuar në fillim të kësaj jave. 

Me këto letra u kërkohej ligjvënësve që më së largu deri më 19 maj, t’i dërgojnë në Kushtetuese komentet e tyre lidhur me kërkesën e AAK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për mosvotimin e Komisionit për votim të fshehtë. 

Pas pak, seanca nisi por dështoi pikërisht në pikë-propozimin për ta formuar Komisionin për zhvillimin e votimit të fshehtë. 

Sërish, PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-Nisma nuk propozuan kandidatë për anëtarë të këtij Komisioni. Pa votat e tyre as nuk u bë kuorumi i nevojshëm që të miratohet apo kundërshtohet formimi i tij.

“55 deputetë kanë votuar për, 1 ka qenë kundër, abstenime nuk ka. Shihemi më 17 maj në orën 10:30”, u ka thënë deputetëve kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Ndonëse kjo është hera e 8 që seanca dështon në pikën e njëjtë, përfaqësues të koalicionit LVV-Guxo-Alternativa, thanë se vazhdimisht janë duke bërë përpjekje për zhbllokim. 

Sipas koalicionit fitues, nuk po dështon Albulena Haxhiu që të zgjidhet kryeparlamentare por po dështon mënyra e votimit të saj.

“Ne ende nuk kemi ardhur tek propozimi i emrit. Ajo që na duhet prej numri të konsiderueshëm të seancave, përpjekja jonë e vazhdueshme është që ne ta kemi një proces të votimit të fshehtë”, ka deklaruar deputeti i LVV-së, Faton Peci.

Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dështimin ia atribuoi kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurtit. Ai i bëri thirrje LVV-së që ta ndërrojë kandidaten për kryeparlamentare.

“Sot, 55 vota i ka marrë Albin Kurti, nuk i ka marrë Komisioni. Ata mund ta quajnë si të duan por këto janë votat për mandatin e Albin Kuritt. Andaj ne nuk kemi vota për të e as s’do të kemi. As për Albulena Haxhiun. Ky taktizim ta quaj butë, ka ndodhur thjeshtë për ta komplikuar situatën tutje”, ka thënë Krasniqi.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit siç po synon të bëjë Vetëvendosje, pa marrëveshje politike, mund të jetë strategji e saj.

“Kjo mund të shihet si interpretim i tillë që këta duan fillimisht ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe pastaj me këdo që bëjnë marrëveshje politike të ndajnë pjesën tjetër të pushtetit”, ka deklaruar ajo.

E dështimi i serishëm i seancës, sipas deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj është dëshmi se Vetëvendosje nuk dëshiron të dilet nga ngërçi i krijuar në Kuvend.

“Këta janë lidhur me një emër që nuk po kalon dhe nuk po merr më shumë se 55 vota dhe këta nuk po tentojnë as të ndryshojnë dhe as të provojnë se a ka ndodnjë kandidat tjetër që i plotëson kushtet që ndoshta ish votu edhe prej partive të tjera parlamentare”, ka thënë Kadrijaj.

Pas dështimit të seancës, përfaqësuesit politikë kanë thënë se presin që situatës t’i gjendet zgjidhje në takimin që pasoi me presidenten Vjosa Osmani, por as në të nuk pati zgjidhje.