Përfaqësues të bizneseve kanë paralajmëruar protesta nëse nuk anulohet vendimi për daljen në treg të hapur të energjisë, i bizneseve me mbi 50 punëtore ose 10 milionë euro qarkullim. Ata kanë kërkuar nga Qeveria që, nëse zbatimi i vendimit nuk shtyhet, të ketë subvencionim të kostos shtesë për bizneset e prekura. Për këtë çështje kanë polemizuar në distancë ministrja Rizvanolli e deputetja Bajrami
Subvencionim të kostos shtesë për bizneset që dalin në treg të hapur të energjisë kanë kërkuar përfaqësuesit e bizneseve, të martën. Në të kundërtën, ata kanë paralajmëruar se do të protestojnë kundër këtij vendimi.
Këto kërkesa u bënë të ditura në një takim që Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, Klubin e Biznesit dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës zhvilluan me bizneset që preken nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se bizneset nuk janë të përgatitura për daljen në treg të hapur.
“ZRRE-së vetëm po i duhet një zotim, nuk është se po i duhet që sot t’i ndahen 50 milionë, por po i duhet vetëm një zotim që gjatë muajve të ardhshëm do të subvencionojë shumën prej 50 milionëve. Ky kishte me qenë hapi i parë. Po besoj që është më transparente dhe mënyra më e mirë e mundshme që do t’i kishte shpëtuar bizneset”, ka thënë Rafuna.
E, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Skënder Krasniqi, ka paralajmëruar protesta në rast se nuk tërhiqet vendimi nga ana e ZRRE-së.
“Do të duhej të shikojmë edhe mënyra të tjera, edhe një protestë për javën e ardhme, si kundërshtim ndaj këtij vendimi”, theksoi Krasniqi.
Pas daljes në tregun e hapur të energjisë, përfaqësues të bizneseve kanë thënë se janë përballur me çmime deri në 200 për qind më të larta krahasuar me atë që e kanë paguar deri tash për energjinë.
Ata kanë thënë edhe të martën se nuk kanë pasur kohën e duhur për t’u përgatitur që të përballen me tregun e lirë të energjisë.
Drejtori i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi, theksoi se ky është vendim i rëndë, të cilit asnjë biznes nuk mund t’i mbijetojë.
“Pa dyshim është vendim i rëndë dhe e ka gjetur biznesin në një situatë të mbijetesës. Një rritje kaq e madhe e çmimit për një kohë kaq të shkurtër i vendos para një sfide, së cilës pothuajse asnjë biznes nuk mund t’i mbijetojë”, ka thënë Ibrahimi.
E Sadik Krasniqi, pronari i një kompanie, ka theksuar se përveç si informacion për kalim të bizneseve në treg të lirë energjetik, nuk kanë marrë paraprakisht asnjë informatë apo udhëzim.
“E vetmja informatë ka qenë emaili që e kemi marrë, se duhet të kaloni në tregun e lirë. Asnjë informatë tjetër nuk kemi, asnjë fletushkë nuk ka dalë, për të mësuar se cilat janë kompetencat, cilat janë obligimet e furnizuesit, cilat janë obligimet tona, cilat janë përparësitë tona”, është ankuar ai.
Anulimi i këtij vendimi dhe atij për shtrenjtim të rrymës është kërkuar edhe një ditë më parë nga LDK-ja, e cila ka dorëzuar në ZRRE një kërkesë me nënshkrimet e 30 deputetëve.
Pas takimit janë dhënë deklarata publike se në ZRRE u është thënë se vetëm Qeveria mund ta ndalë shtrenjtimin e rrymës, nëpërmjet subvencionimit prej 50 milionë eurosh. Kjo ka nxitur përplasje në distancë mes ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.
Fillimisht ZRRE-ja sqaroi se Qeveria nuk mund të ndërhyjë në vendimet e saj, porse mund të ulë ndikimin në tarifa përmes subvencionimit.
E më pas, ministrja Rizvanolli tha se nuk do të subvencionojë korporatat e fuqishme siç ka bërë LDK-ja gjatë pandemisë.
“Vendime për dhënie të ‘veç 50 milionë eurove’ të taksapaguesve për të subvencionuar konsumin e energjisë elektrike të 1%-shit të korporatave më të fuqishme që operojnë në Kosovë, NUK do të ketë me Qeverinë Kurti 2 as 3; dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, si gjithmonë, do t’u qëndrojë pranë prodhuesve vendorë që preken nga liberalizimi për të siguruar minimizim të ndikimit në konkurrueshmërinë e tyre e në çmimet për qytetarët”, shkroi Rizvanolli në një postim në Facebook.
“ZRRE, në vend se të merret me politika qeveritare, bën mirë të shfrytëzojë kohën të analizojë në mënyrë të detajuar shkaqet e rritjes aq të madhe të kostos së furnizimit me energji gjatë vitit të kaluar, përfshirë 10-fishimin e tarifave të transmisionit, dhe nëse këto kanë mundur të evitohen – siç u kam kërkuar edhe përmes komenteve, edhe gjatë takimit në procesin konsultativ. Kjo duhet të jetë tema e parë që Komisioni parlamentar i ardhshëm për Ekonomi do ta trajtojë”.
Rizvanollit i është kundërpërgjigjur deputetja Bajrami, duke e bërë përgjegjëse për rritje të çmimit të energjisë gjatë mandatit të fundit qeverisës.
“Në postim e paske pranuar se çmimi i transmisionit është rritë për 10-fish, e po mendon që përgjegjësia jote përfundon aty, kur përmes postimit në facebook i kërkoni përgjegjësi ZRRE-së për këtë. Jo e nderuar, sepse të gjithë e dimë kush ka zgjedhur anëtarët e Bordit të KOSTT-it e kush e ka emëruar mandej drejtorin e KOSTT-it, gjithashtu e dimë se me vota të kujt është zgjedhur Bordi i ZRRE-së”, shkroi Bajrami.
Në ZRRE kanë bërë të ditur se vendimet e saj mund të anulohen vetëm me vendim të Gjykatës. E kanë thënë këtë edhe pasi Avokati i Popullit ka kërkuar pezullimin edhe të vendimit për shtrenjtimin e energjisë, në masën 16.1 për qind.