Ka shkuar në 40 numri i seancave të dështuara të Kuvendit për konstituim të legjislaturës së nëntë. Dështimi i së martës është shënuar gati një javë prej kur Gjykata Kushtetuese i ka obliguar deputetët me aktgjykim që brenda 30 ditësh t’i japin zgjidhje konstituimit të Kuvendit. Seanca është shoqëruar me polemika mes kryesuesit, Avni Dehari, dhe përfaqësuesve të partive opozitare, të cilët në foltore nuk kanë propozuar emra për Komisionin për votim të fshehtë të kryeparlamentarit porse i kanë kërkuar atij që “të ndalojë me shkelje kushtetuese”
Për të dyzetën herë radhazi ka dështuar përpjekja e deputetëve për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit.
Me gjithë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka obliguar deputetët që brenda 30 ditësh të gjejnë zgjidhje për zgjedhjen e kryeparlamentarit, përfaqësues të partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë nuk i kanë ndryshuar qëndrimet.
Vazhdimi i së martës i seancës konstituive është përcjellë me polemika midis kryesuesit të seancës, Avni Dehari, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dhe përfaqësuesve të partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë.
Ata në foltoren e Kuvendit nuk kanë propozuar emra për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, porse i kanë kërkuar kryesuesit Dehari që ta respektojë aktgjykimin e Kushtetueses. Megjithëkëtë, atyre nuk u është lejuar që të flasin më gjatë, pasi që Dehari ka kërkuar që t’u ndalet mikrofoni.
Partia e Deharit, ka këmbëngulur se votimi i fshehtë është i lejuar edhe me aktgjykimin e Kushtetueses.
Të martën, përplasje ka pasur edhe kur deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka propozuar emrin e kryetarit të LVV-së dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për anëtar të komisionit për votim të fshehtë.
“Ne e kemi një emër për komision dhe për komision e propozojmë deputetin Albin Kurti”, ka theksuar ajo.
Në Partinë Demokratike (PDK), Lidhje Demokratike (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Nismën Socialdemokrate si dhe në Listën Serbe që nga 1 maji kanë refuzuar që të propozojnë anëtarë për Komisionin, i cili do të mbikëqyrte votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri. Në votim nuk kanë marrë pjesë as të martën. Në fund, për komisionin kanë votuar vetëm 51 deputetë.
E pas përfundimit të seancës, deputetët e opozitës së mandatit të kaluar e kanë kritikuar LVV-në për “mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Fatkeqësisht edhe sot, sërish me vetëdije të plotë, zoti Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje po e shkelin Kushtetutën. I bëjmë thirrje edhe njëherë Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë”, është shprehur deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Armend Zemaj, deputet i LDK-së, e ka akuzuar partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit për “injorancë”.
“E patë edhe sot ‘injorancën’ e shumicës së parlamentare të VV-së për të mos lejuar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për të mos krijuar mundësinë e votimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit. Kjo është shkelje në vazhdimësi”, ka thënë ai pas seancës të së martës.
Për mospjesëmarrjen e taborit tjetër politik në votim, deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se do t’i kërkohet një interpretim i ri Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk e kemi leximin e njëjtë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues. Gjithashtu, është e qartë që jo që ka sqaruar, por ka komplikuar rrethanat një interpretim i tillë, ndërsa i treti version ose …. synimi i tretë është më se e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale tashmë për mospjesëmarrjen në votim nga përfaqësuesit e partive opozitare”, ka theksuar ajo.
Pas aktgjykimit të Kushtetueses, Kurti ka ftuar në takim përfaqësuesit e partive politike. Por as pas më se dy orësh takim, ata nuk kanë arritur marrëveshje për të dalë nga ngërçi.
Kurti ka theksuar pas takimit të së shtunës se ka ofruar kompromise, porse përfaqësues të partive që mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë kanë thënë se takimi i ftuar nga ai ka qenë “farsë”, duke shtuar se udhëheqësi i partisë fituese të zgjedhjeve po insiston në pozicionet paraprake.
Për të ofruar zgjidhje të mundshme, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar të hënën se në ditët në vijim do të ftojë udhëheqësit partiakë për konsultime lidhur me konstituimin e Kuvendit. E deputetëve ajo u ka bërë thirrje që ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përfaqësues politikë të martën janë shprehur të gatshëm që të marrin pjesë në takimin të cilin presidentja Osmani e ka ftuar për të mërkurën.
Përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit do të mbahet të enjten. Në seancën konstituive, të nisur më 15 prill, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar deputeten Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit, porse ajo është refuzuar nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja.
Pas aktgjykimit të Kushtetueses, Haxhiu ka deklaruar se do të tërhiqet nga kandidatura po qe se në votimin e fshehtë nuk arrin që t’i marrë 61 votat e nevojshme.
Që Kuvendi të konsiderohet i konstituuar duhet që të zgjidhen kryetari dhe pesë nënkryetarët. Vetëm pas kësaj, nisin afatet për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.