Arbëri

Gërgi për Planin e Rritjes: Fatkeqësi ta shohim Kosovën si Bosnjën

Berat Gërgi, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, ka përsëritur se Kosova rrezikon të humbasë fondet nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për shkak të ngërçit politik dhe mungesës së funksionimit të Kuvendit.

“Është fatkeqësi ta shohim vendin tonë si Bosnjën, kur në fakt ne nuk i kemi asnjë nga pengesat e brendshme që i ka ajo”, deklaroi Gërgi në “Interaktiv”.

Ai kujtoi se Kosova ishte ndër të parat që dorëzoi Agjendën e Reformave, por tani është vetëm një nga dy vendet që nuk kanë përfituar nga financimet fillestare prej 7% të Planit, përfshirë Bosnjën.

Sipas tij, ndryshe nga Bosnja që nuk ka arritur as të adoptojë Agjendën për shkak të ndasive të brendshme, Kosova nuk vuan nga probleme teknike, por thjesht nga mungesa e vullnetit dhe koordinimit politik.

“Marrëveshjet nuk u negociuan me kohë, nuk u votuan në Kuvend para se të shkohej në fushatë, dhe tani jemi në një ngërç ku pa u konstituar Kuvendi, s’mund të ratifikohen marrëveshjet”, ka shtuar ai.

Gërgi komentoi edhe deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili u shpreh sot nga Shkupi se Plani i Rritjes ofron më shumë para se IPA e i kërkoi BE-së t’i rrisë fondet.

“Është paradoksale të kërkosh fonde më tepër, kur nuk mundesh të marrësh fondet që i ke përpara”, tha ai.

Gjatë samitit BE – Ballkani Perëndimor në Shkup të martën, komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e bëri të qartë se fondet e Planit të Rritjes – 6 miliardë euro për tërë rajonin dhe rreth 900 milionë për Kosovën – duhet të përdoren deri në vitin 2027, ose ndryshe humbin fondet.

“Komisionerja sot ishte e qartë. Por ka edhe një “grace period” deri në fund të vitit 2028. Nëse reformat nuk zbatohen brenda këtij afati – pra deri në fund të vitit 2028, fondet do t’i kthehen Bashkimit Evropian”, bëri të ditur Gërgi.

Hulumtuesi i GLPS tutje u shpreh se diplomacia kosovare nuk është mjaft aktive dhe ka propozuar të lidhen kontrata me firma lobimi.