LAJMET E MBRËMJES

280 punëtorë të sigurimit mbeten pa kontratë, Policia përkohësisht do të kujdeset për sigurinë në QKUK

Rreth 280 punëtorë të sigurimit në QKUK kanë mbetur pa kontratë pune, pasi tenderi për sigurimin fizik u anulua nga OSHP-ja. Derisa të lidhet një kontratë e re, sigurinë e objektit po e mbulon përkohësisht Policia e Kosovës. Gjatë së martës, punëtorët u takuan me menaxhmentin e QKUK-së, por nuk rezultoi me ndonjë marrëveshje.

Rreth 280 punëtorë të sigurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë mbetur pa kontratë pune, pas anulimit të tenderit nga Organi Shqyrtues i Prokurimit pas ankesave nga disa operatorë.

Shaip Hajrezi, një nga punëtorët e sigurimit, thotë se kjo situatë është përsëritur prej vitit 2023.

Sipas tij, u është premtuar pagesë për orët shtesë, por ato nuk janë realizuar.

“Ky tender është anuluar disa herë që nga viti 2023. Në vend se të na paguanin siç duhet, na kanë marrë nga paga rreth 150 euro. Kompania e fundit na ka paguar me kontratë të re për vetëm dy muaj, por prapë me kushte të vjetra. Punojmë nga 192 orë në muaj, na premtuan pagesë për orët shtesë, por nuk i kemi marrë. Marrim vetëm 390 euro pagë, as orët shtesë nuk na kompensohen. As pushim vjetor nuk kemi. Unë punoj prej 26 vitesh dhe më thonë se nuk më takon pushimi”, tha Hajrezi.

Edhe Hajriz Qiriqi ka thënë se atyre po u bëhet padrejtësi.

“Na kanë kaluar nga shtetëror në sektorin privat, dhe tash gjysmën e pagës na e merr kompania. Në vend që të marr 700 euro, marr vetëm 390, ndonjëherë 400. Kompania na merr nga 250 euro çdo muaj. Nuk e di si kanë guxim me na trajtu kështu nuk na llogarit askush, jemi në gjendje shumë të vështirë”, tha Qiriqi.

Punëtorët të martën së bashku me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi takuan drejtorin e përkohshëm të QKUK-së, Osman Hajdari, por aty nuk u arrit ndonjë marrëveshje.

Pas përfundimit të takimit, drejtori deklaroi se përkohësisht sigurinë në QKUK do ta mbulojë Policia e Kosovës.

“Kam kërkuar nga Policia që deri në një kontratë të re të qëndrojnë. Prej sot edhe në formë fizike policia ka me vendos pikat kyçe si e sheh me mbuluar. Ajo çka unë si menaxhment është që QKUK ka siguri fizike prej Policisë së Kosovës, pra nuk jemi pa sigurim fizik”, tha Hajdari.

Kryetari i Sindikatës së QKUK-së, Hakif Sylejmani, tha se punëtorët deri tash kanë qenë të pambrojtur.

Ndërsa, Jusuf Azemi, nga Sindikata e sektorit privat, tha se deri sa të nënshkruhet kontrata e re, punëtorët nuk do të kthehen në punë.

“Të gjithë punëtorët i kam pasur të rrezikuar nëpër pika. Ne pa kontratë nuk mund të jemi në punë, të na ofrojnë një garanci që me këta punëtorë të vazhdojë të punoj. QKUK është institucion i lartë, kurse punëtorët janë pa uniformë. Kjo është e çuditshme”, tha Sylejmani.

“Sot është moment më ndryshe që institucionet tona, kur i ka skaduar kontrata, punëtorët kanë punuar pa kontratë. Të gjithë ata punëtorë do të qëndrojnë në shtëpi deri të bëhet kontrata. Ne tanimë nuk duam të shërbejmë askujt, kjo është interes individual, kompanitë po shtyhen mes vete. Ne kemi marrë vendim që të gjithë punëtorët nuk do të qëndrojnë deri të nënshkruhet kontrata e re me punëtorët”, tha Azemi.

Pas vendimit të OSHP-së, QKUK-ja ka njoftuar se kontratën e lidhur para më shumë se dy muajsh për sigurimin fizik të objekteve e ka shkëputur.

Në njoftim theksohet se ky institucion ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të lidhur një kontratë të re.