Institucioni i themeluar më 1656 ku performancat artistike shkojnë deri tek operat, e degëzohet edhe në skena drame, më 2 dhe 3 gusht do të jetë nikoqir i një grupi të aktorëve ballkanas. “The Handke Project” nën regji të Blerta Nezirajt dhe tekst të Jeton Nezirajt do të jepet në “Teatro di Rifredi” që është një prej skenave të “Teatro della Pergola” në Firence. Në këtë projekt teatror, me pyetjet e tij, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur Masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandës kundër Serbisë
Është rrëfim që vjen si akuzë nëpërmjet artit dhe ka prekur shumë cepa të Evropës. Stacioni i radhës është teatri më i vjetër italian, “Teatro della Pergola” në Firence. Institucioni i themeluar më 1656 ku performancat artistike shkojnë deri tek operat e degëzohet edhe në skena drame, më 2 dhe 3 gusht do të jetë nikoqir i një grupi të aktorëve ballkanas. “The Handke Project” nën regji të Blerta Nezirajt dhe tekst të Jeton Nezirajt do të jepet në “Teatro di Rifredi”, që është një prej skenave të “Teatro della Pergola” në Firence.
“Ku përfundon liria e artit dhe ku fillon nevoja për të qenë politikisht korrekt? A mund të bëjmë art pa qenë të pandjeshëm?”, janë pyetjet nëpërmjet së cilës përshkruhet shfaqja. Aty sqarohet se nëpërmjet këndvështrimit të fituesit kontrovers të çmimit “Nobel” për letërsinë, Peter Handke, një trupë artistësh pan-evropiane lundron në ekuilibrin delikat midis lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë sociale në teatër.
“Artistët nga Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Maqedonia e Veriut, Franca, Mali i Zi dhe Gjermania diskutojnë për ‘marrëzitë e Peterit’ edhe në dritën e luftës në Ukrainë, në një kohë kur shumë institucione kulturore evropiane po u kërkojnë artistëve rusë të marrin një qëndrim publik mbi të”, shkruhet në prezantim.
Dramaturgu Jeton Neziraj, derisa ka përmendur se Teatri Kombëtar italian “Teatro della Pergola”, është më i vjetër në Itali, ka thënë se ky institucion ka qenë njëri prej teatrove bashkëprodhuese të shfaqjes “The Handke Project”.
“Tani, shfaqjen po e japim atje dhe jemi shumë të lumtur. Para disa ditësh u organizua një konferencë dhe interesimi i mediave ishte i madh. Shpresoj që me këtë kureshtje e interesim, do ta presë shfaqjen edhe publiku atje. Koincedentalisht, në këtë teatër italian, është dhënë për herë të parë më 22 qershor 1718, opera ‘Skënderbeu’ e Vivaldit. Pas Firences, stacioni i radhës i ‘The Handke Project’ do të jetë Parisi”, ka treguar Neziraj.
Në konferencën e mbajtur më 17 janar, Neziraj ka folur gjerë e gjatë për shfaqjen, teatrin kosovar e bashkëpunimet me teatrot evropiane.
“Neve nuk na intereson Handke si person, por si një fenomen, si përfaqësues i atij niveli të hipokrizisë evropiane që u shfaq gjatë luftës në Ukrainë, në momentin kur unë fillova të interesohesha për të. Një hipokrizi e aftë për ta paraqitur fashizmin si ‘liri të shprehjes’ dhe gjithashtu për ta shpërblyer këtë qëndrim”, citohet Neziraj midis të tjerash në mediat italiane.
Në projektin teatror të qendrës “Multimedia” bashkë me “Mittelfest” e Teatrin e Toskanës, Teatrin e Dortmundit, Teatrin Kombëtar të Sarajevës e festivalin e njohur botërisht të kryeqytetit boshnjak, “MESS”, Peter Handke zhvillon një bisedë me Joseph Goebbelsin. Udhëheqësi i propagandës së nazistëve i jep atij leksione se si duhen mohuar krimet e si duhet ngritur pyetje nëse ato janë të vërteta. Kasta e aktorëve: Arben Bajraktaraj, Anja Drljeviq, Adrian Morina, Ejla Bavçiq, Klaus Martini e Verona Koxha për rreth një orë e gjysmë përballë publikut do të dekonspiruar Handken siç kanë bërë nëpër disa qytete të Evropës e edhe në Beograd. Shfaqja ironizon skajshëm figurën e shkrimtarit që më 2019 fitoi çmimin “Nobel” për letërsi. Shtjellon temën nëse ka kufij etikë e njerëzorë për një krijues. E tërthorazi jep edhe përgjigje.
“The Handke Project” iu kthye Sarajevës në tetor të vitit të kaluar, e në shtator kishte shënuar dy suksese ndërkombëtare. Si dramë ka marrë edhe një vulë ndërkombëtare. Kësaj radhe atë të konkursit më të rëndësishëm të Francës sa u përket dramave, “Journées de Lyon des Auteurs de Théâtre” (Ditët e Lyonit të Autorëve të Teatrit). Në këtë konkurs, “The Handke Project” përkthyer në frëngjisht nga Sébastien Gricourt, ka marrë Çmimin për dramën më të mirë të huaj. Sipas organizatorëve, në konkurs kanë marrë pjesë 400 drama. Organizatorët e konkursit kanë njoftuar se të gjitha dorëshkrimet janë lexuar të paktën dy herë.
Kurse si shfaqje po në shtator është vlerësuar si më e mira në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ (FIAT) në Mal të Zi. Është përshkruar si një përballje të dhimbshme sa i përket pozicionimit të krijuesve në raport me pushtetet. Pos kësaj, Çmimi aktori më i mirë i ka takuar aktorit nga Kosova me karrierë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj.
Jo pak zhurmë kishin bërë qarqet nacionaliste serbe pas dhënies së shfaqjes në Podgoricë. Mediat nacionaliste menjëherë kishin nisur propagandën për kapitull të kërcënimeve për “tradhti, fushatë antiserbe a skandal”, e deri te cilësimet se ky qe një “sulm” me një shfaqje nga “Kosova terroriste”. Titujt sensacionalë, si ai “Skandal në Mal të Zi! Shqiptarët nga Kosova e Metohia në Podgoricë organizojnë shfaqjen antiserbe”, i tabloidit “Alo.rs” qenë të pranishëm. Aty shënjestrohet edhe dramaturgia serbe, Bilana Srblanoviq, që ka bashkëpunuar me ekipin e shfaqjes. Po ashtu, edhe institucioni nikoqir i shfaqjes në kryeqytetin e vendit të shkëputur prej Serbisë më 2006, anëtar i NATO-s e aspirues për Bashkimin Evropian, por që shpesh sfidohet edhe prej partive parlamentare serbe, të cilat në programe kanë edhe tërheqjen e njohjes së Kosovës.
Ka pasur komente edhe për reagimet nga mediat proqeveritare serbe, “sërish rojë duke bërë punën e tyre propagandistike”.
Përshkrimet e shfaqjes, media të tilla i kanë pasur gati, pasi me po të njëjtën gjuhë ishin vënë në sulm edhe qershorin i vjetëm, kur shfaqja ishte dhënë edhe në Beograd, në teatrin “Bitef”.
“Cirkusi udhëtues paradramatik ‘Projekti Handke’, prapa të cilit qëndrojnë forcat e bashkuara, serbët e dytë autoshovinistë dhe fundamentalistë, ka ateruar në Podgoricë”, ka shkruar “Alo.rs”. Shfaqjes i jepte turli farë epitetesh dhe “ia gjen” edhe synimin që “është ashiqare”.
Në këtë projekt teatror, me pyetjet e tij, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur Masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandës kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në atë masë që Handke i ndryshon edhe situatat që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët e detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij, Nermin, të zbresë nga kodrina “pasi është i sigurt me serbët”. “The Handke Project” është dhënë edhe në Serbi e Gjermani.