Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shtojca për Kulturë e “Kohës Ditore” sjell numrin special dedikuar akademik Rexhep Qosjes

Shtojca për kulturë, KOHA Ditore, 26 prill 2026

Shtojca për kulturë, KOHA Ditore, 26 prill 2026

Shtojca për Kulturë e “Kohës Ditore” të dielën e 26 prillit 2026, sjell numrin special dedikuar shkrimtarit e intelektualit, Rexhep Qosja (25 qershor 1936 – 23 prill 2026)

Jeta dhe vepra e tij shpalosen në shkrimet e akademikëve e studiuesve të veprës së tij sikurse dhe në të tjera shkrime të gazetarëve dhe në intervista.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Njeriu që shkaktonte bujë më shumë se kushdo tjetër anekënd botës shqiptare, e la amanet të përcillej pa u trumbetuar, thjesht dhe i shoqëruar vetëm nga familja e tij, sepse, tek e fundit, jeta është luftë, vdekja është paqe. Sa ishte i gjallë, kurrë nuk shkroi vetëm për Kosovën, por për gjithë kombin, ndërsa në udhëtimin e fundit vendosi të përcillej vetëm nga familja e tij. Kjo s’do të thotë që i dorëzoi armët. Përkundrazi, ky akt i fundit e ktheu atë vetë në armë për ardhmërinë e vendit”, shkruan shkrimtari dhe studiuesi Ag Apolloni.

Studiuesi Hysen Matoshi shkruan se akademik Rexhep Qosja, jo vetëm me veprën e tij shumëplanëshe shkrimore, por edhe me qëndrimin parimor intelektual, në kohë të vështira e dramatike të historisë, në rrafshin e determinimit të individit me kapacitete të jashtëzakonshme kreative e profesionale, përbën po ashtu një fenomen për mendimin shqiptar. “Ky korpus shkrimor dhe e gjithë veprimtaria intelektuale e profesionale e kanë shndërruar autorin dhe kreatorin e tyre në një institucion të rëndësishëm kombëtar”, shkruan ai.

Studiuesi Arben Hoxha analizon karakterin emancipues të veprimtarisë krijuese të Rexhep Qosjes

Sipas tij, vepra jetësore e Rexhep Qosjes dëshmon për një dinamikë komunikimi të vetëdijes shkencore me vetëdijen politike kombëtare të tij. “Vetëdija e studiuesit të letërsisë, qysh në gjysmën e dytë të viteve ‘60, do të jetë përgjigjja prospektive e vetëdijes politike të intelektualit të angazhuar për fatet e kombit të vet në mesin e viteve ‘80 e deri më sot”, shkruan ai.  

“Shqiptarët, gjithnjë të vonuar!”, është titulli i shkrimit të gazetarit, studiuesit e gazetarit Ben Andoni.

“Si për paradoks, tani që Qosja ka mbyllur sytë, shqiptarët janë e mbeten të vonuar. Për trishtimin e tij e të të gjithë shqiptarëve që mendojnë. Këtu janë ngushëllimi dhe respekti për të, këtë mendje të paepur të së vërtetës kombëtare. Pa frikë e vendosi gishtin në plagën e madhe kombëtare, sikur ia drejtoi vetes: Si gjithnjë të vonuar”, shkruan Andoni. Sipas tij “mbijetesa e figurës së Qosjes nis tashmë, kur kritikëve do t’u duhet t’iu kthehen shqyrtimeve dhe analizave të tij letrare dhe politike dhe përpjekjes për ta harruar”.

“Një figurë e shndërruar në simbol të identitetit modern nacional”, e quan akademik Ali Aliu dhe sipas tij “biografia e akademik Rexhep Qosjes pasqyron ndjeshëm fatin individual e njëkohësisht fatkeqësinë shqiptare, të prerjes, krizave e ndarjeve të trungut etnik, konstante të cilat domosdo do të formojnë dhe forcojnë bindjet e tij për unifikimin e kombit duke nisur nga zhvillimi emancipues, gjuhësor, shpirtëror-letrar e politik”. 

“Intelektual që fliste në emër të popullit të plagosur”, e cilëson akademik Qosjen studiuesi Bejtullah Destani i cili sjell telegramet që rrjedhin nga arkivat e deklasifikuara të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe hedhin dritë mbi një nga momentet më të rënda dhe më vendimtare të historisë kombëtare: Konferencën e Rambouillet në shkurt të vitit 1999 dhe takimet e qershorit 1999 në Köln, në prag të çlirimit të Kosovës. “Në secilin prej tyre, në mes të një dramaturgjie diplomatike ku peshohej fati i një populli të tërë, qëndron figura e Rexhep Qosjes — i qetë, i matur, me peshën e shekujve mbi supe, dhe me zërin e një populli mbi gjuhë”, shkruan ai.

Historiani Nuridin Ahmeti hap arkivat e Shqipërisë të cilat e survejonin akademik Qosjen qysh në fund të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Në një dokument të vitit 1970, për të shkruhej se “është një kritik me talent dhe një punonjës i zellshëm në fushën e studimeve historiko-letrare. Ai ka një horizont të gjerë letrar dhe premton për punë ngulmonjëse e serioze në lëmin e studimeve të letërsisë shqiptare”. Në fund të atij viti, pas një vizite të delegacionit nga Shqipëria në Prishtinë, në një relacion shkruhej se “fjalimi i Qosjes nuk qe dhe aq në nivel, në krahasim me aftësitë e tij, po jo keq”, duke vazhduar se “ky është ndër njerëzit më me kulturë që kanë... ende fort i ri”.

Po ashtu në këtë numër mund të lexohen edhe pjesë nga kritika franceze kur më 1994 u botua romani i tij, “Vdekje më vjen prej syve të tillë”. “Ky libër na ra nga qielli si një meteorit”, shkruhej për romanin e Qosja cilësohej si një autor që demistifikon imazhin e shkrimtarit, i cili i ka të gjitha të metat si çdo njeri tjetër, bile edhe dembelinë, oportunizmin dhe propagandën e tij politike. “Jo, për Qosjen, shkrimtari i vërtetë nuk përfiton asgjë. Shkrimtari është i rrjepur dhe i nëmur. Ndërkaq, ne, duhet t’i ruhemi përjetësisë, sepse ajo krijon mite të rrejshme, duke e penguar instinktin tonë të domosdoshëm të kritikës”, shkruhet aty.

Intervista e vitit 1991 në gazetën e Beogradit, “Borba” të cilën e sjell studiuesi Skënder Latifi, sot mund të lexohet si dëshmi e guximit intelektual të akademik Rexhep Qosjes. Ai demaskon ashpër regjimin serb. “Serbia duhet ta ketë të qartë njëherë e përgjithmonë: se në Kosovë ishte dhe mbetet një shtet pushtues. Ne kurrë nuk do të kemi një ndjenjë tjetër ndaj saj. Serbia nuk do të jetë në gjendje t’i marrë parasysh gjëra të tilla: ndjenjat e popullit shqiptar, sepse ndjenja të tilla po formohen gjithnjë e më me vendosmëri në politikën kombëtare të popullit shqiptar në tërësi”, thotë Qosja në atë intervistë e cila bëri bujë në atë kohë.  “Ne nuk kemi ku të shkojmë nga Kosova. Serbia ka bërë disa përpjekje historike, politike, ushtarake dhe shtetërore për të na nxjerrë nga Kosova, por nuk ka pasur sukses, sepse ne kemi qenë pjesë e këtij vendi për mijëra vjet, rrënjët tona janë aq të thella këtu saqë ne kurrë nuk mund të shkëputemi prej kësaj toke”, thotë ai në intervistën e gjatë.

Këto dhe shkrime të tjera, shpalosin figurën unike të akademik Rexhep Qosjes, kolosit të kombit.