Kulturë

Shteti lejon disakatëshe afër tri monumenteve në Prizren

Janë vetë autoritetet komunale e qendrore që kanë lejuar ndërtimin e një objekti me etazhitet 2B+P+5 afër tri monumenteve nën mbrojtje të përkohshme, përderisa nëpërmjet një aktvendimi është lejuar edhe rrënimi i objekteve ekzistuese, që sipas organeve komunale ndodhen në rrugën “Ardian Zurnaxhiu”. Por përderisa investitori thotë të ketë ndjekur rrugët ligjore, autoritetet e trashëgimisë kulturore janë shpërfillur në këtë rast. Një pjesë e banorëve të kësaj lagjeje kundërshtojnë këtë projekt

Komuna e Prizrenit ka pajisur me leje ndërtimore investitorin që planifikon ndërtimin e disakatëshes në afërsi të tri monumenteve me status të mbrojtjes së përkohshme. Para lejes së këtij muaji, paraprakisht, për t’i lënë vend ndërtimit të objektit të banimit kolektiv, muajin e kaluar përmes një aktvendimi është lejuar edhe rrënimi i objekteve ekzistuese, që sipas organeve komunale ndodhen në rrugën “Ardian Zurnaxhiu”. Përderisa një pjesë e banorëve të kësaj lagjeje kundërshtojnë këtë projekt, në anën tjetër investitori ka thënë se ka ndjekur rrugën ligjore dhe se konform kësaj është pajisur me kushte urbanistike dhe me lejet përkatëse.

Ndërsa zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren kanë deklaruar se vendimi për lejimin e rrënimit të ndërtesave ekzistuese në afërsi të tri monumenteve është dhënë pa kaluar nëpër filtrat e autoriteteve të trashëgimisë kulturore.

Burimet e KOHËS kanë bërë të ditur se pasi që investitori ka plotësuar kushtet ndërtimore të kërkuara nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, nga kjo e fundit është pajisur me leje ndërtimore me etazhitet 2B+P+5. Ndërsa aktvendimi për rrënimin e objekteve ekzistuese është lëshuar më 3 shtator të këtij viti, dhe i njëjti është vendosur edhe në hyrjet e pronave, ku tashmë ka filluar procesi i rrënimit të tyre.

KOHA ka provuar që këto të dhëna t’i konfirmojë në DUPH, por zyrtarët komunalë kanë theksuar se drejtori i Urbanizmit, Beni Kizolli, ndodhet jashtë vendit. Por në një reagim të Kizollit, në rrjetet sociale lidhur me këtë temë, është shpalosur kronologjia e procedurës për dhënien e lejes ndërtimore për objektin e banimit kolektiv me afarizëm, prej vitit 2019 e deri në muajin tetor të vitit 2021. Pos tjerash, aty theksohet se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në tetor të vitit të shkuar kishte aprovuar ankesën e investitorit, duke anuluar një vendim të DUPH-së në Prizren për këtë lëndë dhe duke obliguar të njëjtin që të nxjerrë aktin e ri administrativ. Në arsyetimin e vendimit të MEA-së thuhej se meqë parcelat kadastrale, për të cilat kërkohet ndërtimi, nuk janë në zonën historike të Prizrenit dhe pasi nuk ka plan rregullues urban për këtë lagje, atëherë organi i shkallës së parë duhet të vendosë në bazë të nenit 18 të Ligjit për Ndërtim. Kizolli ka shkruar se DUPH konform këtij vendimi dhe udhëzimeve të nivelit qendror ka lëshuar Kushtet Ndërtimore më datë 27.11.2020, të cilat janë përmbushur nga parashtruesi i kërkesës.

“Zyrtarja e lëndës, më datë 13.4.2021, është ftuar në takim nga ana e ministrit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, për datën 14.4.2021. Në takimin e mbajtur në Ministrinë përkatëse nga ministri dhe zyrtarët e Ministrisë së Kulturës dhe përfaqësuesit e DUPH-së jemi dakorduar që rasti të trajtohet konform Ligjit nr.02/L-88 për trashëgiminë kulturore, nenit 6 paragrafi 6.4, ku thuhet se ‘monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë të mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit, kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për Planifikim Hapësinor, ndërsa pjesa tjetër e sipërfaqeve të ngastrave të trajtohet sipas nenit 18 të Ligjit për Ndërtim, nr. 04/L-110, siç edhe është udhëzuar në vendimin e MEA -së, nr. A-119/20, të datës 5.10.2020”, ka bërë të ditur ai.

Njëkohësisht ka shtuar se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve gjatë marrjes së vendimit të datës 20.5.2021, me të cilin ishte refuzuar kërkesa për dhënien e lejes së ndërtimit, ka bërë interpretim të gabuar të dispozitave të Ligjit për trashëgimi kulturore, si dhe të Ligjit për Qendrën Historike, sikurse edhe keqinterpretimin e PZhU-së, të shfuqizuar në vitin 2013 nga PZHK-ja.

“DUPH kundër Vendimit, nr. 12/2021/DL, të datës 20.5.2021 të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në afatin e paraparë ligjor ka paraqitur ankesë me nr.04-353/01-156201 të datës 9.6.2021 me arsyetimet sipas të cekurave në ankesë. IKMM kundër ankesës së parashtruar nuk ka nxjerrë vendim, mirëpo vetëm përmes e-mailave zyrtarë ka komunikuar, ndërsa në e-mailin e fundit të datës 28 korrik 2021, IKMM-ja, ndër të tjera, nga ana e DUPH-së ka kërkuar të pezullojë procedurat, për dhënien e lejes me arsyetimin se ankesa shumë shpejt do të shqyrtohet nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave në MKRS, e që deri më tani nuk është vendosur për rastin në fjalë. DUPH-ja me e-mailin e fundit të datës 30 korrik 2021, drejtuar IKMM-së, të njëjtën e ka njoftuar për procedurat të cilat në vazhdim do t’i ndjekë, ngase sipas ligjeve në fuqi është e obliguar të vazhdojë procedurat për lëshimin e lejes. Investitori pas plotësimit të Kushteve Ndërtimore me nr. 04-353/01-156201, të datës 27.11.2020, të kërkuara nga DUPH-ja, të njëjtin e ka pajisur me Leje ndërtimore”, ka shkruar Kizolli.

Në anën tjetër, Kujtesa Godeni nga QRTK-ja në Prizren duke treguar kronologjinë e kësaj lënde ka pohuar se IKMM-ja në maj të këtij viti ka refuzuar kërkesën për dhënien e lejes së ndërtimit për objektin disakatësh, derisa lidhur me aktvendimin për rrënimin e objekteve ekzistuese ka shtuar se QRTK-ja nuk ka pranuar kërkesë nga DUPH-ja.

“Edhe pse është rrënim, prapë duhet me u ndjekë procedura e njëjtë si për lejen për ndërtim. Pra vendimi i fundit për lejimin e rrënimit të ndërtesave në atë zonë, në afërsi të tri monumenteve që i kap perimetri prej 50 metrash është dhënë pa kaluar në filtrin e organeve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Godeni.

Mirëpo investitori ka bërë të ditur se për objektin që planifikohet të ndërtohet në këtë zonë, që sipas tij ndodhet në rrugën “Tahir Meha”, janë ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe konform kësaj janë marrë kushtet urbanistike nga Komuna me rekomandim të Ministrisë, si dhe lejet përkatëse.

“Në fund jemi pajisë edhe me lejen e ndërtimit, dhe konform të gjitha ligjeve në fuqi ne i kemi vazhduar punimet”, thuhet në përgjigjen e tij.

Grupi i banorëve që kundërshton projektin konsideron se një ndërtesë e tillë do të dëmtonte karakterin historik, kulturor, social dhe urbanistik të kësaj pjese të qytetit. Përfaqësuesi i autorizuar ligjor i tyre, avokati Faik Miftari ka theksuar se më datën 13 tetor 2021 ka bërë kërkesë në DUPH për të pasur qasje në të gjitha dokumentet e lëndës.

“Tek sot, më 27 tetor 2021, në orën 15:30 i kam marrë materialet nga DUPH-ja. Pasi analizës së tyre me siguri se do t’i përdorim të gjitha mjetet juridike që i kemi në dispozicion. Me sa e kam vërejtur, leja është dhënë me etazhitet 2B+P+5, që është në kundërshtim me të drejtën pozitive aktuale në fuqi në Kosovë sa i përket ndërtimit të objekteve në atë zonë”, ka thënë Miftari.

Kundërshtimin për këtë projekt e ka shprehur në rrjetet sociale edhe Ilir Gashi, kuvendar i VV-së në përbërjen e kaluar të KK-së së Prizrenit, që pritet të ushtrojë këtë funksion edhe në mandatin që del nga zgjedhjet komunale të tetorit.

qenë dhe do të vazhdoj të jem kundër ndërtimit të objekteve shumëkatëshe në afërsi të lagjes ‘Bajrakli’. Kjo lagje çdoherë ka pasur karakterin e zonës së banimit të ulët. Nuk mund të pranohet ngritja e objekteve 7-katëshe (P+5+nënkulm) në mes të lagjes me shumë shtëpi përreth dhe në afërsi prej 50 metrash nga qendra historike e qytetit. Degradimi i Prizrenit duhet të ndalet!”, ka shkruar ai.

Ndërkaq organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka kërkuar nga autoritetet e trashëgimisë kulturore në Kosovë, sikurse edhe institucionet e tjera relevante, që “për këtë rast në afatin sa më të shpejtë kohor të informojnë publikun lidhur me rrjedhën e kësaj lënde, dhe ta informojnë nëse është dhënë pëlqimi për rrënimin e objekteve ekzistuese në këtë lokacion, që ndodhet në rrezen 50 metra të monumenteve me status të mbrojtjes së përkohshme, sikurse edhe pëlqimi për ndërtimin e ndërtesës së banimit kolektiv”.

Parcelat ku ka filluar procesi i rrënimit të objekteve ekzistuese dhe ku planifikohet ndërtimi i disakatëshes, sipas MKRS-së, gjenden afër këtyre monumenteve: Ish-armata (nr. unik 04208) me distancë 38.22 metra; Shtëpia e Jonuz Agallarit (nr. unik 0535) me distancë 48.96 metra dhe Shtëpia e familjes Shpejti (nr. unik 03407) me distancë 54.96 metra.