Largimi i Trent Alexander-Arnold te Real Madridi e ka lënë Liverpoolin pa kreativitet, por transferimi i Florian Wirtzit mund të ndihmojë në kompensimin e kësaj mungese, tha trajneri i klubit të Premier League, Arne Slot.
Liverpooli theu rekordin e transferimeve në qershor duke nënshkruar me Wirtz dhe duke forcuar opsionet e tyre sulmuese, me lojtarin gjerman që kishte shënuar 57 gola dhe kishte dhënë 65 asistime në 197 paraqitje për Bayer Leverkusenin.
Wirtz luajti për herë të parë me fanellën e Liverpoolit në “Anfield” të hënën, duke dhënë një performancë mbresëlënëse në fitoren 3:2 ndaj Athletic Bilbaos në një ndeshje parasezonale.
“Mendoj se gjithmonë ka vend për përmirësim në çdo repart. Siç thashë, kemi shtuar disa, sipas mendimit tim, armë shtesë. Pra, Florian Wirtz ka shumë kreativitet”, u tha Slot gazetarëve.
“Kemi humbur shumë kreativitet nga mbrojtja me Trent Alexander-Arnoldin. Harkimet nga Trenti ishin shumë të veçanta - mendoj se edhe Flo e ka këtë cilësi në një pozicion krejtësisht të ndryshëm”.
“Por ai sjell atë kreativitet, ritmin e Hugo Ekitike, ritmin e të dy mbrojtësve të krahut - Milosh Kerkez dhe Jeremie Frimpong”.
Liverpooli, i cili fitoi Premier Ligën për të siguruar titullin e 20-të në Angli, që barazon rekordin, ka qenë i angazhuar në tregun e transferimeve, ndërsa kërkon të ndërtojë mbi suksesin e sezonit të kaluar.
Slot tha se ishte thelbësore të forcohej skuadra.
“Konkurrentët tanë nuk kanë qëndruar duarkryq”, shtoi ai. “Jo vetëm që përpiqen të përmirësohen, por kanë bërë edhe shumë transferime, siç kemi bërë të gjithë ne. Prandaj do të jetë një Premier League shumë interesante vitin e ardhshëm përsëri”.
Liverpooli do të përballet me fituesit e Kupës FA, Crystal Palace, në “Community Shield” më 10 gusht, përpara se të fillojë mbrojtjen e titullit të Premier League kundër Bournemouth në Anfield më 15 gusht.