Botë

Zbulohet shkaku i implodimit të nëndetëses Titan, tragjedia ka mundur të shmangej

OceanGate

Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konstatuar se implodimi i nëndetëses Titan të kompanisë “OceanGate”, që la të vdekur pesë persona, ka qenë i parandalueshëm dhe ka ndodhur për shkak të mungesës së masave të sigurisë.

Sipas raportit, “OceanGate” nuk ka ndjekur protokollet e mirëmbajtjes dhe inspektimit të nevojshme për nëndetësen. Titani u zhduk më 18 qershor 2023 gjatë zbritjes në vendin ku ndodhen mbetjet e Titanikut në Oqeanin Atlantik. Pas disa ditësh u konfirmua se ajo ishte imploduar dhe të gjithë anëtarët e ekuipazhit kishin humbur jetën.

“OceanGate” shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka thënë se është “fokusuar plotësisht në bashkëpunimin me hetimin e Rojës Bregdetare”.

Në raport të Rojës Bregdetare, praktikat e sigurisë të kompanisë u konstatuan si “thelbësisht të mangëta”. Hetuesit konstatuan se shkaku kryesor i implodimit ishte mosrespektimi i protokolleve inxhinierike të përcaktuara për testime dhe siguri.

Raporti shton se kishte mospërputhje të dukshme midis protokolleve të shkruara të sigurisë dhe praktikës së përditshme të kompanisë.

“Kjo tragjedi detare dhe humbja e pesë jetëve mund të ishte shmangur”, deklaroi Jason Neubauer, kryetar i Bordit të Hetimit të Rojës Bregdetare.

Hetimi vërtetoi gjithashtu se kompania vazhdoi përdorimin e nëndetëses Titan pavarësisht incidenteve të mëparshme që kishin rrezikuar mjetin. Titan implodoi vetëm 90 minuta pas zbritjes, pasi trupi i saj prej fibre karboni nuk i përballoi presionit ekstrem. Fibra e karbonit nuk është përdorur më parë në nëndetëse të thellësive të mëdha dhe dihet që është e paqëndrueshme nën presion, pasi shtresat e saj degradojnë me kalimin e kohës.

Raporti thekson se ekuipazhi vdiq menjëherë si pasojë e presionit të jashtëzakonshëm të ujit.

Nëndetësja kishte realizuar 13 zbritje drejt Titanikut në dy vjetët para aksidentit fatal. Megjithatë, Roja Bregdetare kritikoi ashpër kompaninë për mosinspektimin e trupit të nëndetëses, pavarësisht se ishin zbuluar probleme të sigurisë gjatë monitorimeve të mëparshme.

Raporti akuzon gjithashtu “OceanGate” se ka shmangur me qëllim kontrollin rregullator përmes frikësimeve dhe manipulimeve strategjike. Kompania, thuhet në raport, përdori “taktika, tarifa për operacione shkencore dhe reputacionin e favorshëm për të shmangur mbikëqyrjen e autoriteteve”.

Një tjetër akuzë e drejtpërdrejtë bie mbi Stockton Rush, themelues i “OceanGate” dhe piloti i Titan në udhëtimin fatal. Sipas hetuesve, ai veproi me neglizhencë që çoi në vdekjen e katër personave të tjerë (përveç vetes së tij). Ata thanë se po të kishte mbijetuar, do të ishte përgjegjës penalisht.