Kulturë

“Shtegtimi i shqipes në Europë” nëpër 20 shtete

Prishtinë, 23 tetor – Me 28 intervista të përmbledhura në një libër, studiuesja Mimoza Hasani-Pllana ka tentuar të sjellë një mozaik për shqipen në Evropë, përkatësisht në 20 shtete evropiane. Për librin “Shtegtimi i shqipes në Europë”, i përuruar të martën në “KultPlus Caffe Gallery”, Hasani-Pllana ka intervistuar albanologë shqiptarë e të huaj, përkthyes e studiues të gjuhës e letërsisë shqipe.

Redaktori i librit, studiuesi Behar Gjoka, ka thënë se të intervistuarit tregojnë se si ekziston shqipja në vendet e tjera. Siç ka thënë ai përmes intervistave, vihet në pah se shqiptarët nuk janë aq të izoluar, të shkëputur e zemërakë sa mendohej.

“Në morinë e intervistave secila prej tyre ka kontributin, prurjet e saj, ka shqetësimin se çfarë po ndodh dhe se si po shkon letërsia shqipe tek të tjerët”, ka thënë ai. Sipas tij, është e rëndësishme që përmes librit jepet edhe një pasqyrë se çfarë ndodh nëpër universitete ku mësohet gjuha shqipe.

Tomorr Plangarica, profesor i disiplinave gjuhësore dhe letrare në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) në Paris, është një nga të intervistuarit. Brenda librit gjenden intervista edhe me studiues të tjerë të letërsisë e albanologjisë e njohës të saj si: Romeo Çollaku, Hans-Joachim Lanksch, Doris K. Kyriazis, Silvana Berki, Roel Schuyt, Elido Miracco, Anton Marku, Kurt Gostentschnigg, e të tjerë.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")