Kulturë

Shqipja e fshehtë e muratorëve në Bullgari

Prishtinë, 27 gusht – Termi “sociolekt” është përgjithësisht i ri në gjuhësinë e vendeve ballkanike, ani pse aspekte të veçanta të dialekteve sociale janë studiuar qyshkur. Falë studiuesit bullgar Ivan Shishmanov (1862-1928), në vendin fqinj ishin grumbulluar materiale etnografike, gjuhësore e veçmas aso për “të folmet e fshehta”.

Ato në fakt nuk janë të folme në kuptimin e vërtetë të fjalës, por përmbledhje leksemash të filtruara nga një “gramatikë ngatërruese”: ndërfutje rrokjesh, ripërcaktim i tyre apo shqiptim i fjalëve së prapthi. Në fund të shekullit XIX, ballkanologu Konstandin Jireçek kishte hedhur mendimin se “Maqedonia është vendlindja e të folmeve të fshehta bullgare”, shkruan sot Koha Ditore.

Një e folme e tillë, që kishte ngashënjyer interesimin e hulumtuesve, ishte edhe ajo e Bracigovës në Bullgarinë Jugore. Në këtë qytezë, vendndodhja e së cilës është në rrëzë të maleve Rodope, profesioni kryesor i banorëve ishte muratoria. Këtë zanat banorët lokalë e kishin përvetësuar nga të ardhurit prej rajonit të Dibrës në Maqedoninë e sotme Perëndimore.

Studiues si Jiriçek, Argirov dhe Găbjuv kishin vënë re se ky zhargon i fshehtë muratorësh kishte me tepri fjalë shqipe.

Për këtë çështje, albanologu i ri bullgar, Anton Pançev, ka sjellë një trajtim të zgjeruar të ndikimit të shqipes edhe në rajone të tjera bullgare.

Në ligjëratën e mbajtur të hënën në sallën “Idriz Ajeti”, në kuadër të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, profesori nga Universiteti i Sofjes ka bërë një shpalim historik të hulumtimeve bullgare mbi ndikimin e shqipes në këto zhargone profesionale.

Sipas fjalëve të tij, “hapësira e shqipes në Bullgari është shumë më e gjerë sesa që mendojnë studiuesit e ndryshëm".

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")