Zëdhënësi rus, Dmitry Peskov, ka njoftuar të enjten se Rusia po vazhdon t’i analizojë deklaratat e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e kishte kërcënuar Kremlinin zyrtar me vendosjen e tarifave dytësore në rast se lufta në Ukrainë s’përfundon brenda 50 ditëve.
Agjencia e lajmeve Reuters ka nënvizuar se reagimi i deritanishëm i Rusisë është i ftohtë kundruall paralajmërimit të Trumpit për Ukrainën, duke thënë vetëm se vendimet e ndërmarra nga presidenti amerikan dhe NATO-ja do të interpretohen prej Kievit zyrtar si sinjal për të vazhduar luftën.
Ndërkaq, s’ka pasur ende ndonjë reagim publik nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Trumpi kishte shprehur përsëri zhgënjimin e tij me Putinin, teksa pati shtuar të hënën se tarifat do të jenë dytësore, që nënkupton se synohen Moska dhe partnerët e saj tregtarë.
Krahas kësaj, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar marrëveshjen për të dërguar armë në Ukrainë, teksa është krenuar me faktin se, sipas tij, SHBA-ja i prodhon pajisjet ushtarake më të mira në botë.
Pajisjet do të përfshijnë sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”, përderisa është sugjeruar po ashtu se SHBA-ja do të dërgojë edhe armë të natyrës ofensive.
Këto armë do të blihen nga vendet anëtare të NATO-s dhe më pas ato do t’ia dërgojnë si ndihmë ushtarake Ukrainës.