Të paktën 22 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës të enjten, dhe disa të tjerë mbetën të plagosur gjatë sulmit mbi një kishë me të cilën i ndjeri Papa Françesku komunikonte rregullisht, kanë bërë të ditur zyrtarët shëndetësorë dhe anëtarët e kishës.
Sipas raportimeve, tetë burra të ngarkuar me ruajtjen e kamionëve të ndihmës janë në mesin e të vdekurve nga sulmet ajrore që u realizuan teksa ndërmjetësit po i vazhdojnë bisedimet për armëpushim mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, në Doha të Katarit.
Një zyrtar amerikan kishte thënë gjatë kësaj jave se bisedimet po shkonin mirë, ndonëse dy zyrtarë të grupit militant e patën njoftuar agjencinë e lajmeve Reuters se s’është bërë aspak përparim në çështjet kyç dhe se bisedimet janë bllokuar.
Një burrë dhe një grua kanë vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur, përfshirë famullitarin Gabriel Romanelli, gjatë një sulmi në orët e hershme të mëngjesit në Kishën e Familjes së Shenjtë, ka lajmëruar Patriarkana Latine e Jerusalemit përmes një deklarate lidhur me incidentin që ndodhi në kishën e vetme katolike në Gazë.
Ati Romanelli, me nënshtetësi argjentinas, e kishte informuar në vazhdimësi të ndjerin Papa Françesku rreth konfliktit izraelito-palestinez.
Pamjet televizive e kanë shfaqur atë të ulur në spitalin Al-Ahly në Gazë, duke pranuar trajtim mjekësor. “Sulmet ndaj popullatës civile që Izraeli i ka kryer për muaj me radhë janë të papranueshme. Asnjë veprim ushtarak nuk mund ta justifikojë këtë lloj të sjelljes”, ka thënë kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Vatikani nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës për koment. Ndërkaq, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë njoftuar se po e shqyrtojnë rastin.
“IDF-i është i vetëdijshëm mbi raportimet lidhur me dëmet e shkaktuara ndaj Kishës së Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës dhe viktimave në vendin e ngjarjes. Rrethanat e incidentit janë duke u shqyrtuar”, thuhet në deklaratën e Ushtrisë izraelite.