Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shqipëria në kolonën zanore të “The Odyssey” të Nolanit

“The Odyssey”

“The Odyssey” është bashkëpunimi i tretë midis Christophfer Nolanit dhe kompozitorit Ludwig Göransson

Në kërkim të tingullit për filmin e bazuar në veprën e Homerit, nën regji të Christophfer Nolanit, kompozitori Ludwig Göransson do të aterronte në Shqipëri. “Kërkimet e tij e sollën edhe në jug të Shqipërisë. Aty incizoi një stil të lashtë këndimi, i quajtur iso-polifoni shqiptare, një traditë shumëshekullore e këngës polifonike, të cilën, sipas tij, nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë në një film. Në Shqipëri ai incizoi edhe tingujt e fyejve që barinjtë shqiptarë i kanë përdorur prej mijëra vjetësh”, shkruhet në rrëfimin e botuar në “New York Magazine” dhe “Vulture” që zbërthen gjerë e gjatë vizionin e regjisorit hollywoodian për mitin e pavdekshëm

“The Odyssey” i Christophfer Nolanit është njëri prej filmave më të shumëpritur të këtij viti, i konsideruar edhe kryevepër e tij, do të pushtojë kinematë prej kësaj të premte e pritet të jetë edhe në krye të favoritëve për çmimet e mëdha. 

Por kjo vepër filmike – që ka mbledhur emrat me të shquar të Hollywoodit si Matt Damon në rolin kryesor – ka edhe diçka shqiptare. Kolona zanore ka edhe tinguj nga iso-polifonia e famshme dhe fyelli i barinjve të Shqipërisë. Ka qenë vetë kompozitori i kolonës zanore, Ludwig Göransson, që e ka zbuluar këtë fakt. Në një rrëfim të gjatë, të kritikut të njohur të filmit, Birge Ebiri, botuar në “New York Magazine” dhe “Vulture”, zbulohen krejt prapaskenat e “The Odyssey” që peshon hiç me pak se 250 milionë dollarë. 

Pos bisedës me regjisorin, njëri prej protagonistëve të këtij rrëfimi është edhe kompozitori suedez, Ludwig Göransson, i njohur për bashkëpunime me Nolanin, sikur ai në filmin “Tenet” të vitit 2020 dhe “Oppenheimer” të vitit 2023. Në kërkim të tingullit për filmin e bazuar në veprën e Homerit, kompozitori do të aterronte në Shqipëri. 

“Kërkimet e tij e sollën edhe në jug të Shqipërisë. Aty incizoi një stil të lashtë këndimi, i quajtur iso-polifoni shqiptare, një traditë shumëshekullore e këngës polifonike, të cilën, sipas tij, nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë në një film. Në Shqipëri ai incizoi edhe tingujt e fyejve që barinjtë shqiptarë i kanë përdorur prej mijëra vjetësh”, shkruhet në rrëfimin që zbërthen gjerë e gjatë vizionin e regjisorit hollywoodian për mitin e pavdekshëm. Episodin me Shqipërinë, kompozitori 41-vjeçar nuk e lë me kaq. 

Video: Traileri

Edhe Matt Damon thotë se xhirimet e filmit “The Oddysey” ishin jashtëzakonisht sfiduese Showbiz 1 j. më parë Matt Damon thotë se xhirimet e filmit “The Oddysey” ishin jashtëzakonisht sfiduese

“Duhej t’i përfundonim incizimet deri në orën gjashtë të mbrëmjes, sepse barinjtë zgjoheshin në katër të mëngjesit për t’u kujdesur për kopenë”, citohet të ketë thënë Göransson. 

Kritiku e redaktori, Birge Ebiri, te pjesa për kolonën zanore shkruan se Christopher Nolan nuk njihet për kolona zanore minimaliste. “Përkundrazi, filmat e tij janë të famshëm për përdorimin intensiv të muzikës, aq sa në filma si ‘Dunkirk’ apo ‘Oppenheimer’, momentet kur muzika ndalet, bëhen menjëherë të ndjeshme për publikun. Në shikim të parë ‘The Odyssey’ mund të duket sikur ka më pak muzikë. Kompozitori Ludwig Göransson thotë se kjo është vetëm një përshtypje. Në fakt, muzika është gjithmonë aty, por e ndërtuar ndryshe”, shkruhet në artikull. Sipas tij, për t’iu përshtatur botës fizike dhe elementare të filmit, Nolan dëshironte një kolonë zanore që të dukej sikur buronte nga vetë Epoka e Bronzit, larg orkestrimeve madhështore që zakonisht shoqërojnë filmat historikë.

Matt Damon në rolin e Odiseut

“’Nuk po bëj një film në stilin e Hollywoodit të viteve ‘50”, kujton Nolan se i kishte thënë Göranssonit. ‘Nëse nuk po ndjekim atë traditë, atëherë nuk ka kuptim të mbështetemi te një orkestër klasike. Prandaj pyetja ishte: çfarë mund të krijojmë në vend të saj?”, shkruan ai. 

Nolan sipas tij imagjinoi “një sistem alarmi për Trojën me qytetarët e saj që përplasnin fletë të mëdha metali, të cilat do të bëheshin më të forta, ndërsa ushtria greke afrohej gjithnjë e më shumë”. Ai tingull u shndërrua në një motiv muzikor që rikthehet gjatë gjithë filmit.

“’Kakofonia e atyre zhurmave gradualisht shndërrohet në një temë muzikore që tingëllon si një vajtim’”, citohet të ketë thënë kompozitori Göransson. Aty shkruhet se në të njëjtën mënyrë, ai përdori lyrën për të krijuar tingullin karakteristik të tendosjes së harkut.

Edhe Zendaya mezi pret ta shohë “The Odyssey”: Do të ketë skena që nuk janë bërë kurrë më parë Showbiz 1 j. më parë Zendaya mezi pret ta shohë “The Odyssey”: Do të ketë skena që nuk janë bërë kurrë më parë

“Ky motiv lidhet vazhdimisht me Odiseun, mjeshtrin e harkut dhe të shigjetës. Ashtu si tingujt metalikë të Trojës, notat e rralla të lyrës lëkunden vazhdimisht mes muzikës dhe tingujve të ambientit, aq sa shpesh bëhet e vështirë të dallosh se ku përfundon njëra dhe ku fillon tjetra. Sipas Ebirit për Göranssonin, “ishte e rëndësishme që çdo instrument të luhej në mënyrën autentike, siç është përdorur në lashtësi”. 

“Në shumicën e rasteve, kur njerëzit mendojnë se po dëgjojnë një lyrë, në fakt dëgjojnë një harpë. Unë doja të gjeja muzikantë që e luajnë instrumentin ashtu siç është luajtur dikur: me plektron në dorën e djathtë dhe me gishtat e dorës së majtë mbi tela”, citohet kompozitori fitues i trefishtë i çmimit “Oscar”, për kolonën më të mirë zanore, me “Black Panther” të Ryan Coogler më 2019 me “Oppenheimer” të Nolanit më 2024 dhe sivjet me “Sinners” po nga Coogleri. 

Sipas këtij shkrimi, para se të përmendet Shqipëria shkruhet se Göransson gjeti gjithashtu një muzikant që interpretonte aulos, “një instrument frymor me dy kallama, i ngjashëm me oboan, shumë i përhapur në botën antike për shekuj me radhë, por që më vonë u zhduk”. 

“Në fund të fundit, pjesa më e madhe e muzikës për filmin ‘The Odyssey’ lind natyrshëm nga tingujt e vetë botës ku zhvillohet historia. Era, uji, metali, instrumentet e lashta dhe zërat njerëzorë bashkohen gradualisht, derisa shndërrohen në muzikë”, shkruhet në artikull. 

Edhe Matt Damon në trailerin e ri të filmit të Christopher Nolanit Showbiz 2 muaj më parë Matt Damon në trailerin e ri të filmit të Christopher Nolanit

“Të jep ndjesinë e erës”, citohet të ketë thënë, thotë Göransson, njëri prej kompozitorëve më të shquar të gjeneratës së tij. “Të jep ndjesinë e vetë natyrës”. 

“Dhe ndoshta ky është përshkrimi më i mirë jo vetëm për kolonën zanore, por edhe për vetë filmin”, shkruan kritiku i famshëm në rrëfimin e gjatë nga prapaskenat e një kryevepre filmike.