Në vitin 2011 në Egjipt miliona qytetarë protestuan për largimin e Mubarakut. Mubaraku u largua vetëm për t’u zëvendësuar nga një diktator edhe më i egër, i cili vazhdon edhe sot të sundojë Egjiptin. Sot Egjipti është më keq se sa në kohën e Mubarakut. Në vitin 2015 në Ukrainë ndonëse shumë më pak qytetarë protestuan për shkëputjen nga Rusia dhe afrimin me Evropën, protesta vendosi Ukrainën në një kurs historik, e cila e shndërroi Ukrainën në mbrojtëse të rendit demokratik perëndimor. Pse protesta në Egjipt dështoi, e ajo në Ukrainë pati sukses? Thënë ndryshe, cili është ai ekosistemi kulturor, politik e social, i cili krijon kushte për jetësimin e protestave të suksesshme
Në vitin 2011 sytë e botës ishin të drejtuar nga sheshi “Tahrir” të Kairos, ku miliona njerëz protestonin kundër Hosni Mubarakut. Pas tetëmbëdhjetë ditëve, Mubaraku u largua dhe protestuesit fituan. Ose së paku ashtu menduam në ekzaltimin e momentit. Pas vetëm tetëmbëdhjetë muajve, një diktator u zëvendësua me një diktator edhe më të egër, i cili vazhdon edhe sot të sundojë Egjiptin. Sot Egjipti është më keq se sa në kohën e Mubarakut.
Në vitin 2015 në Ukrainë u mblodhën shumë më pak protestuesit se në Egjipt për të protestuar kundër Presidentit Yanukovych, i cili synonte largimin nga Bashkimi Evropian dhe afrimin me Rusinë. Pas tre muajve proteste, Yanukovych u largua nga vendi dhe protesta vendosi Ukrainën në një kurs historik, e cila e shndërroi Ukrainën në mbrojtëse të rendit demokratik perëndimor.
Pse protesta në Egjipt dështoi, e ajo në Ukrainë pati sukses? Cilët janë faktorët që ndikojnë në suksesin e një proteste?
Këto ditë, duke parë protestat në Beograd dhe Tiranë, pyetjet sikur këto janë bërë jashtëzakonisht të rëndësishme. Natyrisht që asnjë protestë nuk është absolutisht identike me cilëndo tjetër, por referuar thënies “historia nuk përsëritët, por ajo rimon”, ne sot mund shikojmë mbrapa në historitë e protestave qytetare për të parë se kush është ajo anatomia e një proteste të suksesshme. Thënë ndryshe, cili është ai ekosistemi kulturor, politik e social, i cili krijon kushte për jetësimin e protestave të suksesshme.
Gjëja e parë për suksesin e një proteste është patjetër që brenda një shoqërie duhet të ekzistojë një pakënaqësi reale dhe organike ndaj pushtetit. Pra duhet të ekzistojë një masë e popullatës, e cila është e gatshme të protestojë kundër një gjëje të caktuar. Në Egjipt dhe gjatë pranverës arabe miliona njerëz kanë mbushur sheshet e Lindjes së Mesme, në Ukrainë për tre muaj qindra mijëra njerëz janë përballur me acarin e ftohtë dhe snajperët e qeverisë, në Turqi protesta për parkun “Gezi” nxori në rrugë miliona njerëz. Në Serbi, një tragjedi infrastrukturore nxiti protestat më masive qytetare që nga koha e Millosheviqit. Në Shqipëri dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec vuri në lëvizje protestat më masive ndaj qeverisë Rama. Por siç mund vërejmë nga disa prej këtyre shembujve, ndonëse mobilizimi masiv është i domosdoshëm për suksesin e një proteste, ai nuk është i mjaftueshëm. Dhe kjo më sjell te gjëja e dytë që është e nevojshme për suksesin e protestës.
Gjëja e dytë që historia e protestave ravijëzon si faktor i rëndësishëm në suksesin e protestës është karakteri i protestës dhe natyra e kërkesave. Nëse një gjë kuptojmë me siguri të plotë nga historia e protestave ajo është se protestat paqësore me kërkesat specifike janë shumë më të suksesshme se protestat e dhunshme me kërkesat e përgjithshme. Protestat paqësore mobilizojnë shumë më tepër njerëz, e bëjnë më të vështirë justifikimin e represionit shtetëror dhe krijojnë më shumë hapësirë për përçarje brenda elitave. Te libri “Përse Rezistenca Civile ka Sukses” autorët kanë rishikuar 323 protestat nga viti 1900 deri në vitin 2006. Dy nga gjetjet definitive të tyre ishin se (1) protestat paqësore janë dy herë më të suksesshme se protestat e dhunshme dhe (2) asnjë protestë paqësore nuk ka dështuar nëse ka arritur të mobilizojë aktivisht 3.5% të popullatës. Po kështu, historia ka treguar se protestat që kanë kërkesa specifike dhe unifikuese kanë gjasa shumë më të mëdha të suksesit, se ato me kërkesa të përgjithshme dhe polarizuese. Thënë ndryshe protesta duhet të këtë kërkesa të cilat janë shumë të matshme dhe të cilat objektivisht janë në të mirën e gjithë qytetarëve. Në Serbi, pas tragjedisë në stacionin e trenit të Novi Sadit, kërkesa e menjëhershme e studentëve nuk ka qenë “Zgjedhjet e jashtëzakonshme”, por “Publikimi i kontratave të ndërtimit të stacionit trenit”. Në Shqipëri kërkesa e menjëhershme e protestuesve nuk ka qenë “Rama në burg”, por “Anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për Investimet Strategjike.” Këto janë kërkesa që regjimet nuk mund të manipulojnë apo të injorojnë, pra kontratat e ndërtimit ose publikohen ose pushteti dëshmon se ka diçka për të fshehur. Ligjet kontroverse në Tiranë ose shfuqizohen ose pushteti dëshmon se ka diçka për të fshehur.
Edhe
Egjiptit i bëhet pritje e ngrohtë pas kthimit nga Botërori
Duke gjykuar nga zhvillimet e deritanishme, protestat në Beograd dhe Tiranë veç se kanë arritur fitore të rëndësishme. Në Beograd protesta ka obliguar BE-në të imponojë mbi Vuçiqin reformën e mjedisit mediatik, dhe ajo njëkohësisht shfaqi fytyrën e vërtetë të Vuçiqit para disa vendeve të BE-së duke e zhveshur kështu Vuçiqin nga petku i “perëndimorit” me mohimin e hapjes së kapitujve të ri negociatorë me BE-në. Në Tiranë nga ana tjetër protesta ka obliguar BE-në të imponojë mbi Ramen ndryshimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Ndonëse këto janë fitoret e rëndësishme të protestave për të cilat qytetaret duhet të jenë krenar, këto janë fitore taktike dhe jo strategjike. Për të rrumbullakuar fitoren strategjike historia na ka treguar se anatomia e një proteste të suksesshme kërkon përmbushjen edhe të dy faktorëve të tjerë – por për këto në kolumnen e radhës.