Kontakte e bashkëpunime me bashkësitë arbëreshe në Itali e Kroaci, si dhe botimi i dorëshkrimeve të pabotuara, janë disa prej synimeve të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, e themeluar dy muaj më parë. “QSPA-ja synon të bëhet ajo që do ta quaja ‘depozitarja’ dhe vatra e një kulture unike, siç është ajo e arbëreshëve”, ka thënë për KOHËN drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, Diana Kastrati, të hënën, në ditën kur Qendra ka nënshkruar marrëveshjen me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Fotografi të kornizuara të albanologëve këndej e andej Adriatikut rrinë varur në hapësirat e dy zyrave të rregulluara me pedanteri në një nga katet e pallatit “Sky Tower” në rrugën “Dëshmorët e 4 shkurtit” në Tiranë. Një logo me akronimin QSPA (Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët), afër së cilës janë vënë koka dhe krahu i shqiponjës, është tashmë “letërnjoftimi” i qendrës që institucionalizon kërkimet mbi arbëreshët.
E krijuar me “vulën” e institucioneve të shtetit shqiptar, QSPA ka nisur funksionimin prej gati dy muajsh.
Të hënën, ajo ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Teksa në memorandum kanë vënë nënshkrimet e tyre kryetari i AShSh-së, Skënder Gjinushi, drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, Diana Kastrati, si dhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, të pranishmit kanë shprehur synimin për përkrahjen e studiuesve të rinj që merren me bashkësitë arbëreshe në Itali e Kroaci.
“Ky memorandum synon koordinimin e studimeve për kulturën dhe historinë e komunitetit arbëresh, bashkëpunimin ndërinstitucional që parashikon realizimin e studimeve të përbashkëta mbi historinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh, organizimin e aktiviteteve studimore, si dhe krijimin e grupeve të punës për aplikimin në projekte të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e afishuar me këtë rast.
Derisa, sipas memorandumit, AShSh do të ofrojë ekspertizë përmes anëtarëve të saj për realizimin e studimeve dhe publikimeve për arbëreshët, QSPA, në anën tjetër, ka marrë përsipër përgatitjen për shtyp të studimeve të specializuara mbi historinë dhe kulturën arbëreshe.
Në shtator të vitit të kaluar, Ministria e Diasporës kishte bërë me dije se Këshilli i Ministrave kishte miratuar propozimin e saj për themelimin e Qendrës e cila, sipas dispozitave të saj, objektiv kryesor ka “kryerjen e studimeve të specializuara për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh”.
“QSPA-ja synon të bëhet ajo që do ta quaja ‘depozitarja’ dhe vatra e një kulture unike, siç është ajo e arbëreshëve”, ka treguar në një bisedë për KOHËN drejtoresha Diana Kastrati.
Ajo ka përkujtuar se studiues shqiptarë e të huaj kanë pasur në fokus hulumtimin e studimit të të “gjithë universit historiko-kulturor të komuniteteve arbëreshe të Italisë, të Zarës së Kroacisë, si dhe të arvanitasve”.
“E gjithë puna e Qendrës do të mbështetet e do të niset nga kjo trashëgimi e vyer diturake. Fryma në të cilën do të punohet, do të jetë ajo e mbajtjes së shenjtë të parimit të mirënjohjes ndaj gjithë panteonit të dijetarëve të mëparshëm. Dija nuk mban kurrë vulë individuale”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa ka cituar thënien në latinisht të Johnit të Salisburyt “nos esse quasi nanos gigantium humeris insidentes” (ne jemi si shkurtabiq të ulur në supet e gjigandëve), ajo ka vlerësuar se është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që realizohet ngritja e një Qendre me karakter studimor në universin historik e kulturor të arbëreshëve në Itali dhe atyre në Zarë (Kroaci).
“Në objektivat më ambiciozë do të doja të përmendja edhe projekte të cilat do të kenë në fokus lëvrimin dhe mësimin e arbërishtes”, ka bërë me dije Kastrati.
Ndërsa puna është ende në fillet e saj, QSPA tashmë ka skicuar edhe objektivat e radhës. Një i tillë është edhe mbajtja e Kuvendit të Studimeve, i cili është parashikuar për në shtator të këtij viti, si dhe takime në të gjitha nivelet me përfaqësues të komuniteteve arbëreshe.