Botë

Zelensky: Mbrojtja ajrore, prodhimi i përbashkët i armëve e sanksionet pjesë e bisedimeve me SHBA-në

Volodymyr Zelensky dhe Keith Kellogg

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka postuar të hënën një përmbledhje rreth takimit të tij me të dërguarin e posaçëm amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, tek ka thënë se ishte “produktiv” dhe se dyshja ka diskutuar kryesisht rreth “rrugës drejt paqes dhe asaj që mund të bëjmë praktikisht së bashku për ta afruar atë”, ka raportuar The Guardian.

“Kjo përfshin forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, prodhimin dhe prokurimin e përbashkët të armëve mbrojtëse në bashkëpunim me Evropën. Dhe sigurisht, sanksione ndaj Rusisë dhe atyre që e ndihmojnë atë”, ka shkruar Zelensky.

“Shpresojmë për lidershipin e SHBA-së, pasi është e qartë se Moska nuk do të ndalet përveç nëse ambiciet e saj të paarsyeshme frenohen me forcë”, ka shtuar ai.

Zelensky e ka përfunduar postimin në mënyrë tradicionale, tek e ka falënderuar Kelloggun, presidentin amerikan Donald Trump, si dhe të gjithë popullin amerikan për mbështetjen e tyre.