Aktorja e njohur nga Koreja e Jugut, Kang Seo-ha, ka vdekur në moshën 31-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancer të lukthit, ka raportuar The Star.
Sipas raportit, Seo-ha ka ndërruar jetë më 13 korrik, rreth orës 13:30.
Ceremonia mortore do të mbahet më 16 korrik në sallën e funeraleve të Spitalit Katolik të Universitetit të Koresë, në Seul, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat familjare në Haman, Provinca Gyeongnam.
Pavarësisht gjendjes shëndetësore, Seo-ha ishte aktive profesionalisht deri në fund. Ajo po punonte si aktore kryesore në filmin e ri “Magnaein”, që do të publikohet pas vdekjes së saj, edhe pse ende nuk është bërë e ditur data e publikimit.
Ajo ishte diplomuar në Shkollën e Dramës të Universitetit Kombëtar të Arteve të Koresë dhe mori vëmendjen për herë të parë pas paraqitjes në videoklipin “Getting Farther Away” nga Brave Guys në vitin 2012.
Ajo u bë e njohur më tej me rolet në serialet koreane të njohura si “Heart Surgeons” dhe “First Love Again”, ndërsa ishte pjesë edhe e projekteve të tjera si “Schoolgirl Detectives” dhe “Assembly”.