Prishtinë, 13 maj – Arti është e vetmja formë e demokracisë që ofron mundësi pjesëmarrjeje dhe shkëmbim të ndjenjave me publikun. Në ecejaket e tyre vetmitare, artistët kridhen në një udhëtim shpirtëror të ndriçuar nga anët estetike. Këto ishin disa nga vlerësimet e artistit shqiptar që jeton në New York, Sislej Xhafa.
Duke shpalosur një videomesazh frymëzues në ditën e pestë të “Javës së Evropës”, të bashkorganizuar nga Zyra e BE-së dhe “Shtëpia e Evropës” në Prishtinë, ai nuk ka kursyer “provokimet” e tij prej artisti. Po në ditën e pestë, në mbrëmje, me mesazh, por edhe performancë muzikore publikut i është drejtuar edhe maestroja i kitarës Petrit Çeku.
Xhafa: “Shpresa nuk duhet të jetë propagandë”
Një fishkëllimë në vend të prezantimit, Sislej Xhafa ka hapur pasditen e së mërkurës rrëfimin e tij në kohëzgjatje prej rreth 5 minutash, ndërkohë që qasja e kamerës me një “close-up” përkapte vetëm sytë dhe hundën e tij, fare pak të ndriçuara.
“Materializimi i ndjenjave për ne që merremi me art bashkëkohor është diçka sublime”, ka rrëfyer zë-ulët Xhafa. Ka thënë se përdor gjuhën e pikturës, skulpturës e instalacioneve, ndonëse nuk është as piktor e as skulptor.
Për artistin me origjinë nga Peja, prania e “urisë” intelektuale është e domosdoshme në procesin artistik.
“Për mua është me rëndësi konfrontimi i vetvetes me hapësirën dhe kohën ku çdo udhëtim solitar krijon një dimension të ri në mënyrë të pavetëdijshme. Edhe vepra krijon një kohë të saj”, ka theksuar Xhafaj, i cili as këtyre javëve të pandemisë nuk ka hequr dorë nga konfrontime të tilla.
Ai i është bashkuar fushatës së Muzeut Kombëtar të Artit të Shekullit XXI në Romë - MAXXI përmes një performance në metronë e New Yorkut. E bërë edhe më parë në Londër, performanca e tij “Zitti” është rikontekstualizuar edhe në metropolin amerikan në ditët e vështira të izolimit nga koronavirusi.