Kaherë janë gravuar si hite shumë këngë që janë vulosur me emrin e tij. U këndoi dashurisë, studentëve e më pas edhe zgjimit. Shemsi Krasniqi – Shemi si zë i “Ilirëve” shënoi një epokë. “Ka bërë punë të jashtëzakonshme. Do të na mungojë, pasi ka qenë njeri i muzikës së përjetimeve. Do të mbetet edhe në historinë e muzikës shqiptare për muzikën e tij”, ka thënë producenti e kompozitori, Florent Boshnjaku. “Ishte një njeri që u çmua dhe që ka kontribuuar, por pas një kohe kontributi i tij nisi të harrohej nga pak. Artistët janë të tillë”, ka thënë kompozitori Valton Beqiri
Viti 1990 qe koha kur sheshazi kulmoi nacionalizmi serb që ia kishte marrë anën me të madhe asaj që ishte bashkëjetesë midis kombeve dhe kombësive në ish-Jugosllavi. Në Kosovë kjo ndihej më mirë se kudo tjetër në atë që ishte Federatë. Suprimimi i autonomisë më 1989 e kishte futur shoqërinë shqiptare në përballje me një regjim të ashpër.
E, pak ditë para se forcat policore t’i dëbonin punonjësit e Radiotelevizionit të Prishtinës, në korrik të atij viti, rock-grupi “Ilirët” po regjistronte albumin “Zgjohu Kosovë”. Kësisoj titullohej edhe një prej këngëve të albumit, interpretuar nga vokalisti, Shemsi Krasniqi – Shemi. Grupi në vitet paraprake i këndonte rinisë, ndejave e dashurisë, tash bënte thirrje për zgjim.
Zëri i Shemsi Krasniqit – me gjithë pauzat – për rreth katër dekada qe vokal i festave e thirrjeve për revoltë ndër shqiptarë të Kosovës. Me trashëgimi peshërëndë në rockun e Kosovës e edhe në atë që është pop-rock, Shemsi Krasniqi vdiq të hënën. Ai ishte 64 vjeç.
Vdekja e tij është konsideruar si humbje e madhe për kulturën e vendit. Shemi përtej vlerave muzikore, shquhej për vokalin e veçantë që i dallohej fort. E trashëgimia e tij, shihet si diçka që zor ta prekë harresa.

“Njeri i muzikës së përjetimeve”
Viteve të fundit Shemi mbahet mend për disa këngë që thuajse s’kanë fort të bëjnë me bazën e karrierës së tij. E po ashtu edhe për disa polemika që në karrierën e një artisti si ai, i përpin koha. Por Shemsi Krasniqi do të mbahet në mend si autor e vokalist i disa prej hiteve të rockut e asaj që i thuhej muzikë zbavitëse në Kosovën e viteve ’80 e ’90. Me koncerte të shumta në Prishtinë e të dëgjuara në ndejat gjithandej Kosovës, “Ilirët” përbënin një pjesë të madhe të “menysë” muzikore të krejt ahengjeve në vend. Padyshim, dominonte te të rinjtë. Këngët si “Gurbetqari”, “Sa e sa vite”, “Kazanova”, “Kush ka bon”, “Heroi”, “Oj tirani”, “Sa e madhe është Shqipnija”, janë disa prej hiteve që janë kënduar nga Shemi si zë i “Ilirëve”.
I themeluar në vitet ’80 ky grup ndër vite mblodhi midis të tjerësh edhe artistë si Agim Berisha në bas, Pren Berisha në kitarë, Shkëlzen Veseli po ashtu në kitarë, Naser Abdullahu në bateri, Arlind Zeqiri në saksofon dhe Valton Beqirin e Florent Boshnjakun si kompozitorë e në tastaturë.
Kompozitori e profesori universitar, Valton Beqiri, të hënën mbrëma ka thënë se i ishte bashkuar grupit në vitet ’80 dhe ajo ishte koha kur muzika zbavitëse ishte baza e mbrëmjeve.
“Kemi bërë muzikë kryesisht nëpër mbrëmje të absolventiadave e të tjera. Shemi ishte shumë i përkushtuar në punë. Ka pasur një vokal karakteristik. Natyrisht ka lënë gjurmë. Kam aranzhuar dhe kam luajtur në tastierë në një kohë, për nja 5 a 6 gjashtë vjet”, ka kujtuar Beqiri. E ka përshkruar atë si të veçantë në stil e në këndim.
“Ishte një njeri që u çmua dhe që ka kontribuar por pas një kohe kontributi i tij nisi të harrohet nga pak. Artistët janë të tillë. Ne po harrojmë t’i respektojmë njerëzit sa janë gjallë. Ka lënë gjurmë e kontribut në pop-rockun kosovar. Pos këngëve të tij ai ka kënduar edhe këngë të njohura botërore”, ka thënë Beqiri. Sipas tij, shumë grupe në Kosovë me kohë kanë ndërruar edhe stilet. Por ka thënë se Krasniqi i ka disa këngë që janë vulë e prezencës së tij në skenë.
Kompozitori Florent Boshnjaku ka kujtuar se me Shemin është njohur qysh në vitet ’80. Bashkë do të nisnin të bashkëpunojnë në një bar të natës që ishte në hotelin “Grand”.
“Kam qenë në grupin ‘Ilirët’ dhe kemi bërë albumin ‘Zgjohu Kosovë” në ditët e fundit para mbylljes së RTP-së. Duhet të jetë incizimi i fundit i atij produksini dhe më pas Radiotelevizioni u mbyll”, ka kujtuar Boshnjaku. Ka rrëfyer se kanë bashkëpunuar e kanë kaluar shumë gjëra së bashku.
“Ka pasur një energji fantastike. Ka qenë prej themeluesve të festivalit ‘Boom’. Ka bërë punë të jashtëzakonshme. Do të na mungojë pasi ka qenë njeri i muzikës së përjetimeve. Do të mbetët edhe në historinë e muzikës shqiptare për muzikën e tij”, ka thënë Boshnjaku. Sipas tij, muzika është ajo që do ta mbajë Shemin të përjetshëm.
“Ka një zë shumë të veçantë. Ishte shumë muzikal dhe ka kënduar nota të larta. Shumë melodi e ide kanë ardhur nga ai. Ka pasur mjaft ide të cilat janë pjesë e albumeve dhe këngëve që janë punuar”, ka thënë Boshnjaku.
Imazh i rockut të rebelimit e shpresës
Vdekja e Shemsi Krasnqit është parë si humbje e madhe edhe nga udhëheqësit politikë e institucionalë. Presidentja Vjosa Osmani vdekjen e Shemit e ka përshkruar si humbje të pazëvendësueshme.
“’Xhamadani vija vija’ mbetet një kujtim i fuqishëm dhe simbolik, që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet, ashtu siç bëri zëri i Shemit ndër dekada. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik”, ka njoftuar Presidenca.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka përshkruar Shemin si një zë që ka hyrë në shtëpi pa trokitur. Sipas tij, si vokalist i “Ilirëve”, ai i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës dhe i dha publikut një mënyrë për ta ndjerë veten bashkë, edhe kur ishim larg.
“Me interpretimin e tij, kënga u bë kujtesë dhe kujtesa u bë këngë; ‘Xhamadani vija-vija’ u dëgjua e u këndua si shenjë identiteti dhe bashkimi për shqiptarët kudo. Në këto çaste, e kuptojmë edhe më shumë se sa rrallë lindin zëra që nuk janë vetëm art, por janë gjuhë e përbashkët emocioni shpirtëror”, ka shkruar Kurti në rrjete sociale. Sipas kryeministrit në detyrë, disa zëra nuk mbarojnë me një lajm, ata vazhdojnë sa herë që një këngë ngrihet si flamur në zemër.
“Ashtu do të dëgjohet përherë Shemi jonë, xhamadan i këngës e shpirtit”, ka shkruar Kurti.
Si lajm të trishtë e ka përshkruar lajmin për vdekjen e Shemit, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Si vokalist i grupit ‘Ilirët’, ai u shndërrua në një zë të identitetit muzikor shqiptar dhe pjesë e pandashme e kujtesës sonë kolektive”, ka shkruar Çeku. Edhe ai ka përmendur këngën që njihet si “Xhamadani vija-vija” si hit i të gjithë shqiptarëve dhe si këngë që mbetet simbol i bashkimit dhe identitetit shqiptar.
“Shemi ishte personalitet i veçantë i kulturës dhe i dashur për publikun”, ka shkruar Çeku.
Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Shemin e ka përshkruar si artist që nuk i përkiste vetëm skenës, por edhe shpirtit të një kohe, një brezi dhe një qyteti të tërë.
“Ishte imazh i gjallë i Prishtinës në vitet kur muzika rock ishte zë rebelimi, shprese dhe lirie. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë adhuruesve të muzikës së tij. Humbja është e madhe, por gjurma që la në historinë e muzikës shqiptare dhe në kujtesën e kryeqytetit do të mbetet e pashlyeshme”, ka shkruar Rama.
Ndër dekada skena kulturore vendore ka nxjerrë në pah emra të ndryshëm artistësh. Por vitet ’80 dhe ’90 në muzikë – pa lënë anash as artet e tjera – qenë kohë me zhvillime të shumta. E, Shemi ishte në ballë të artit si estetikë domethënëse si në ditë të mira ashtu edhe periudhat kur arti ishte thirrje e rezistencë.
Rikthimi i 2010-s dhe një premtim
Qe viti 2010 kur Shemi tok me “Ilirët” provuan të ktheheshin. Lansuan “Mixha Mursel”. Përvojën e rikthimit do ta përshkruante me barsoletë. Ishte tetor i atij viti, një koncert në Kamenicë. Disa të rinj kamenicas nuk kishin besuar se Shemi ishte gjallë dhe se kishte shkuar të mbante koncert në qytetin e tyre. S’kishin pranuar të paguanin biletën e koncertit pa e parë ‘live’. Shemi i nxitur nga organizatorët e koncertit kishte dalë jashtë lokalit që të fliste me ta. “A nuk të kanë vrarë gjatë luftës a?”, kishte qenë pyetja e cila i ishte drejtuar atij nga të rinjtë. “Siç po e shihni, jo”, u ishte përgjigjur Shemi. “Ilirët” s’e kishin shkelur skenën për 12 vjet. “Kënga e Naimit” dhe “Mixha Mursel” kishin qenë të vetmet që grupi i kishte publikuar atë vit.
“Edhe çudirat ndodhin”, kishte thënë Shemi për “KOHËN Ditore” në një rrëfim për rikthimin. Do ta quante aksidental dhe si pasojë e mungesës së këngëve të cilët do ta zëvendësonin “Xhamadanin vija-vija”.
“Në përvjetorin e pavarësisë vendosa të dilja e ta këndoja këtë këngë dhe më pas familja e miqtë më thanë që gjithsesi duhet që grupi ynë të bëhet bashkë”, kishte thënë ai duke shtuar se koha e këngëve patriotike ende nuk ka mbaruar. “Unë besoj që ende ka nevojë për këngët alla Xhamadani”, kishte thënë Shemi. “Ne prodhojmë muzikë rock, mirëpo me melodi shqiptare Nuk kemi nevojë që të bëjmë rock me muzikë angleze ose amerikane”.
Asokohe kishte dhënë edhe një premtim. “Do të punojmë aq shumë saqë muzikën tallava do të qesim jashtë sistemit të skenës muzikore në Kosovë”, kishte thënë ai.
Premtimin s’e mbajti dot. Por kishte kohë që Shemi kishte shënuar historinë e muzikës në Kosovës. Si zë i “Ilirëve” dhe muzikës së përjetimeve.
© KOHA Ditore