Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Rita Petro thur “Poemën e mungesës” që sfidon vdekjen

Te “Poema e mungesës”,

Te “Poema e mungesës”, dialogu zhvillohet me të padukshmen. Ajo mund të lexohet si një reflektim mbi dashurinë, ndarjen apo kohën që ikën. Në të gjitha këto dimensione, mungesa bëhet një forcë që formëson identitetin e individit. Ajo nuk është vetëm dhimbje, por edhe kujtesë.

Në një kohë kur “libraritë kanë filluar t’i refuzojnë librat poetikë”, vepra e Rita Petros e ka sfiduar edhe këtë rast, duke sjellë “Poemën e mungesës” dhe një diskutim për prapavijën e kësaj vepre që i kundërvihet mungesës dhe sfidon vdekjen. “Duket që është poemë për vdekjen, por në fakt është poemë për dashurinë, për atë lloj dashurie që na lë frymën e saj, një gjuhë që është e pashlyeshme dhe që unë mendoj që, mbase është një mit, po të themi që dashuria është e përjetshme...”, ka thënë Petro në përurimin e librit të saj në Prishtinë

Krejt ndryshe nga poezia e traditës sa i përket tematikës, por tradicionale në formë, poema e Rita Petros u jep zë ndjenjave të fshehta të njeriut. Vepra e saj “Poema e mungesës” nëpërmjet mungesës si estetikë është prej veprave që jo vetëm thjesht lexohet si tekst, por edhe përjetohet si hapësirë e mbushur me boshllëk, mall e kërkim. E tillë është dëshmuar në promovimin e poemës.

Të mërkurën mbrëma, në librarinë “Dukagjini” është promovuar vepra e Petros, një prej zërave më aktivë të letërsisë shqipe, e aty është thënë se një ngjarje si kjo vjen në një kohë kur libraritë as nuk i pranojnë më librat me poezi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Libraritë tashmë kanë filluar edhe t’i refuzojnë librat poetikë. Ka disa librari në Prishtinë që s’pranojnë libra poetikë”, ka thënë shkrimtari Ag Apolloni.

“Poema...” e Petros flet për mungesën si gjendje statike. Si prani e padukshme që përshkon çdo varg, mendim e ndjesi. Dimensioni emocional dhe ekzistencial është i fortë aty. E, subjekti është përherë në një hapësirë ku mungesa thellohet përherë. Dhe një nga arsyet për këtë është vdekja.

Gjuha e Rita Petros aty shpesh kursehet, por ngarkohet me ndjenja dhe shumëkuptimësi. Fjalët janë të pakta, por flasin shumë.

Autorja ka thënë se kjo është një poemë për dashurinë.

“Në lidhje me ‘Poemën e mungesës’, duket që është poemë për vdekjen, por në fakt është poemë për dashurinë, për atë lloj dashurie që na lë frymën e saj,  një gjuhë që është e pashlyeshme dhe që unë mendoj që, mbase është një mit, po të themi që dashuria është e përjetshme. Por dashuria jeton aq sa jetojmë edhe ne, të cilët e bartim këtë lloj ndjeshmërie kur humbim njerëzit e dashur”, ka thënë Petro.

E ka konsideruar si roman në vargje, i ndarë në kapituj. Ka bërë me dije se libri është shkruar gjatë një periudhe pesëvjeçare.

“Ky libër ka pesë vjet që ka lindur në kokën time dhe unë nuk doja të bëja një poemë vajtimi, doja të bëja një poemë për jetën, për vdekjen, për trupin, për shpirtin. Për filozofinë e jetës, por edhe për gjithçka që është tokësore dhe prandaj e mbajta kaq kohë dhe doja ta përballoja dhe të shikoja veten në situata të ndryshme. Ishe dikur dy dhe tani je vetëm. Si i përballon këto situata në jetën tënde dhe pikërisht kjo lloj përvoje më bëri që kjo poemë të mbushej me kaq shumë vargje”, ka treguar ajo.

Vepra është në librari që nga viti i kaluar. Ka pasur disa promovime paraprakisht dhe të mërkurën mbrëma, publiku është mbledhur për të dëgjuar prapavijat e vargjeve të shkruara në “Poemën e mungesës”.

Petro ka thënë se në vepër midis tjerash flitet për mungesën, vetminë, arrogancën e të rinjve në raport me moshën.

“Libri ka disa muaj që ka dalë dhe ka lexues të rinj, sepse gjithmonë kam pasur atë mendim që do të kem vetëm të një moshe të caktuar lexuesish. Por ka edhe lexues të rinj, të cilët humbjen nuk e përjetojnë njëlloj si çdo lloj moshe. Këta lexues vërtet që kanë kapur vargjet e bukura të dashurisë, duke menduar që unë s’e kam provuar dashurinë dhe sa dëshirë do të kisha ta provoja këtë ndjesi kaq të fortë, kaq të madhe. Nuk duhet asnjëherë të trembemi se do ta humbim një ditë, sepse ne mund ta humbim nga ndarja”, është shprehur shkrimtarja.

Shkrimtari e profesori e letërsisë, Ag Apolloni, është recensent i kësaj vepre. Sipas tij, në krijimet e fundit të Petros vërehet një lidhje e madhe me poezitë që vijnë në frymën e një poeme.

“Nuk e di se çka e ka çuar autoren kah kjo formë, që është sigurisht pak më e vështirë. Madje për një kohë të gjatë konsiderohej sikur është tejkaluar në shekullin e 19-të, derisa në shekullin e 21-të nisën disa poete të shkruajnë”, ka thënë Apolloni, duke e konsideruar këtë formë të të shkruarit si stil unik të sajin.

“Rita ka krijuar një stil unik dhe sigurisht që nëpërmjet kësaj forme ajo po promovon një tip të ri të poezisë, një tip sfidues dhe që mund të ngjallë diskutime. Jo vetëm në aspektin tematik, por edhe më vonë, nëpërmjet strukturës, nëpërmjet formës”, ka thënë ai.

Rita Petro i ka kontribuar poezisë bashkëkohore me një stil krejt ndryshe nga poezia e traditës. Sipas përshkrimit për veprën e saj, ajo me qasjen mes misticizmit dhe erotizmit, ka nxitur debate, gjatë të cilave vargjet e saj janë cilësuar si skandaloze. Sipas kritikës, Rita Petro heq pengesat morale, konvencionale, shoqërore, etike, duke u dhënë zë ndjenjave më të fshehta dhe përvëluese të qenies.  Rita Petro është e njohur për guximin dhe të shprehurin hapur publikisht, duke fituar në shoqërinë shqiptare statusin e gruas që thyen tabu.

Shkrimtari Apolloni e ka vlerësuar “Poemën...” si libër shumë të mirë e që flet edhe nëpërmjet vetë titullit.

“Mungesa është një prej temave kryesore, sidomos prej estetikës romantike e këndej, kur lindi nevoja për ta njohur më mirë antikën, dhe të gjitha veprat që vinin ishin gjysmake ose të dëmtuara. Erdhi ajo që e njohim si estetikë e torzos. Dhe u krijua ideja e nostalgjisë, e mallit, pra u kthye në estetikë, u kanonizua. Dhe u pa se është më interesante ajo që mungon sesa ajo që ka arritur. Pra, mungesa është kthyer në një lloj teme për të cilën është shkruar më shumë sesa për gjërat e pranishme. Vdekja, që trajtohet këtu, është ajo që lë mungesë, por njëkohësisht është dashuria ajo që e mbush atë mungesë”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, vepra sfidon lexuesit ta lexojnë mungesën. Se tematizimi e problematizimi i mungesës janë unik në letërsinë shqipe dhe se kjo ia shton vlerën këtij krijimi.

Në këtë vepër, dialogu zhvillohet me të padukshmen. Ajo mund të lexohet si një reflektim mbi dashurinë, ndarjen apo kohën që ikën. Në të gjitha këto dimensione, mungesa bëhet një forcë që formëson identitetin e individit. Ajo nuk është vetëm dhimbje, por edhe kujtesë.

Ngjarja është moderuar nga Elvin Blakaj.

“Një dashuri që vazhdon edhe pas vdekjes, që jeton në fotografi, në aromë, në trup dhe në mungesë. Në një moment, poetja thotë se kujtesa është ajo që na bën të jetojmë bashkë të gjallë dhe të vdekur. Ndoshta kjo është teza e fshehtë e këtij libri. Në këtë kuptim, ky libër është më shumë se libër për dashuri, është libër për mbijetesë shpirtërore”, ka thënë ai.

Në 196 faqe, Rita Petro arrin të ndërtojë një tekst që rezonon gjatë me mungesën si përvojë universale dhe ndjenjën e thellë njerëzore.